Sport

Federata ua ndalon pjesëmarrjen në gara çiklistëve që garojnë edhe në triatlon

Samir Hasani doli i 32-ti në renditjen e përgjithshme të garës më të madhe të çiklizmit në Kosovë “Tour de Kosova”. Hasani ishte me rezultatin më të mirë prej garuesve të vendit. Tetë pozita më poshtë ishte Albion Ymeri, po ashtu çiklist i dëshmuar në Kosovë. Por, si Hasanit, ashtu edhe Ymerit dhe çiklistëve të tjerë që kanë nisur të merren edhe me sportin e triatlonit, Federata e Çiklizmit e Kosovës (FÇK) ka vendosur të mos ua lejoj pjesëmarrjen në garat e çiklizmit në vend e po ashtu edhe ta përfaqësojnë Kosovën në garat ndërkombëtare. Kështu, të paktën kanë thënë çiklistët të mërkurën për KOHËN.

Në FÇK thonë se janë duke respektuar rregulloren e brendshme të Federatës. Por, janë çiklistët që thonë se nuk kanë marrë asnjë dokument, rregullore apo ligj që ua ndalon të merren me çiklizëm dhe triatlon në të njëjtën kohë. Kryetari i Federatë së Çiklizmit, Avni Nuha, thotë se nuk ka ende asnjë vendim në lidhje me çështjen e çiklistëve. Por, ndryshe pretendojnë tre çiklistët e kontaktuar nga KOHA - Samir Hasani, Albion Ymeri dhe Aguron Hoda. Të tre kanë nisur të merren edhe me triatlon dhe pretendojnë se nuk janë të vetmit që kanë marrë njoftimin se nuk do të lejohen të marrin pjesë në garat e çiklizmit, që sipas kalendarit nisin muajin tjetër.

Në fakt, triatloni është sport që kombinohet prej tre sporteve: notit, çiklizmit dhe vrapimit në distanca të ndryshme. Çiklisti Hasani pretendon se i është bërë e padrejtë edhe në ndarjen e çmimeve për të arriturat e vitit të kaluar. Ai thotë se përveç rezultatit në “Tour de Kosova”, suksese ka arritur edhe në kampionatin e Kosovës për grupmoshën U23. Ai insiston se nga FÇK-ja nuk ka marrë ftesë që të jetë i pranishëm në ceremoninë “Laureatët e Vitit 2021” dhe se ka marrë vetëm mirënjohje për rezultatet e arritura.

“Kam marrë pjesë në garat e çiklizmit, kampionatin e Kosovës dhe ‘Tour de Kosova’. Në ‘Tour de Kosova’ e kam pasur rezultatin më të mirë ndonjëherë të arritur nga ndonjë garues i Kosovës. Vitin e kaluar kam përfaqësuar edhe Kosovën në triatlon në një garë në Strugë. Në shpalljen e më të mirëve në çiklizëm, prita që të dal i dyti, por mora vetëm një mirënjohje për rezultatet e arritura në çiklizëm. Pra, më janë mohuar të gjitha rezultatet. Tash më ka ardhur një vendim nga Federata që nuk kam të drejtë të garoj më në çiklizëm, me arsyetimin që e kam përfaqësuar Kosovën edhe në triatlon. Nuk e di a ka ndonjë ligj, rregullore apo diçka që na ndalon të garojmë edhe në triatlon, edhe në çiklizëm. Kam kërkuar të ma dëshmojnë se ku janë bazuar që më ndalohet, por nuk kam marrë ende përgjigje nga Federata. Në çiklizëm kam marrë pjesë që pesë vjet”, ka thënë Hasani.

“Kam kërkuar nga sekretari edhe kryetari e po ashtu edhe nga trajneri. Trajneri Sabri Hyseni që është edhe nënkryetar i Federatës po më thotë që është prapa meje, por po më thotë që unë duhet të vrapoj, të gjej një fakt. Arsyeja e vetme është kjo, që ne kemi shkuar të marrim pjesë në triatlon”.

