Sport

FC Prishtina zhvendoset në kampin nacional në Hajvali për dy ndeshje

Pasi nuk i është lejuar që ndeshjet e para të edicionit 2023/24 ti luaj në stadiumin “Fadil Vokrri” për shkak të gjendjes së keqe të fushës, skuadra e Prishtinës ka njoftuar për lokacionin ku do të zhvendoset përkohësisht.

Ekipi kryeqytetas ka bërë të ditur të enjten se dy ndeshjet e para si vendase të edicionit, i cili nis të shtunën, do ti luaj në kampin nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në Hajvali. Në njoftimin e klubit, thuhet se këtë kamp, Prishtina do të përballet vetëm me Feronikelin ’74 dhe Malishevën, ekipe me këto që do të përballet në kuadër të xhiros së parë, përkatësisht të tretë.

Ditë më parë, Prishtina ishte njoftuar nga Komisioni i Garave të FFK-së, se nuk do të mund të luante si vendase në stadiumin “Fadil Vokrri” për shkak të gjendjes së rënduar të fushës.

Madje, ekspertët e UEFA-s kishin rekomanduar dhe kërkuar që të rinovohet tapeti për ndeshjen që Kosova e luan ndaj Zvicrës, më 9 shtator në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.

“Dy ndeshjet e para të kampionatit, java e parë me Feronikelin dhe java e tretë me Malishevën, skuadra jonë do t’i zhvillojë në Hajvali, në kampin nacional. FC Prishtina ka pranuar këtë akt për të mirëkuptuar ndeshjet kualifikuese të Kosovës për muajin shtator”, thuhet në njoftimin e Prishtinës. Ndeshjen e parë kundër Feronikelit ’74, Prishtina e luan të shtunën prej orës 17:00.