Eroll Salihu ka hedhur akuza të rënda në drejtim të kryetarit aktual të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi. Të dielën në “Sportin Total” të Kohavisionit, ish-sekretari i FFK-së, që tani e mban pozitën e drejtorit të përgjithshëm dhe këshilltarit të lartë ligjor, ka thënë se asgjë në FFK nuk ka shkuar mirë në këta tre vjetët e fundit, sa është Ademi në krye të këtij institucioni. Këto akuza të Salihut vijnë pas shpalljes së zgjedhjeve për kryetar të ri të FFK-së, që do të mbahen më 6 prill. Sipas tij, emëruesi i përbashkët i të gjitha problemeve është Agim Ademi, të cilin Salihu e kishte përkrahur që të zgjidhej në krye të FFK-së.
“Asgjë nuk ka shkuar mirë tashmë tre vjet në FFK. Gjithmonë probleme, me vota, me gjykime e me çdo lloj pengese. Ne kemi tentuar të gjitha që t’i kalojmë, por emëruesi i përbashkët i të gjitha problemeve është Agim Ademi. Ai nuk duhet me u hidhërua nga unë e as nga askush. Nuk jemi ne fajtorë që ai ka probleme me ligjin. Ne e kemi përkrahur të gjithë, por ai i ka tejkaluar të gjitha”, u shpreh Salihu.
Ai u ka bërë thirrje delegatëve të klubeve që të mos marrin pjesë muajin tjetër në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së. Salihu insiston se Kuvendi i thirrur është i paligjshëm. Sipas tij, Kuvendi Zgjedhor duhet të mbahet më 6 korrik dhe jo më 6 prill siç është thirrur.
“Unë i kisha ftuar klubet që mos me iu përgjigj Kuvendit që është caktuar më 6 prill, sepse është i jashtëligjshëm. Unë mendoj që Kuvendi duhet të mbahet më 6 korrik. Çdo ankesë e çdo klubi që i mohohet vota në korrik ka drejtë me iu drejtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komisionit të Arbitrazhit Sportiv ku unë jam kryetar, por edhe FIFA-s dhe UEFA-s, e po ashtu edhe Gjykatës Themelore. Askush nuk e kupton se pse po bëhet kjo me dallavere, kur mund të bëhet me rregull. Qe dy muaj është duke shkuar prej një klubi në klubin tjetër për të kërkuar vota për mbështetje në Kuvend pa u shpallur fare dhe kjo është shkelje e rëndë e detyrës zyrtare”, shtoi Salihu, i cili ia ka shkruar tri letra Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.
Madje, Salihu thotë se ka gjasa të mëdha që tashmë është suspenduar nga pozitat që i ka mbajtur pas largimit nga posti i sekretarit të përgjithshëm të FFK-së.
“Letra e parë ka qenë për me e evituar problemin dhe me e shpall Kuvendin me rregull, kurse letra e dytë ka qenë kur e kam parë që nuk ka kurrfarë reagimi. Paramendoni, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv nuk kanë guxim me u mbledh edhe me thënë, ‘Eroll e ke gabim’. Unë i kam lutur që të takohemi të hënën, por më duket që ai e ka mbledhur Komitetin dhe më kanë suspenduar me sa e dëgjova. Sigurisht unë do t’i ndjek rrugët ligjore nëse jam suspenduar”, u shpreh Salihu.
Ademin e ka dënuar edhe UEFA
Salihu insiston se Komiteti Ekzekutiv i FFK-së është organi që e ka mbajtur kryetarin Ademi edhe kur ai ishte i dënuar me burgim efektiv. Agim Ademi ishte dënuar me nëntë muaj burgim efektiv për veprën penale “detyrim në tentativë”. Por rastin e kishte kthyer në rigjykim Gjykata Supreme në vitin e kaluar. Sipas tij, KE-ja ka mundur t’i shpallë zgjedhjet në ditën kur vendimi është bërë i ditur për Ademin.
“Agim Ademi ka qenë i dënuar me burgim efektiv, por Komiteti Ekzekutiv e ka shtyrë duke e mbajtur. Komiteti ka mundur t’i shpallë zgjedhjet në ditën e parë që Gjykata e Apelit e ka shpallur vendimin me burim efektiv. Ai diku katër muaj ka qëndruar në pozitë duke e shkelur statutin”, tha Salihu.
Madje, Salihu thekson se Ademi ka qenë i dënuar edhe nga Shtëpia Evropiane e Futbollit - UEFA për dy vjet e gjysmë. Ishte kreu i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ai që ia kishte kërkuar dorëheqjen.
“Edhe Çeferini i ka thënë që duhet të japësh dorëheqje, edhe pse ai e ka përdorur kinse Çeferini e ka mbështetur, por kjo është e pavërtetë. Agim Ademit i është hapur një procedurë nga një gjykatëse e Turqisë dhe kur mediat më kanë pyetur dhe e dini që klubet nuk kanë dashur as të flasin me kryetarin e as Komitetin, por vetëm me mua. Unë iu kam thënë klubeve që nuk ka asnjë letër në FFK prej UEFA-s, por faktikisht ai e kishte fshehur letrën prej meje duke iu thënë që as Erollit mos ia dërgoni, por unë jam anëtar i Komisionit Ligjor të UEFA-s. Hapja e procedurës disiplinore ishte për arsye që ai nuk jepte dorëheqje. Pas kësaj Komisioni Disiplinor i UEFA-s e ka dënuar me dy vjet e gjysmë largim nga të gjitha funksionet e futbollit për shkelje të rënda të parimeve”, zbuloi ai.
