Sport

Entuziazmi u kthye, testi i vërtetë në Bukuresht

Vedat Muriqi priti shumë javë për të gjetur rrugën drejt rrjetës. Te goli u kthye pikërisht duke mbajtur veshur fanellën e Kosovës. Nuk shënoi një, por dy gola, të shtunën mbrëma në Prishtinë. Realizoi golin e barazimit 1:1 ndaj Zvicrës në minutën e 65-të me asistim të Milot Rashicës, ndërsa realizoi edhe për të barazuar rezultatin në 2:2. Golin e festës së madhe e shënoi në minutën e 94-t, me asistim të bukur nga Meriton Korenica, i cili debutoi te Kosova.

Goli i dytë i Muriqit u përcoll me gëzim të madh të lojtarëve të Kosovës e po ashtu të tifozëve në tribuna. U vlerësua se ai gol, përkatësisht barazimi, do të shërbejë shumë për të kthyer entuziazmin në përfaqësuese, që ishte zbehur skajshmërisht pas humbjes nga Bjellorusia.

Golashënuesi bindshëm më i mirë te Kosova, Muriqi, thotë se golat për përfaqësuese e bëjnë të ndihet njëmijë herë më mirë se për golat në klube.

“Gjithmonë kam thënë, kam shënuar shumë gola, edhe këtu edhe në ekipe. Por, këtu, me fanellën e Kosovës, po e ndiej një mijë herë më shumë. Kështu që jam i lumtur për golat, por i falënderoj edhe bashkëlojtarët e mi që me të vërtetë treguan karakter në fushë deri në minutën e fundit. Falë atyre arrita të shënojë dy gola. Jam shumë i lumtur. Shpresoj që këtë ritëm do ta vazhdojmë edhe kundër Rumanisë sepse për ta bërë më të vlefshme këtë pikë, duhet të fitojmë kundër Rumanisë. Do të na fuste në lojë në grup dhe pika do bëhej më e vlefshme”, ka thënë Muriqi.

Sulmuesi 29-vjeçar në 46 ndeshje për “Dardanët” ka shënuar 24 gola. Ai gëzohet që ka pasur debutues te Kosova.

“Çdo trajner që po vjen, po vjen me taktikën e vet, me karakteristikat e veta. Ne me të vërtetë nuk jemi shumë, nuk jemi qindra lojtarë që luajmë anembanë botës. Kështu që po gëzohemi kur po shohim çdo ditë fytyra të reja, talente të reja. Sot siç e patë, e kishte rastin Ermali, Korenica asistoi. Ishte një asistim që me të vërtetë ishte i klasit botëror. Është Albioni, Altini, janë dy qendërmbrojtësit e tjerë, Kreshniku, Ismajli. Kështu që edhe ata do ta kenë rastin dhe kur ta kenë rastin, jam i bindur që do të na bëjnë konkurrencën më të fortë dhe do të bëhet një Kombëtare më e fortë. Shpresojmë që edhe ata ta kenë rastin sa më shpejtë. Kjo është mirë për frymën dhe favorin e Kombëtares”, është shprehur tutje prizrenasi.

Muriqi shpreson ta ndihmoj Kosovën me gola edhe në të ardhmen. Uron të shënoj edhe ndaj Rumanisë. Ndeshjen ndaj Rumanisë, Kosova e luan të martën mbrëma në Bukuresht. Ndeshja do të jetë test i vërtetë lidhur me atë se a është kthyer përfaqësuesja në rrugën e duhur.

“Unë jam sulmues, por kurrë nuk kam menduar për gol, sepse siç më njihni, jam sulmues që kam qejf të ndihmojë bashkëlojtarët e mi. Por nëse shënoj dhe fitojmë pikë, normalisht është një gjë e mirë. Çfarë tjetër do të mund të dëshironte një sulmues. Shpresoj të vazhdojmë me këtë futboll që e luajtëm sot dhe jam i bindur se do të nxjerrim diçka atje”, ka theksuar Muriqi.

Asistuesi i Muriqit në golin për 2:2, Meriton Korenica, pret fitore në Rumani.

“Normal, është një ndjenjë e papërshkruar. Jam shumë i lumtur për këtë arritje që e kemi bërë, një barazim në fund. Ndoshta nuk ka shkuar mirë në fillim por u kthyem me një barazim shumë të mirë i cili do të na motivojë që për ndeshjen e radhës të marrim fitore dhe të vazhdojmë tutje”, është shprehur “Kore” siç njihet shkurt.

Ai ka falënderuar shumëkënd për mundësinë e dhënë.

“Është grumbullimi i parë. Duhet t'i falënderoj të gjithë për mikpritjen që ma kanë bërë këtu, duke filluar nga trajnerët, stafi, lojtarët dhe është një ëndërr për mua e bërë realitet të cilin e kam pritur gjatë. Shpresoj që të vazhdojë dhe të bëj lojëra të mira dhe t’i ndihmoj shtetit tim”, ka thënë Korenica.

Kosova ndeshjen e ardhshme e luan të martën në Bukuresht prej orës 20:45. Me fitore eventuale ndaj rumunëve do të ngjalleshin sërish shpresat e “Dardanëve” për kualifikim në Evropianin e vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani. Të dielën, futbollistët e Kosovës kanë pasur vetëm rigjenerim. Udhëtimi për në Bukuresht bëhet të hënën në mëngjes.

Zvicra është në vendin e parë në grup me 11 pikë. Rumania është e dyta me nëntë pikë. Pason Izraeli me tetë pikë, kurse nga katër pikë kanë Bjellorusia dhe Kosova. E fundit me dy pikë është Andorra.