Sport

Federatat kosovare ende përballen me refuzim të pranimit ndërkombëtar, tani edhe për dosje të pakompletuar

Për kohë shumë të gjatë procesi i pranimit ndërkombëtar ishte tema kryesore në sportin kosovar. Shumë dështime e lëshime arsyetoheshin me izolimin që i ishte bërë sportit kosovar. Ky proces për shumëkënd është vlerësuar i mbyllur me pranimin e Kosovës në UEFA e FIFA, në vitin 2016. Më herët ishte pranuar Komiteti Olimpik i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe kështu ishin hapur dyert e pranimit thuajse për të gjitha federatat sportive në vend.

Ndërkohë janë formuar disa federata dhe për to procesi i pranimit në asociacionet ndërkombëtare është ende aktual. Një prej tyre është ajo e Triathlonit. Federata e Triathlonit e Kosovës është themeluar në vitin 2018, ndërsa të dielën mori një goditje të rëndë. Aplikimi i saj për pranim me të drejta të plota në Federatën Botërore të Triathlonit pa pritur u hoq nga rendi i ditës.

Kjo, sipas njoftimit të sajtit “insidethegames.biz”, është bërë për lëshim të federatës kosovare. Në dosjen e Federatës së Triathlonit të Kosovës ka munguar një dokument. Dhe për këtë aplikimi është hequr nga rendi i ditës.

Federata e Triathlonit e Kosovës duhet të presë rast tjetër për pranim në shtëpinë botërore. Për sa kohë është jashtë kësaj shtëpie, paraqitja e sportistëve kosovarë në ngjarjet kryesore është e pamundur.

Në fakt, në tetor Bordi Ekzekutiv i Federatës Botërore të Triathlonit kishte aprovuar pranimin e përkohshëm të Kosovës dhe të Arabisë Saudite. Kjo edhe është procedura. Pranimin e përkohshëm e bën Bordi Ekzekutiv, kurse pranimin e plotë e bën Kongresi.

Kongresi virtual i Federatës Botërore është mbajtur të dielën. Arabia Saudite është pranuar me të drejta të plota dhe është bërë anëtarja e 173-të. 109 federata nacionale votuan për pranimin e Arabisë Saudite, ndërsa katër ishin kundër.

“Kosova po ashtu ka shikuar që të bashkohet me federatën botërore, së bashku me Arabinë Saudite. Por kërkesa e saj për t’u bërë pjesë e organizatës është hequr nga agjenda në minutën e fundit”, ka shkruar “insidethegames.biz”, sajti i njohur për përcjelljen e zhvillimeve në federatat sportive.

“Federata Botërore e Triathlonit ka thënë se kërkesa e Kosovës për pranim nuk është shtyrë para pasi Federatës Nacionale i ka munguar një dokument që kërkohet”, ka shkruar “insidethegames.biz”.

Në federatën kosovare kanë pranuar që nuk e kishin një dokument. Por për këtë fajin ia kanë lënë Federatës Evropiane.

Madje në federatën kosovare pretendojnë se refuzimi kishte të bënte edhe me politikë.

”Pak politike po mendoj që është largimi nga rendi i ditës i kërkesës për pranimin tonë. Na kanë larguar nga rendi i ditës për shkak të një letre mbështetëse të Federatës së Evropës”, ka thënë për KOHËN, Gazmend Maxhuni, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Triathlonit të Kosovës.

Ai ka treguar se aplikimi për pranim në Federatën Evropiane dhe atë Botërore është bërë më 21 janar të këtij viti. Më 15 tetor, Federata kosovare mori konfirmimin për pranim të përkohshëm, pra deri në kuvend.

“Na është kërkuar të bëjmë një pagesë për aplikim, që edhe e kemi kryer. Me këtë ne kemi menduar që ka përfunduar çështja e pranimit kur do të mbahet asambleja e përgjithshme e Federatës Botërore. Pastaj më 21 nëntor, në orët e vona të mbrëmjes, kemi marrë një email nga Federata botërore se duhej edhe një dokument mbështetës nga Federata evropiane, sipas statutit të saj. Në atë email ishin të përfshirë edhe kryetari dhe sekretarja e Federatës së Evropës dhe kemi besuar që ata do të reagojnë duke e dërguar letrën. Megjithatë, të dielën në ditën e asamblesë, ku edhe ishin në rend dite kërkesat për pranim, Federata Evropiane, pasi pyetëm, na tha që nuk ka arritur ta procesojë kërkesën e Federatës botërore për shkak të kohës së shkurtër dhe nuk ka dërguar letrën mbështetëse. Për këtë edhe u larguam nga rendi i ditës”, ka pranuar Maxhuni.

Federata e Triathlonit është themeluar në tetor të vitit 2018. Vjet ishte kategorizuar në grupin C. Maxhuni ka thënë se federata po rritet vazhdimisht. Sipas tij, kjo federatë ka 150 garues dhe së fundi ka mbajtur kampe stërvitore dhe dy kampionate.

“Gjithashtu kemi mbajtur edhe seminar për trajnerë dhe i kemi blerë të gjitha pajisjet që kur të udhëtojmë si përfaqësuese të jemi të kompletuar. Tash po presim prej federatës evropiane të na dërgojë letrën mbështetëse dhe pastaj vitin tjetër të presim për anëtarësim në federatën botërore kur të mbahet kuvendi. Në fund të muajit tjetër e kemi një takim virtual me Federatën e Evropës. Ne mund të marrim pjesë nëpër gara të ndryshme, por jo edhe evropian e botëror, që edhe është synimi ynë”, ka theksuar Maxhuni.

Nuk është hera e parë që pranimi ndërkombëtar shtyhet për lëshime të vetë federatave kosovare. Një kohë të gjatë ky proces ishte i bllokuar për arsye politike. Por pranimi në IOC kishte hapur dyert për shumicën e federatave. Disa prej tyre kanë rritur nivelin me paraqitjen në garat ndërkombëtare. Një pjesë e mirë kanë mbetur në nivel të njëjtë organizativ dhe të cilësisë e ndonjë edhe ka pësuar rënie në vitet e fundit.

Triathloni është sport olimpik, që përbëhet nga noti, çiklizmi e vrapimi.