Sport

Ermal Krasniqi synon dy trofe me Clujin

Ermal Krasniqi - CFR Cluj

Se është më se i denjë për një kampionat si ai i Rumanisë, Ermal Krasniqi ka dëshmuar që në ndeshjen e parë. 24-vjeçari kishte debutuar me gol e asistim te CFR Cluji, që kishte fituar 3:0 në udhëtim ndaj Farul Constanta. Nuk ishte kundërshtar i zakonshëm. Ishte rivali kryesor për titull. Aktualisht Farul Constanca mban vendin e parë në elitën e Rumanisë, ndërsa Cluji të dytin.

Krasniqi nuk shkëlqeu vetëm në atë ndeshje të 23 janarit. Prej atëherë është shquar edhe në shumë ndeshje të tjera të Clujit. Emri i tij është në listën e dëshirave të shumë skuadrave nga Serie A, por edhe të ligave të tjera të mëdha evropiane. Qëndrimi i Krasniqit te Cluji rumun nuk pritet të jetë i gjatë. Krasniqi është i lumtur për vlerësimet pozitive që po merr, por edhe më tepër që e ka bindur veten se është i denjë për nivelin serioz evropian.

“Kam punuar jashtëzakonisht shumë për këtë moment. Ka ekzistuar pak frika e fillimit të një ekip i ri, ambient i ri, shteti i ri. Nuk e kam njohur askënd në ekip, por përkushtimi, dëshira dhe ambicia që kam pasur prej momentit të parë më kanë bërë që të besoj se jam i gatshëm për një udhëtim të suksesshëm në karrierë”, ka thënë Ermal Krasniqi për KOHËN.

Ai për herë të parë po luan jashtë Kosovës. Ishte në disa skuadra të vendit, por shkëlqimin malishevasi e gjeti te Ballkani. Pos që fitoi titullin, u paraqit mirë edhe në garat evropiane dhe kjo i solli kalimin te Cluji rumun. Transferimi u zyrtarizuar më 10 janar, më pak se dy javë para debutimit plot shkëlqim.

Pozita e titullarit të Krasniqit as që diskutohet, ndërsa te Cluji kanë shprehur drojën se do të mbesin shpejt pa shërbimet e Krasniqit.

“Paraqitjet evropiane me Ballkanin më kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Ishin paraqitje që i kam kërkuar për ta bindur veten se jam i gatshëm për të bërë hapin drejt një kampionati më të fortë evropian. Përvoja në atë ndeshje më ka plotësuar si lojtar”, thotë Krasniqi.

Te Cluji ka luajtur 13 ndeshje kampionale deri më tani. Ka katër gola e dy asistime. Asistimin e fundit e bëri të shtunën në një tjetër fitore të rëndësishme.

“Te Cluji kam pasur shumë momente të mira, prej se i jam bashkuar skuadrës. Do të veçoja debutimin kundër Farulit, që e kemi rival direkt për titull, ku shënova gol dhe asistova. Po ashtu dy paraqitjet ndaj Lazios ishin shumë pozitiv dhe ishin momente të veçanta për mua. Me Clujin jemi në garë për dy trofetë dhe deri në fund do të luftojmë. Kjo është filozofia e klubit. Jemi në gjysmëfinale të Kupës, ndërsa në kampionat na pret punë e vështirë pasi kemi mbetur pak prapa Farulit. Por do të luajmë dy ndeshje në plejof ndaj kësaj skuadre dhe shpresojmë që të vendosim fatin e titullit në favorin tonë. Në fakt, shpresojmë për dy trofetë”, ka theksuar Ermal Krasniqi.

Më 26 prill Cluji në gjysmëfinale të kupës së Rumanisë luan me Sepsin.

Në kampionat, Farul Contanta ka një pikë më shumë e një ndeshje më pak se Cluji.

Ndonëse nisi fuqishëm aventurën në Rumani, Krasniqi nuk u ftua te Kosova për ndeshjet e marsit. Ai ka pritur ftesë nga selektori Alain Giresse.

“Kam pasur fillim shumë të mirë të aventurës në Rumani dhe kam pasur shpresë që do të ftohem. Unë natyrisht e respektoj vendimin e trajnerit. Mora një paraftesë, por jo ftesë zyrtare. Sa u takon ndeshjeve që vijnë në qershor, e imja është të punoj dhe të vazhdoj me paraqitje pozitive me ekipin. I takon selektorit të vendosë dhe besoj që ai vlerëson më së miri”, deklarohet i matur Ermal Krasniqi.

Ai nuk flet për interesimin e skuadrave të tjera. Thotë se më këtë punë merret menaxheri Kastriot Telaku.

“Fokusi është te paraqitjet në ndeshjet që na kanë mbetur. Synimi im është natyrisht të ngrihem sa më lart në karrierë. Kam besim te vetja dhe e di që mundem. Por momentalisht mendoj vetëm se si t’i fitoj dy trofetë me Clujin, më pas do të shohim”, ka thënë Krasniqi.

Ai tashmë po vlerësohet model se si edhe nga futbolli kosovar mund të arrihen nivele serioze të futbollit ndërkombëtar.