Sport

Ermal Krasniqi, futbollisti që gjeti rehatinë dhe shpërthimin te Ballkani

Ermal Krasniqi është 22-vjeçar dhe është pjesë e klubit futbollistik Ballkani. Ai është shndërruar në njërin prej futbollistëve më të papërshtatshëm në Superligën e Kosovës në futboll për kundërshtarët.

Karriera e tij futbollistike ka nisur vonë, e vonë është vërejtur edhe talenti i tij. Ka ndërruar disa skuadra deri sa gjeti rehatinë te klubi nga Suhareka. Madje, vitin e kaluar ishte shumë afër që të shpallej edhe kampion i Kosovës.

Krasniqi pranon se as që ka pritur se kaq shpejt do të mund të kthehet në njërin prej futbollistëve kryesorë te skuadra e elitës së futbollit kosovar. Por, ka besuar fuqishëm në punën të cilën e ka bërë kokulur gjatë këtyre viteve dhe i është falënderues trajnerit Ismet Munishi.

Në fakt, karriera e Krasniqit ka nisur para katër vjetësh. Ishte 18 vjeç dhe si junior, është dashur të luajë me grupmoshën U19.

“Ka qenë viti më i vështirë për mua pasi më është dashur të inkuadrohem direkt në lojë me grupmoshën U19, pasi që mosha ishte më e madhe dhe nuk kam pasur përgatitjen e duhur. Ishte dëshirë e imja të luaja futboll edhe pse kushtet ma pamundësuan që të stërvitesha më herët”, kujton fillimet e karrierës Ermali.

Futbollisti i krahut të majtë, vjen nga fshati Tërpezë e Malishevës. Ai ka sakrifikuar shumë pasi klubi i tij i parë ka qenë Feronikeli. Udhëtimet e përditshme e të mundimshme me autobusë deri në Drenas dhe anasjelltas, përkundrazi, thotë se e kanë bërë edhe më të fortë. Synimi i tij ka qenë i qartë, ani pse i ri në moshë.

“Karrierën si futbollist i rregullt e kam filluar te KF Feronikeli, te grupmosha U19. Qëndrova për një vit aty. Kam bërë sakrificë të madhe. Kam udhëtuar çdo ditë me autobus. Kam pasur lodhje para çdo stërvitjeje dhe ndeshjeje”, zbulon ai. Mirëpo, ai i është falënderues edhe një menaxheri, që po ashtu vjen nga i njëjti vend.

Krasniqi nënvizon se po të mos ishte ai, ndoshta karriera e tij nuk do të ishte e njëjta që është sot. “Një vit kam qëndruar te KF Feronikeli, më pas ndryshoi gjithçka. Mu ofrua ndihmë nga menaxheri Kastriot Telaku, një vendas i imi, i cili aktualisht është drejtor te KF Malisheva. U transferova në ligën e dytë me KF Malishevën.

Pata një vit me 36 gola dhe kjo bëri që të ketë interesim për mua”, thotë Krasniqi, i cili hapin e radhës e pati menjëherë në Superligë te skuadra e Llapit.

Rëniet dhe ngritjet me kalimin te Llapi, Krasniqi ka besuar fuqishëm se karriera e tij do të lulëzojë. Nuk ndodhi ashtu. Atë kohë, dëmtimi i rëndë i meniskut në gju bëri që Krasniqi të qëndrojë jashtë fushës për pesë muaj të plotë, periudhë kjo e vështirë.

“Ishte sfidë, por mua vetëm më ka bërë më të fortë, kam punuar shumë në atë aspekt që të kthehem edhe më i fortë”, thotë Krasniqi me krenari. Lëndimi i tij bëri që vetëm gjashtë muaj të zgjasë bashkëpunimi me ekipin nga Podujeva.

Dhe, prej Llapit ai bëri lëvizjen e radhës te skuadra tjetër e Superligës, Ferizaj. Atëbotë, Ferizaj i shpëtoi rënies nga liga, ndërsa Krasniqi me paraqitjet që pati, tërhoqi vëmendjen e skuadrave të tjera që kishin apetite për titullin e kampionit.

