Katër garues, katër medalje. Më mirë do të ishte e vështirë edhe të mendohej.
Kampionati i parë i Hapur Evropian i Xhudos për Kosovën ishte më se i suksesshëm. U organizua në Kosovë dhe u dominua nga Kosova.
Akil Gjakova fitoi medaljen e artë te xhudistët. Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Dardan Cena fituan medalje të bronzta. Medaljet nuk ishin suksesi i vetëm.
Palestra në Pallatin e Rinisë në Prishtinë ishte e mbushur me shikues për bllokun final. Atmosfera e zjarrtë, sidomos kur në tatami ishin xhudistët kosovarë. Organizimi i suksesshëm.
Evropiani i Hapur është garë e re e Unionit Evropian të Xhudos. U startua me Kosovën dhe u dëshmua si ngjarje e qëlluar.
Xhudistët kanë garuar në kategorinë deri 73 kilogramë. Xhudistet në kategorinë deri 57 kilogramë. Ishin 40 xhudistë nga 26 vende evropiane. Vetëm Kosova kishte të drejtën e përfaqësimit me dy xhudistë e dy xhudiste. Vendet tjera e kishin të drejtën e një xhudisti dhe një xhudisteje.
Te xhudistët konkurrenca ishte dukshëm më e fortë. Morën pjesë xhudistët që aktualisht janë më të mirët në Evropë në kategorinë deri 73 kilogramë. Ishte xhudisti më i ranguar në botë, Hidayat Heydarov i Azerbajxhanit. Ishte edhe fituesi i tri medaljeve olimpike, gjeorgjiani Lasha Shavdatuashvili. Pastaj italiani Manuel Lombardo, moldavi Petru Pelivan e spanjolli Salvador Cases Roca. Akil Gjakova ishte vetëm bartësi i tetë.
Por rreshtoi fitoret dhe festoi në fund gjatë e me pasion. E mposhti kroatin Robert Klacar, e më pas austriakun Lukas Reiter. Në çerekfinale e kaloi bartësin e parë, Heydarovin. Pelivanin moldav e mposhti në gjysmëfinale dhe festoi gjatë. Finalja me Lombardon e Italisë ishte e gjatë dhe e fortë. Por përfundoi në të mirë të Akilit dhe për festën e shikuesve të shumtë në tribuna.
“Sot për mua ka qenë një ditë e veçantë, ndoshta më e veçanta në karrierë deri tash. Emocionet dhe gjithçka tjetër ka qenë shumë e veçantë, për të performuar para publikut tënd, para Kosovës, para familjarëve, para të dashurve, para shokëve. Do të thotë për mua ka qenë pak e vështirë. Kam pasur shumë emocione gjatë ditës, sidomos në dy luftërat e para kam pasur edhe pak stres. Por, po mendoj që pas atyre dy luftërave, jam liruar pak. Prej mëngjesit jam ndier shumë mirë me formë dhe në luftën e tretë kundër garuesit Heydarov, katër humbje i kam pasur nga ai më herët, ndërsa sot arrita të fitoj ndaj tij. Është kampion botëror, është kampion evropian, i ka të gjitha medaljet. Kështu që pas tij e mora një vetëbesim edhe më të madh dhe arrita të triumfojë edhe në finale. Nuk di ta përshkruajë se si po ndihem. Jam shumë i lumtur”, ka thënë Akil Gjakova.
Në Evropianin e rregullt ai kishte fituar medaljen e bronztë. Në Evropianin e parë të Hapur fitoi të artën dhe dëshmoi që është kthyer në nivelin më të lartë. Madje në një moment shumë të rëndësishëm.
“Sinjali më i mirë është për Lojërat Olimpike në një kategori shumë të vështirë. Kur arrin t'i mposhtësh krejt këta të nivelit më të lartë, sinjali është i mirë. Edhe motivi do të jetë më i madh për të ushtruar dhe për të marrë medalje në Paris”, ka shtuar Gjakova.

Dardan Cena nuk është llogaritur fare kur janë përmendur pretendentët për medalje. Por ai shfaqi potencialin. Fitoi dy luftërat e para, ndërsa u ndal nga Lombardo në çerekfinale. Repesazhin e shfrytëzoi maksimalisht. Fitoi ndaj bullgarit Mark Hristov dhe Pelivanit nga Moldavia për vend në podium. Heydarovi e fitoi medaljen tjetër të bronztë.
Te xhudistet kishte më pak konkurrencë. Distria ishte bartësja e parë dhe Nora bartësja e dytë. Gjasat ishin që ato të përballen në finale. Por në fund e ndanë podiumin, duke fituar të dyja medalje të bronzta.
Si bartëse e parë dhe pasi ishin vetëm 15 xhudiste, Distria nisi prej çerekfinales. E kaloi bullgaren Ivelina Ilieva për vetëm tetë sekonda. Më pas u mposht nga izraelitja Timna Nelson Levy.
Për të bronztë, Distria zhvilloi luftë të fortë dhe e mposhti sllovene Kaja Kajzer me uazari.