Salihu mohon të ketë pasur konflikt fizik, por e pranon se mosmarrëveshjet mes tij dhe Ademit kanë lindur më herët. Gjithçka nisi për shkak të akteve normative, dhe ka dëshmitarë për fjalosjen e rëndë që e kanë pasur mes vete.
“Konflikti ynë i parë ka lindur për shkak të akteve normative. Më tregonte mua çka duhet për një transferim, pasi ai klubi kishte problem me Agimin. Kemi pasur fjalë të rënda, por jo konflikt fizik. Janë pesë dëshmitarë, edhe një prokuror ka qenë aty. Hera e dytë ka qenë në Antalia. Ai e dinte se si të më provokonte. Tha dua ta emëroj një shef të shërbimeve ligjore, një avokat të cilin ne e kishim angazhuar të na përfaqësojë në konteste, është fjala për ushtruesin e detyrës së sekretarit që është sot, Taulant Hodajn”, shprehet Salihu. “Unë i thashë se pse po më provokon, sepse ti nuk mund ta emërosh, unë jam sekretar gjeneral dhe nuk mundet avokati me e krye punën e shefit të shërbimit ligjor pasi është konflikt i rëndë interesi, madje këtij ia marrin licencën dhe aty jemi fjalosur. Komiteti më të vërtetë është i dobët. Janë njerëz të mirë, por nuk duan të marrin asnjë vendim. Por do të marrin përgjegjësi, sepse mendoj që do të dalin disa gjëra në shesh”, deklaroi ish-sekretari i FFK-së.
Në FFK nuk ka transparencë
Ai insiston se në Federatë nuk ka transparencë dhe se Komiteti Ekzekutiv nuk di asgjë se si harxhohen mjetet financiare. Salihu thotë se Ademi ka bërë keqpërdorim zyrtar për shkak se u ka dhënë klubeve para përpara zgjedhjeve.
“Nëse hyni në xhirollogari të FFK-së e shihni se klubeve tani u kanë dhënë me qindra mijëra euro. Kjo ka ndodhur para zgjedhjeve dhe është keqpërdorim zyrtar. Nuk ka transparencë. Thirre një anëtar të Komitetit Ekzekutiv dhe nuk e di askush. Ata e marrin vetëm një rrogë dhe asgjë”, theksoi Salihu.
Njohësi i çështjeve juridike, Salihu, zbulon edhe përplasjen që Agim Ademi e ka pasur me ish-zëvendëssekretarin Arianit Ahmeti.
“Agimi ka pasur përçarje me Arianitin dhe me një grup personash pikërisht për shkak të tenderëve me fusha. Gjashtë fusha kanë qenë të Federatës dhe gjashtë të tjera të Ministrisë, dhe ai personi që ka qenë i kontraktuar ka kërkuar që t’i marrë edhe këto gjashtë fushat e tjera. Këtu ka lindur ai mospajtimi dhe unë nuk kam dashur të hyj në mes, sepse nuk i kam takuar asnjë grupi. Arianiti është larguar nga puna për shkak të pretendimeve të tij për t’u bërë kryetar”, deklaroi Salihu, i cili thotë se imazhi i FFK-së është shumë i ulët. “Është vështirë me e udhëheq një person FFK-në që ka aktakuzë qe dhjetë e më shumë vjet. Plus ka edhe shumë akuza të tjera. Tre vjet në FFK flitet vetëm për këto gjëra. Ka pasur edhe shantazhe të vogla. Imazhi i FFK-së ka rënë në pikën zero".
Eroll Salihu krenohet që ka arritur ta ndalojë kurdisjen e një ndeshjeje të Përfaqësueses U21 të Kosovës në Antalia. Thotë se është tragjedi e madhe që kryetari i FFK-së të hetohet për kurdisje dhe se për këtë ka fakte. Po ashtu, Salihu ka shtuar se gjatë kësaj periudhe është shantazhuar, madje edhe incizuar.
“Për hir të hetimeve që janë duke u bërë nuk mund të flas më shumë, por unë e kam ndalur atë ndeshje me dhimbje të madhe. Është tragjedi nacionale me u hetuar një kryetar për kurdisje. Ka fakte dhe kush i ka duhet t’i publikojë. Kjo ka ndodhur pak para se Kosova të pranohej në UEFA dhe FIFA. Unë e kam ndaluar, por nuk e kam iniciuar rastin”, thotë Salihu, i cili insiston se kurrë më nuk do ta mbështesë Agim Ademin. “Unë nuk jam pjesë e asnjë grupi. Agim Ademi edhe 100 vjet me jetu, nuk do ta mbështes kurrë më, kurrë. Nuk po e marr në aspektin personal, por në aspektin e institucionit. Ka pasur gjëra të vogla që janë normale. Nuk mund të reagosh për gjëra që mund t’i kryesh vetë. Ka pasur incizime. Më kanë incizuar edhe shokët e mi më të cilët kam qenë bashkë një kohë, ata më kanë incizuar dhe ia kanë dërguar Agim Ademit dhe më kanë përcjellë edhe me kamera”.