Sport

Ëndrra e realizuar e Halilit

Gentrit Halili ia kishte vënë vetes një synim kur nisi karrierën si futbollist – të luajë në gara të mëdha. Këtë mundësi Halili e pati të enjten mbrëma me skuadrën e Ballkanit.

Ballkani humbi 1:0 në udhëtim te Viktoria Plzeni në ndeshjen e parë të Grupit C të Ligës së Konferencës. Por Halili, 21-vjeçar, fitoi eksperiencën për të cilën kishte ëndërruar shumë vjet më parë. Dhe për këtë i është falënderues trajnerit Ilir Daja, i cili e pati besimin në të.

Halili luajti një orë lojë, ndërsa trajneri tiranas, Daja, dha lëvdata pas ndeshjes për paraqitjen e tij.

“Jam i kënaqur me debutimin, por jo edhe me rezultatin. U mundova t’i bëja ato çfarë më tha trajneri. Shpresoj ta kem bërë më të mirën. Trajneri Daja më ka ndihmuar shumë në aspektin taktik, fizik e po ashtu edhe në atë psikik. Do t’i jem gjithmonë falënderues që ma dha rastin e debutimit në fazën grupore të Ligës së Konferencës. E kam realizuar ëndrrën time”, është shprehur Halili të premten për KOHËN.

Halili luajti deri në minutën e 60-të dhe u nda i kënaqur me paraqitjen individuale.

Në fillim të pjesës së dytë debutimi pozitiv ka mundur të merrte kah krejtësisht tjetër.

Në minutën e 48-të Rafiu Durosinmi i Viktoria Plzenit u rrëzua brenda në zonë. Pranë tij ishte qendërmbrojtësi Halili, ndërsa gjyqtari kryesor po priste nga dhoma e VAR-it konfirmimin nëse ishte penallti apo jo. Kishte dyshime se Halili e pengoi dhe shkaktoi penallti. Për fat të Halilit, loja vazhdoi, arbitri dha shenjë për ofsajd. Mbrojtësi i ri ka folur pikërisht për këtë rast. Theksoi se ishte në emocione dhe është lutur që të mos jetë penallti.

“Te rasti i penalltisë nuk mendoja asgjë vetëm i lutesha Zotit që të mos ishte penallti. Në momentin kur gjyqtari nuk e dha penalltinë, ishte një tjetër motiv shtesë për mua për ta vazhduar ndeshjen, sepse m’u duk se hoqa një barrë të madhe nga vetja”, ka thënë futbollisti i talentuar, i cili tregoi edhe për dallimet që ka Superliga e Kosovës me garat ndërkombëtare.

“Dallimi është shumë i madh. Ka dallim të madh në ritmin e lojës. Dallim ka edhe në taktikën e lojës brenda në fushë”.

ka ambicie të mëdha me Ballkanin. Uron që edhe në edicionin e ri të Superligës skuadra e tij të dalë kampion.

Ambicie të mëdha kishte edhe sa ishte pjesë e Ferizajt, ku edhe e ka nisur karrierën si futbollist.

Halili si 17-vjeçar kishte debutuar në elitën e futbollit të Kosovës me Ferizajn kundër Trepçës ’89, në edicionin 2019/20.

Në atë kohë ferizajasit drejtoheshin nga trajneri Bylbyl Sokoli.

“Një falënderim shkon edhe për trajnerin Bylbyl Sokoli pasi me të debutova në Superligë. Uroj që të vazhdoj edhe me më shumë suksese”, përfundoi Halili.

Ballkani po luan për herën e dytë rresht në fazën grupore të Ligës së Konferencës.

Është në grup edhe me Dinamon e Zagrebit dhe Astanan.

Pikërisht ndaj skuadrës së madhe kroate do të luajë në ndeshjen e ardhshme.

Më 5 tetor e pret në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.