Paraqitja e parë para shikuesve kosovarë në një ngjarje madhore solli emocionet e veçanta edhe për Distrinë. Ajo garon në kategorinë deri 52 kg, por e kishte të drejtën e paraqitjes në Evropianin e Hapur. Të drejtë gare kishin xhudistet e kategorive deri 48 kg, 52 kg e 57 kg. Distria ishte e vetmja e një kategorie tjetër.
Normal se kemi qenë pak me emocione. Por, gjithashtu kemi qenë edhe më të motivuar. Është hera e parë që është mbajtur një garë kaq e madhe në Kosovë. Gjithçka ka shkuar në mënyrë të përkryer. Organizimi ka qenë i shkëlqyer. Gjithçka ka shkuar në rrugën e duhur. Jam shumë e lumtur për medaljen e artë të Akilit, na është dashur një medalje e artë sot, për ta dëgjuar himnin e Kosovës, në Kosovë, për herë të parë në këto gara kaq të mëdha. Kështu që jam e lumtur edhe me performancën time dhe me medaljen time. Është medalja ime e parë në kategorinë deri në 57 kilogramë. Kam pritur të kem ndeshje të mira, por edhe nëse nuk do të merrja medalje, nuk do të ishte befasi, sepse është hera e parë që po garoj, por, jam shumë e lumtur”, ka theksuar Distria Krasniqi.

Nora nisi me dy fitore, ndërsa më pas humbi nga gjeorgjiania Eteri Liparteliani në gjysmëfinale. Për të bronztë e mposhti francezen Priscilla Gneto.
Paraqitja para shikuesve kosovarë solli presion shtesë te Nora.
Ishte një ditë shumë e vështirë. Marr pjesë në shumë gara dhe kam shumë eksperiencë, por me të vërtetë kjo ka qenë diçka më ndryshe, presion tjetër. Pak e ngarkuar normalisht, sepse ishte hera e parë që kemi performuar në garë të madhe para gjithë Kosovës. Por, prapëseprapë jam shumë e kënaqur me përfundimin, jo vetëm për veten por në përgjithësi për gjithë ekipin. Ka qenë shumë e veçantë. Nuk e di, nuk më ka ndodhur sepse zakonisht i menaxhoj shumë mirë emocionet para garave. Por kësaj radhe pak a shumë më kanë marrë me vete. Por, gjithçka shkoi mirë. Të përfundosh me medalje në garë të tillë është sukses dhe shpresoj që suksese të tilla të na përcjellin”, ka theksuar Nora Gjakova.
Liparteliani fitoi medaljen e artë, ndërsa Nelson Levy të argjendtën.
Akil Gjakova e Eteri Liparteliani u shpërblyen me nga 55 mijë euro. Finalistët morën nga 35 mijë euro, ndërsa fituesit e medaljeve të bronzta nga 20 mijë euro. Shpërblim të majmë financiar, nga 10 mijë euro, kishte për xhudistët që përfunduan në pozitën e pestë.
Gjithsej fondi shpërblyes ishte 300 mijë euro. Kjo e ka bërë të veçantë Evropianin e Hapur në Prishtinë. Në garat e tjera të xhudos nuk ofrohen kaq shumë para.
Evropiani në Prishtinë ka konfirmuar që Kosova është vend i xhudos elitare, e po ashtu që trajneri Driton Kuka është prej më të mirëve në botë, nëse jo më i miri.
Dua t'jua jap një fakt interesant. Sot pas bllokut preliminar, diku kah ora 14:00 kur përfundoi, deri në orën 17:00, në dhomën time vetëm kam ecur, diçka që nuk më ka ndodhur asnjëherë në jetë. Arsyeja, nuk e di. Një stres pak më ndryshe, një stres i jashtëzakonshëm. Por, në fund doli diçka e jashtëzakonshme, sepse realisht kemi pritur që të kemi ndoshta njërën prej vajzave në finale. Por, si duket vajzat këtu para publikut të vet, e patën një ngarkesë më ndryshe. Ndërsa, krejt e kundërta ishte me meshkujt. Dhe ta mposhtësh Heydarovin, ta mposhtësh Pelivanin, të cilët garues, Akili kurrë nuk i ka mposhtur. Do të thotë, gjithçka është e jashtëzakonshme. Për mua ishte përvojë e re, eksperiencë e re. Normal, tash unë po ndihem jashtëzakonisht mirë dhe e di që ky sukses në vendin tonë çon peshë shumë më shumë. Por, të them të drejtën, i kam pasur disa orë pak të çuditshme, dhe nuk e di se a do të doja të kisha dëshirë më të kem një event të tillë, sepse për mua ishte shumë stres i madh. Mund ta krahasoj ngarkesën dhe stresin, ndoshta edhe më të madh se në Lojërat Olimpike”, ka thënë Driton Kuka.
Evropiani i Hapur u mbajt në kuadër të programit “Kosova shtet i xhudos”. Dhe Kosova u dëshmua si vend i xhudos.