Sport

Ëndrrën e parealizuar me Maqedoninë e Veriut në Islandë, Bojku synon ta arrijë me Strugën

Besmir Bojku nuk e pati fatin që me Maqedoninë e Veriut U21 të luante kundër Islandës U21 në Reikjavik, më 11 qershor të vitit 2015. Ishte ndeshja e parë kualifikuese për Evropianin U21 të vitit 2017 që u organizua në Poloni. Dy ditë para fillimit të ciklit kualifikues të Evropianit U21, Bojku, atëbotë futbollist i Shkupit, pësoi lëndim të rëndë në ligamentet e gjurit. Dhe, ëndrra e tij për të luajtur në skenën e madhe evropiane të futbollit u shua. Shpresat e Maqedonisë së Veriut U21 siguruan Evropianin, me Enis Bardhin, Visar Musliun, Mevlan Muratin, Besir Demirin dhe Egzon Bejtulain, por pa Bojkun që qëndroi shtatë muaj jashtë fushës së gjelbër.

Rrugëtimi i Bojkut në futboll, pavarësisht sfidave me lëndimet, ka qenë i tillë që ai sërish të jetë në pozitë të luajë për ëndrrën e madhe evropiane, por tetë vjet më vonë.

Dhe çuditërisht, do të ketë ballafaqim me një skuadër nga Islanda. Bojku dhe Struga, të enjten mbrëma siguruan fazën e plejofit të Ligës së Konferencës, nivelit të tretë për klube në garat që organizohen nga UEFA. Struga eliminoi Swift Hesperangen në rrethin e tretë kualifikues. Fitoi në shtëpi 3:1, dhe pavarësisht humbjes 2:1 në udhëtim, siguroi kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 4:3. Në plejof Struga do të luajë kundër Breidablikut. Ndeshjen e parë e luan në “Elbasan Arena” më 24 gusht, ndërsa atë të kthimit në Islandë, më 31 gusht. Breidabliku u eliminua nga Zrinjski i Mostarit në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës.

“Është e vërtetë që me Përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut U21, pikërisht për ndeshjen me Islandën, kam pasur ftesë. Aty nisi rruga për kualifikimin historik për në Evropian. Por, dy ditë para asaj ndeshjeje kam pasur lëndim të rëndë që më pamundësoi pjesëmarrjen në Evropian për grupmoshën U21. Shpresoj se kësaj radhe me ekipin e qytetit të lindjes të kemi kualifikim historik për fazën e grupeve të Ligës së Konferencës”, ka thënë Bojku të premten për KOHËN.

Historik në fakt për Strugën ishte edhe titulli i parë i kampionit në Maqedoninë e Veriut edicionin e shkuar dhe paraqitja në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Rrugëtimin në “Champions” në këtë edicion Struga e nisi me Zhalgirisin e Lituanisë, nga i cili u eliminua. Më pas u zhvendos në kualifikimet e Ligës së Konferencës, ku në raundin e dytë e eliminoi Buduqnostin e Malit të Zi. Tani luan kundër Breidablikut, dy herë kampionit të Islandës, që ka më shumë përvojë në garat e UEFA-s. Breidabliku kishte debutuar në Evropë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës, në edicionin 2010/11.

“Sigurisht që kundërshtar të lehtë në këto faza të garës nuk ka. Por, ne do të hyjmë për fitore dhe për ta kaluar edhe pengesën e fundit. Dëshirojmë që të jemi edhe pjesë e fazës grupore”, është shprehur Bojku.

Ndryshe nga Breidabliku, debutimin në Evropë Struga e pati në edicionin 2021/22. Ishte eliminuar në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës nga Liepaja e Letonisë. Por, Struga ka pasur rritje të madhe në dy vjetët e fundit. Mesfushori 28-vjeçar, që në të kaluarën karrierë ka bërë edhe në Kosovë, te Feronikeli, thotë se serioziteti në stërvitje dhe kualiteti i skuadrës kanë qenë vendimtare në këto suksese.

“Meritat për këto arritje sigurisht se u takojnë të gjithëve, duke nisur nga pronari i klubit, administrata, stafi teknik, stafi mjekësor, lojtarët dhe të gjithë punonjësit në klub”, është shprehur Bojku.

Bojku, përveç me Strugën, titullin e fitoi edhe me Shkëndijën e Tetovës. Me skuadrën tetovare e ka të fituar edhe Kupën e Maqedonisë së Veriut. Në fazën e plejofit do të luajë edhe një tjetër skuadër shqiptare, Partizani i Tiranës. Partizani do të ballafaqohet me Astanan e Kazakistanit, pasi kjo skuadër u eliminua nga Ludogoretsi. Kampioni i Shqipërisë, Partizani, eliminoi Valmieran e Letonisë në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, me rezultatin e përgjithshëm, 3:1. Me shifrat 2:1 fitoi në Letoni, ndërsa 1:0 fitoi në “Elbasan Arena”, të enjten mbrëma.