Sport

Falënderues ndaj Zvicrës e Kosovës, Bunjaku parashikon ndeshjen e veçantë

Albert Bunjaku nuk e ka të vështirë të flasë për momentet që i ka kaluar te Zvicra e më vonë edhe te Kosova. Por e ka të vështirë t’i ndajë ato. Thotë se Zvicra ia hapi dyert për një karrierë të madhe, ndërsa vendlindja, Kosova, i dha emocione të veçanta.

Edhe më të vështirë Bunjaku do ta ketë kur Kosova dhe Zvicra të përballen të shtunën në Prishtinë, në ndeshjen që i takon Grupit I kualifikues për “Euro 2024”.

“Gjysmën e zemrës do ta kem andej, gjysmën kah Kosova. Por, në fushë do të jem tifoz i Kosovës”, ka thënë Bunjaku për KOHËN.

Ish-sulmuesi i Zvicrës dhe Kosovës do të jetë i pranishëm në stadium. Ai tashmë e ka prerë biletën e aeroplanit. Me ftesë të Kosovës, Bunjaku do të jetë në njërën prej ulëseve VIP.

Ai e ka të vështirë ta parashikojë rezultatin. Por pret lojë të bukur nga të dyja përfaqësueset.

“Vështirë të parashikoj pasi kam luajtur për të dyja. Zvicra më ka dhënë rastin për hapat e parë në futboll. Kam luajtur në Botëror dhe gjithë familjen e kam në Zvicër. Në Kosovë kam lindur dhe e kam të vështirë t’i ndaj. Kam arsye të forta pse nuk mund t’i ndaj”, ka theksuar Bunjaku.

Bunjaku luajti për Zvicrën në Kupën e Botës në vitin 2010, ndërsa i ishte bashkuar Kosovës në vitin 2014. Luajti në miqësoren e parë zyrtare, atë ndaj Haitit. Më pas shënoi golin e parë të Kosovës në ndeshjet e njohura nga FIFA. Realizoi ndaj Turqisë në miqësore, më 21 maj të vitit 2014. Shënoi edhe golin e parë pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Më 3 qershor të vitit 2016, Bunjaku shënoi golin e parë në fitoren 2:0 ndaj Ishujve Faroe.

Në total për Kosovën ka shënuar tri gola në gjashtë ndeshje. Gjashtë ndeshje i ka luajtur edhe për Zvicrën.

Ai thotë se ka ende emocione kur shikon ndeshjet e Zvicrës dhe ato të Kosovës. Aq më tepër kur këto dy përfaqësuese do të përballen të shtunën në Prishtinë.

“Për mua ka ende emocione. Ia di për faleminderit Zvicrës që ma dha rastin të paraqitem edhe në Botëror. Por edhe për Kosovën kam shumë emocione. E mbaj mend ndeshjen kundër Haitit. Kemi ardhur katër ditë më herët, kemi vizituar gjithë vendin dhe jemi njoftuar me gjithçka”, kujton Bunjaku.

Ai nuk mendon se të njëjtat emocione i kanë edhe lojtarët aktual të Kosovës në njërën anë dhe në anën tjetër ata të Zvicrës. Për Zvicrën paraqiten Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, ndërsa janë ftuar së fundmi edhe Uran Bislimi dhe Ardon Jashari.

“Për lojtarët që janë duke luajtur aktualisht nuk është emocionale siç ishte në Zuerich. Kosova ka fituar përvojë dhe lojtarët e saj po luajnë në ligat e forta. Për Xherdanin e Granitin do të jetë pak më shumë emocionuese sesa kur luajnë kundër Rumanisë apo dikujt tjetër. Por jo edhe aq shumë sikur vitin e kaluar. Më e zbehtë. Kosova ka shkuar përpara, ka më shumë përvojë. Por emocionet nuk janë aq të mëdha”, mendon Bunjaku.

Ai thotë se Zvicra do ta ketë të vështirë ndeshjen me Kosovën.

“Më vjen mirë që këto emocione janë zbehur, sepse djemtë duhet të koncentrohen vetëm në lojë. Nuk janë emocionet e mëdha si përpara. Zvicrën e pret një lojë e vështirë sepse ndeshja luhet në Prishtina dhe Kosova do të ketë përkrahje të madhe”, ka thënë Bunjaku.

“Ka ende pikë në lojë deri në fund të ciklit. Pse Kosova të mos startoj me rikthim kundër Zvicrës? Dhe pastaj të shpresoj në fitore tjera për të arritur kualifikimin. Kosova mund të marr fitore ndaj Zvicrës”, ka theksuar Bunjaku.

Ai ka bërë karrierë të madhe, sidomos në Gjermani. Ka luajtur për Paderbornin, Erfurtin, Nurnbergun, Kaiserslauternin. Më pas u kthye në Zvicër ku luajti për St. Gallenin (2014-2017). U kthye sërish të luajë në Gjermani, tek Erzgebirge Aue, Viktoria Koelni dhe së fundi te Bonneri. Në Bundesligë shënoi 13 gola. 16 i ka në Bundesliga 2 e 15 në Superligën e Zvicrës. Golat nuk i munguan edhe në kategorinë e tretë dhe të katërt gjermane.

Bunjaku është përgatitur më herët për të ardhmen. Ai është pajisur me licenca të trajnerit, ndërsa thotë se do ta ndjekë kursin edhe për licencën “profi”. Aktualisht është duke punuar me ekipin U16 të Bayer Leverkusenit. Për ekipin e parë të Leverkusenit luan Granit Xhaka.

“Karriera si trajner po më ec shumë mirë. Para tri javësh i jam bashkuar Leverkusenit. Jam trajner i ekipit U16 të Leverkusenit. Për mua është një hap i mirë, pasi mund të mësoj shumë për karrierën time si trajner. Xhakën ende nuk e kam parë, por shpresoj ta shoh shpejtë. Aktualisht e kam Licencën B + dhe do të lajmërohem për licencën A. Pasi të pajisem me A, do ta marrë sa më shpejtë ‘Uefa Pro’. Synimi im është të punoj si trajner në Ligën e parë apo të dytë”, ka thënë Bunjaku.

Por ta udhëheqë Kosovën apo Zvicrën, do të ishte arritje madhështore për Bunjakun.