Sport

Eroll Salihu u shkruan drejtuesve të FFK-së: Kuvendi i jashtëligjshëm

Ish-sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, u ka shkruar të enjten anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës si dhe kryetarit të FFK-së, Agim Ademi. Salihu, që tani mban post tjetër në FFK, ka shkruar letër të gjatë për anëtarët e KE-së.

Salihu, njohës i mirë i çështjeve juridike, ka vlerësuar se thirrja e Kuvendit Zgjedhor nga ana e KE të FFK-së, është bërë në mënyrë të jashtëligjshme.

Kjo vlerësohet goditje e rëndë ndaj vendimit të Ademit dhe Komitetit Ekzekutiv, ndaj shumicës së anëtarëve të të cilit i pari i FFK-së ka kontroll të plotë.

“Vendimi i shpallur dje në ëeb-faqen zyrtare të FFK-së tregoi edhe një herë për moskokëçarjen tuaj as për Statut, as për Ligj e lere më për norma etike e morale apo ‘për të mirën’ e futbollit siç e quani ju nganjëherë. Nuk mund ta kuptojë këtë shkelje pa kurrfarë baze dhe nevoje”, thuhet në fillim të letrës, të cilën e ka siguruar edhe KOHA nga burime të saj të afërta me FFK-në.

KOHA nuk ka mundur të flas me Salihun për këtë letër. Ai nuk e ka hapur telefonin.

“Zgjedhjet për kryetarë dhe anëtarë të KE-së duhet të jenë të shenjta sepse vota e lirë është instrumenti më demokratik për ata që harxhojnë mijëra e disa edhe miliona euro. Thirrja e këtij Kuvendi zgjedhor në mënyrë të jashtë ligjshme është e tillë sepse:

Kuvendi zgjedhor është i paracaktuar me datë 3 Korrik 2022 kur mbushen 4 vjet;

Formalisht, Kuvendi duhet të thirrët 2 muaj më herët;

Mandati i kryetarit zgjatë 4 vjet e jo 3.5 vjet;

Mandati i kryetarit përfundon me vdekjen e tij, me dorëheqje, me shkarkimin e tij nga Kuvendi i FFK-së, me dënimin e Gjykatës me Akt-gjykim të plotfuqishëm (gjë që ka ndodhur) apo ndonjë rast tjetër të paraparë me Ligj;

Në këtë rast mund të konvokohet vetëm Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor dhe atë nëse ndonjë kusht i lartpërmendur është imponuar. Askund nuk shkruan se Kuvendi zgjedhor i rregullt mund të mbahet më herët, dhe më e rëndësishmja,

Në muajin Korrik struktura e delegatëve ndryshon: ekipet e Superligës bien nga liga dhe u mbetet vetëm nga një votë ndërsa ekipet që hyjnë e kanë një votë më shumë”, thuhet ndër të tjera në letrën e Salihut për Komitetin Ekzekutiv të FFK-së.

Salihu tani mban postin e drejtorit të përgjithshëm sportiv dhe atë të këshilltarit të lartë ligjor në FFK. Ai për kohë të gjatë ka papajtueshmëri me Agim Ademin.

Ai edhe më herët kishte dërguar një letër të tillë te anëtarët e Komitetit Ekzekutiv.