Në rolin e kapitenit, Etrit Berisha ka udhëhequr nga porta fitoren e madhe të Shqipërisë ndaj Hungarisë, të shtunën mbrëma në “Pushkash Arena” në Budapest.
Shqipëria fitoi 1:0 me golin e Armando Brojës, ndërsa Berisha ka shfaqur stabilitet dhe është shquar si kapiten i vërtetë me këshillat për bashkëlojtarët. Shqipëria ka ruajtur vendin e dytë në grupin I të kualifikimeve për “Botërorin 2022”, ndërsa ndeshjen vendimtare për ta mbajtur deri në fund këtë pozitë, do ta ketë të martën.
Në Tiranë, Shqipëria e pret Poloninë e Robert Lewandowskit, që është e treta në grup me 14 pikë. Shqipëria i ka 15 pikë, ndërsa udhëheq Anglia me 19 pikë. Më mbrapa ka mbetur Hungaria me 10 pikë. Në nëntor të gjitha përfaqësueset i kanë edhe nga dy ndeshje të tjera, kështu që sfida me Poloninë vlerësohet vendimtare për rangimin e Shqipërisë. Kuqezinjve u duhet fitorja për ta mbajtur vendin e dytë, që dërgon në barazh për kualifikim në Botëror.
“Jemi të kënaqur me ecurinë dhe me ndeshjet që po bëjmë. Po arrijmë të luajmë mirë, po krijojmë shumë raste e që më herët kjo nuk ka ndodhur. Dhe mbi të gjitha jemi shumë mirë edhe në fazën defanzive”, ka thënë Etrit Berisha të dielën për KOHËN.
Gardiani prishtinas pranon se fitorja në Budapest ka rëndësi të madhe edhe për të ardhmen. Ky tashmë po vlerësohet cikli më i suksesshëm eliminator që ka pasur Shqipëria.
“Ndeshja ndaj Hungarisë na i ka shtuar edhe më shumë shpresat për një kualifikim të mundshëm, edhe pse do të jetë gjithmonë e më vështirë. Por prapë se prapë, ky grup mund të bëjë gjëra të mëdha. Ndeshja e mbrëmshme na e dha shansin të luajmë finalen, që e kemi në shtëpinë tonë. Do të mundohemi të konsolidohemi dhe të jemi gati për finalen e madhe”, ka theksuar Berisha.
Stadiumi “Air Albania” pritet të jetë i stërmbushur me shikues për ndeshjen e së martës që zhvillohet nga ora 20:45.
“Të luash këtë ndeshje në shtëpi është edhe më mirë. E kemi mbështetjen e madhe të tifozëve tanë fantastikë, të cilët na kanë përkrahur gjithmonë dhe vazhdojnë të na përkrahin. Duke marrë parasysh që vijmë nga një situatë e mirë, atëherë mendoj që fitorja është një mundësi reale për ne”, ka thënë Berisha.
Shqipëria nuk ka luajtur në Botëror dhe nuk ka qenë në fazën e plejofit deri më tani. Por tashmë e ka në dorë fatin e saj për kualifikim.
Shumë pritet edhe nga Berisha, që gradualisht po ngrihet në listën e lojtarëve me më së shumti paraqitje për kuqezinjtë.
Me aktivizimin ndaj Hungarisë, 32-vjeçari ka dalë në vendin e nëntë në listën e lojtarëve me më së shumti ndeshje për Shqipërinë. I ka tashmë 69 ndeshje, një më shumë se Igli Tare që ka rënë në vendin e dhjetë. Me paraqitje ndaj Polonisë, Berisha do të barazohej me Andi Lilën që i ka 70 paraqitje. Më së shumti ndeshje për Shqipërinë ka Lorik Cana, gjithsej 93. Prej portierëve vetëm Foto Strakosha qëndron para Berishës, por jo edhe për shumë gjatë. Legjenda Strakosha i ka 73 ndeshje, të cilat i ka zhvilluar prej vitit 1990 e deri në vitin 2004. Berisha ka nisur të luajë për Shqipërinë në vitin 2012.
“Gjëja më e rëndësishme dhe kënaqësia më e madhe në karrierën e një lojtari është t’i përfaqësojë ngjyrat e Kombëtares së tij. Unë e kam këtë fat dhe mundohem gjithmonë që të jap maksimumin për këtë fanellë dhe për këto ngjyra me të cilat jam rritur. Është një ndeshje e madhe për mua dhe shpresoj të kemi sa më shumë suksese”, ka thënë kapiteni i Shqipërisë, Etrit Berisha.