Sport

Erdhi nga SHBA-ja dhe shënoi dy gola në debutim, Riga Kallaba synon të lërë gjurmë te Kosova

Përfaqësuesja U16 e Kosovës në futboll (vajzat) ka fituar 3:1 ndaj Andorrës, tri ditë më parë. Dy prej golave në fitoren e shënuar në kuadër të turneut zhvillimor të UEFA-s i realizoi Riga Kallaba, talentja që futbollin po e mëson në SHBA.

Riga ka luajtur edhe në fitoren ndaj Shqipërisë, të enjten, ndërsa pritet të aktivizohet edhe ndaj Moldavisë. Turneu zhvillimor i UEFA-s po mbahet në Kamzë të Shqipërisë.

Riga është e lumtur që iu dha rasti, e po ashtu që debutoi me dy gola të shënuar. Ajo është e përkushtuar që të luaj gjatë për Kosovën dhe që të lë gjurmë në përfaqësuese. Paraqitjet me U16 janë fillim i mirë.

Riga ka nisur me futboll ende pa i mbushur nëntë vjet. Ajo ka prejardhje nga Rogana, fshati i njohur për atletët e shumtë dhe të suksesshëm. Por Rogana ka dhënë dhe jep sportistë edhe në sportet e tjera.

“U dashurova me futbollin që kur babai im drejtonte një ekip që e formoi me disa shokë të tij. Quhej Kosova dhe kishte selinë në Chicago. Na merret me vete në ndeshje, mua dhe motrat e mia”, ka treguar Riga Kallaba për KOHËN.

Ajo ka nisur në një klub djemsh, ndërsa është prezantuar edhe në nivele regjionale në SHBA. Tashmë është në skuadrën Chicago FC United. Grumbullimi me Kosovën është hap i rëndësishëm për karrierën e Rigës.

“Çdoherë e kam pasur një bindje që do të më ftonte Kosova. Mirëpo e kam pasur edhe një frikë që ndoshta nuk më thërret pasi jam larg, në SHBA, dhe nuk kam pasur rastin të paraqitem në ndonjë kamp ku do të vërehej talenti im. Mirëpo unë do të kujdesem që përgjegjësit të binden se e morën vendimin e duhur duke më ftuar”, ka thënë futbollistja e talentuar.

Ajo thotë se ka realizuar ëndrrën duke u paraqitur për Kosovën.

“Jam gjenerata e dytë e familjes në SHBA, ndërsa prindërit gjithnjë më kanë thënë se do ta përfaqësojë Kosovën apo Shqipërinë dhe do t’i bëj krenarë. Çdo herë më ka interesuar vendlindja e prindërve dhe e gjyshërve. Familja ime është shumë e lidhur me sport. Për shembull, nëna ime, Donika Thaqi, ishte dy herë kampione e Kosovës në skijim. E di po ashtu se sa shumë sportistë ka dhënë Rogana e Kamenicës”, thotë Riga.

Ajo mundohet t’i përcjellë ndeshjet e Kosovës e të Shqipërisë e po ashtu paraqitjet e futbollistëve shqiptarë si Xherdan Shaqiri.

“Synimi im është që çdo herë të përfaqësoj Kosovës në të gjitha kategoritë e mundshme të futbollit. Gjithashtu të jem pjesë e klubeve të mëdha të Evropës si futbolliste profesioniste”.

Paraqitjet me Kosovën U16 mund të jenë fillim i mirë për Rigën.