Sport

Fazlija shpreson në rezultat pozitiv kundër Rusisë

Seleksionuesja e Kosovës, Afërdita Fazlija shpreson në rezultat pozitiv në ndeshjen kundër Rusisë të premten.

Kosova do të ndeshet me Rusinë në Wiesbaden të Gjermanisë të premten në ndeshjen e Grupit A të eliminatoreve për Evropianin 2021.

“Në përgjithësi ekipi është mirë. Jemi kompletuar, nuk kemi ndonjë lëndim dhe dy stërvitje të mërkurën shkuan mjaft mirë. Shihet një optimizëm te lojtaret. Jemi në dijeni se përballë kemi një ekip shumë të fortë, sidomos në aspektin fizik. Lojtaret e Rusisë janë shumë të shpejta po ashtu. Kemi analizuar lojën e Rusisë. Por, edhe ne i kemi pikat e forta dhe besojë që jemi të gatshme për këtë lojë. Do të mundohemi të bëjmë lojë të mirë dhe po ashtu pres edhe rezultat pozitiv”, ka thënë Fazlija për Koha.net.

Kosova zë vendin e katërt në eliminatoret për Euro 2021, me gjashtë pikë nga tre ndeshje. Grupin e kryeson Holanda me 18 pikë nga gjashtë ndeshje. Rusia është e treta me gjashtë pikë nga tre ndeshje.

Në të vërtetë ndeshja mes Kosovës e Rusisë ishte paraparë të luhej në Prishtinë më 4 tetor të vitit të kaluar, por u shty nga UEFA për shkaqe sigurie dhe u vendos që ndeshja të luhej në një vend neutral.