Mesfushori Christian Eriksen tha se ishte “i trishtuar” që Cristiano Ronaldo nuk do të ishte më pjesë e Manchester Unitedit, por këmbënguli që klubi mund të vazhdojë përpara pa njërin prej emrave më të mëdhenj në historinë e tij.
“Ne jemi të trishtuar që Ronaldo nuk është pjesë e klubit”, tha Eriksen.
“Trashëgimia e tij dhe emri i tij në çdo klub është i veçantë. Unë isha me fat që luajta përkrah tij”. Aventura e dytë e Ronaldos në “Old Trafford” mori fund gjatë Kupës së Botës “Katari 2022”, ku klubi vendosi t’ia shkëpusë kontratën portugezit pas një interviste shpërthyese në të cilën ai sulmoi trajnerin Erik ten Hag dhe pronarët e Unitedit. Në fushë, ndikimi i tij tashmë ishte zbehur që kur trajneri holandez mori drejtimin e ekipit në fillim të sezonit.
Unitedi, të martën mbrëma e luajti ndeshjen e parë pa Ronaldon dhe triumfoi në shtëpi 3:0 ndaj Nottingham Forestit, me golat e shënuar nga Marcus Rashford, Anthony Martial dhe Fred.
“Futbolli vazhdon”, tha Eriksen.
“Ne mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, ndërsa njerëzit do të harrojnë se si ishte më parë dhe tani fokusi ynë është me të vërtetë sikur Ronaldo nuk është këtu. Atmosfera është e mirë, kemi shumë lojtarë që po kthehen nga Botërori dhe gradualisht po bashkohemi”.