Edhe Albion Ymeri thotë se nuk ka rregullore që ndalon paraqitjen në shumë sporte. Ai tregon se ka raste në botë që çiklistët marrin pjesë edhe në triatlon e po ashtu edhe në çiklizëm.

“Nuk ka ndonjë rregullore që ia ndalon një sportisti të merret me disa sporte. Është triatlonisti më i mirë i Serbisë që merr pjesë edhe në garat e çiklizmit. Ka edhe raste të tjera. Por, e kanë personalisht inatin me mua. Jam në pritje të më dërgohet vendimi me shkrim, ta shoh ku janë bazuar dhe më pas të ndjek hapat e radhës”, tha Ymeri.

Edhe Aguron Hoda është në pritje të konfirmimit zyrtar sikurse Ymeri e Hasani.

“Bordi në mbledhjen e fundit ka marrë vendim që ata që kanë marrë dhe marrin pjesë në garat e Federatës së triatlonit të mos marrim pjesë në garat e çiklizmit. Vetëm ne çiklistët e kemi këtë problem. U kam thënë se ku jeni bazuar kur keni marrë këtë vendim. Ata kanë hezituar të ma arsyetojnë dhe jam në pritje të ma dërgojnë vendimin se ku janë bazuar. Nëse ma dëshmojnë se ndalohet me ligj, atëherë unë si sportist vendosi se cilën federatë do ta përfaqësoj. Është antisportive. Kur unë e kam vullnetin të merrem me disa sporte, pse të pengohem? Nuk di që ka bazë ligjore kjo ndalesë. Ka sportistë në gjithë botën që merren me disa sporte. Brenda Kosovës nuk duhet të na ndalohet pjesëmarrja”, ka thënë Hoda.

Kryetari i FÇK-së, Avni Nuha, thirret në rregulloren e brendshme të Federatës, të cilën thotë se nuk e di përmendësh se çka parasheh. Por, ka shtuar se rregullorja duhet të respektohet nga të gjithë.

“Ende nuk ka asnjë vendim. Nuk e di kush ua ka thënë. Klubet nuk kanë sjellë ende asgjë për licencim. Ai ka qenë pjesë e Federatës dhe nëse është pjesë e triatlonit, le të vazhdojë. Rregullorja është rregullore dhe duhet respektuar, nuk mundet një sportist të vesh dy uniforma të Kosovës. Rregullorja është e brendshme sipas Federatës si e përcakton. Është çështje e brendshme e Federatës për të ruajtur integritetin. Nuk e di përmendësh rregulloren si e parasheh dhe duhet ta shoh. Ne nuk kemi të bëjmë me sportistë, ne kemi të bëjmë me klubet”, ka thënë Nuha.

Nuha është edhe anëtar i Bordit në Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK). Në fakt, ka plot sportistë në botë që merren me sporte të ndryshme në të njëjtën kohë. Edhe elitar madje. Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Triatlonit të Kosovës, Gazmend Maxhuni, thotë se nuk paraqet asnjë problem që garuesit e tyre të marrin pjesë edhe në garat e sporteve të tjera, përkatësisht çiklizmit, notit dhe atletikës.

“Edhe ju si gazetar nëse do të kishit dëshirë të jeni pjesë e garave të triatlonit, jeni të mirëseardhur. Ne nuk e ndalojmë dhe nuk bën t’i ndalohet ndonjë të riu që ka ëndërr të merret me sport. A është personale apo inat, nuk e di, por sa na takon neve, garuesit mund të marrin pjesë edhe në sportet e tjera. Por, nëse Federata e çiklizmit ka ndonjë dokument që ua ndalon, atë nuk e di, sepse nuk më takon të ndërhyj në çështjet e federatave të tjera”, ka thënë Maxhuni.