Qëndrim Zyba si fëmijë kishte ëndërruar që një ditë të luante me fanellën e Kosovës, në ndeshje zyrtare. Dhe, rasti i tij erdhi të enjten mbrëma pas disa paraqitjeve që pati për grupmoshat zinxhirë të Kosovës. Ëndrra e tij u bë realitet, por pas sakrificës së madhe dhe punës së palodhshme. Zyba, futbollist i Ballkanit, të enjten mbrëma ishte titullar te Kosova që mposhti Andorrën në ndeshjen kualifikuese për Evropianin e vitit të ardhshëm. Mesfushori qendror, 22-vjeçari Zyba, luajti deri në minutën e 76-të në fitoren 3:0. Ishte prej më të mirëve në fushë, në fitoren e parë të “Dardanëve” në këtë cikël kualifikues. Kosova ka edhe katër barazime e dy disfata. Golat e fitores për Kosovën i shënuan Milot Rashica në minutën e 26-të dhe të 71-të, kurse një tjetër e realizoi Altin Zeqiri. Edhe në golin e tretë asistoi Rashica, të cilit iu anulua një gol në këtë ballafaqim për pozitë jashtë loje.
“Ndihem shumë i lumtur për debutimin, të cilin e kam ëndërruar nga fëmijëria. Jam shumë i kënaqur edhe me fitoren. Fitorja ma ka bërë edhe më të bukur debutimin te Kosova. Kam luajtur edhe me U21, por te Kombëtarja A ndjenja është e veçantë. Nuk e di se si ta përshkruaj”, ka thënë Zyba për KOHËN të premten.
Zyba e pranon se deri në këtë pikë të karrierës si 22-vjeçar nuk do të vinte pa ndihmën e Ballkanit, kampionit të Kosovës në dy edicionet e fundit. Ballkani shkroi historinë duke siguruar fazën grupore të Ligës së Konferencës në dy edicione rresht. Tani Zyba po përballon edhe ndeshje ndaj gjigantëve evropianë. Shkëlqeu edhe në duelin kundër Dinamos së Zagrebit, në fitoren 2:0 në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Asistoi në golin e parë të cilin e shënoi Almir Kryeziu. Në ballafaqimin kundër Andorrës luajti edhe bashkëlojtari i tij te Ballkani, Lumbardh Dellova. Dellova luajti në qendër të mbrojtjes. Zyba, Dellova dhe Ilir Krasniqi i skuadrës së Llapit ishin të vetmit futbollistë të Superligës së Kosovës që ishin ftuar për ndeshjet e tetorit.
“Patjetër se ndeshjet në Evropë me Ballkanin na ndihmojnë shumë, sepse po rritemi si lojtarë. Po marrim përvojë dhe po e përfaqësojmë ligën tonë në mënyrën më të mirë”, deklaroi Zyba, i cili tani synim ka që të vazhdojë me punë edhe më të madhe dhe ta ketë rastin edhe në takime të tjera. “Normalisht që pres të kem mundësinë të luaj sa më shumë. Sa herë të më jepet mundësia ta përfaqësoj Kosovën, do të jem aty për të dhënë gjithçka nga vetja”, deklaroi ai.
Zyba i ishte bashkuar Ballkanit të Suharekës nga skuadra e Prishtinës në qershor të vitit 2022. Prej asaj kohe është kthyer në një prej lojtarëve më të rëndësishëm në formacionin e trajnerit Ilir Daja. Kosova në këtë muaj nuk do të ketë ndeshje për të luajtur. Rrjedhimisht nuk do të luajë as Qëndrim Zyba. Ndeshja ndaj Izraelit në Prishtinë, që ishte paraparë të zhvillohej të dielën në Prishtinë, është shtyrë për shkak të situatës në Izrael. Por Zyba shpreson që ta ketë rastin edhe në dy duelet e nëntorit kur edhe mbyllet cikli kualifikues i Evropianit. Më 18 nëntor Kosova luan në udhëtim te Zvicra, teksa më 21 nëntor e pret Bjellorusinë.