“Në janar të vitit 2019 u transferova te Ferizaj. Për mua ka qenë eksperiencë shumë e mirë. Luajta shumë ndeshje dhe kisha mundësi ta ndihmoja ekipin për të mbetur në ligë”, shprehet Krasniqi, i cili në atë edicion realizoi gjashtë gola në 11 paraqitje kampionale. Fat në fatkeqësi.

Kalimi te skuadra e Ballkanit në fillim të edicionit 2019/20 shënoi një tjetër ngritje në karrierën e Ermalit. Përkundër ofertave të shumta, ai zgjodhi Ballkanin për shkak se i kishte pëlqyer projekti i suharekasve. Edhe pse e kishte parasysh konkurrencën e fortë për një vend titullari, Krasniqi nuk hezitoi t’i bashkohet Ballkanit për shkak se dëshironte ta sfidonte veten – të punojë dhe të sigurojë minutazhë të mjaftueshme.

“I besova projektit të Ballkanit dhe presidentit të klubit, Arsim Kabashi. Arritëm marrëveshje për dy vjet duke e ditur se ambiciet e klubit ishin të mëdha dhe kishte konkurrencë të madhe, e pikërisht në poz itën time ku ishte Arbër Hoxha. Ai kishte formë të jashtëzakonshme dhe kisha pak hapësirë. Kështu që, më është dashur të punoj fort dhe të pres momentin tim”.

Megjithatë, momenti i Krasniqit erdhi, por pas fatit të keq që e pati Hoxha. Ky i fundit, këputi ligamentet e gjurit më 21 qershor, në seancën e fundit stërvitore para duelit me Trepçën ’89. Hoxha po vazhdon edhe këtë edicion t’i mungojë Ballkanit, por boshllëkun e lënë nga ai, po e përmbush në mënyrën më të mirë të mundshme Krasniqi.

“Jemi munduar shumë të gjithë së bashku që ta sjellim trofeun në Suharekë pasi për ne ishte sezon i jashtëzakonshëm, por fati deshi që ne të mos dalim kampion”, thotë Krasniqi.

Starti premtues në sezonin e ri Krasniqi është i padiskutueshëm në formacionin bazë të Ballkanit në këtë sezon. Ka shënuar një gol dhe ka asistuar dy herë në katër paraqitje. Goli i tij në mënyrë akrobatike kundër Besës në minutën e 19-të, në kuadër të xhiros së parë, ishte edhe i pari për Ballkanin në këtë edicion. Kontribut në arritjen e pikëve të plota dha edhe në ndeshjet ndaj Feronikelit (3:2) e Llapit (3:1) ku kontribuoi me nga një asistim.

Por, Krasniqi nuk mendon të ndalet me kaq. Zotohet se do t’i shkojnë këtij kampionati deri në fund për t’i arritur objektivat e klubit, triumfin në ligë dhe në kupë gjithashtu.

“Mendoj që e kemi filluar mirë sezonin dhe me grupin e lojtarëve që kemi, shpresoj që do t’ia dalim të shpallemi kampion në fund pasi që edhe organizimi në klub është mjaft i mirë”, thotë futbollisti i vetëm në familjen Krasniqi. Edhe pse të tjerët në familjen e vet nuk janë marrë me futboll, Ermali nënvizon se e ka pasur gjithmonë përkrahjen e tyre.

Nuk e harron as trajnerin Munishi, i cili vazhdimisht i flet dhe i ka vlerësuar pozitivisht paraqitjet e tij. “Dua ta falënderoj klubin, trajnerin dhe të gjithë lojtarët të cilët po më bëjnë të ndihem mirë. Do të jem edhe unë përkrah tyre gjithmonë. Shpresoj të vazhdoj të punoj edhe më shumë. Falënderoj edhe familjarët të cilët vazhdimisht më qëndrojnë afër, bashkë me menaxherin që punon vazhdimisht. Sa herë që trajneri llogarit në mua, unë e jap maksimumin për ekipin”, përfundoi Krasniqi.

Ëndërr e Krasniqit është që karrierën si futbollist ta vazhdojë jashtë Kosovës. Ai e di mirë se arritja në nivelet më të larta arrihet vetëm me punë të palodhshme. Shpreson që një ditë ta përfaqësojë edhe Përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Ka qenë i grumbulluar me Kosovën U21 për duelin kundër Anglisë në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2021 më 4 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Megjithatë, nuk iu dha rasti nga përzgjedhësi Rafet Prekazi.