Sport

Ëndrra e madhe e Prishtina 01 në Champions

Prishtina 01 nuk ka shumë kohë që është themeluar si klub i futsallit. Por suksesin madhor e ka arritur shumë shpejt. Kalimi në “Elite Round” të Ligës së Kampionëve është tregues i qartë se puna në këtë skuadër është shumë e madhe.

Se Prishtina 01 do të arrijë kaq lart në futsallin kosovar e ndërkombëtar, nuk e ka menduar askush në fillim. Gjithçka nisi kur një grup shokësh vendosën për krijimin e një skuadre të re në vend. Kështu ka treguar për KOHËN drejtori sportiv i klubit prishtinas, Oso Gjinovci.

Prishtina 01 si klub është themeluar para katër vjet e gjysmë. Në historinë e saj të shkurtër ka një titull të fituar në edicionin e kaluar. Ka edhe dy Kupa të Kosovës.

Si njohës të futsallit, trajneri Haki Ahmeti dhe drejtori sportiv, Gjinovci, kanë krijuar një bazë mbi të cilën po ndërtohet ende. Janë futbollistët vendorë të kësaj skuadre të cilët trajneri Ahmeti i quan prej më të mirëve në Kosovë.

Ahmeti thotë se grupin e ka karakterizuar prej fillimit bashkëpunimi, karakteri dhe natyrisht cilësia. Ai Prishtinën 01 e quan familje.

“Niveli i futsallit të Kosovës është mjaft i lartë. Kjo na ka mundësuar për të zhvilluar edhe ndeshjet në ‘Champions League’ ku edhe arritëm të korrim sukses. Po të mos ishte futsalli i Kosovës në nivelin shumë të lartë, ne do ta kishim pasur shumë të vështirë të arrijmë këtu ku jemi sot”, ka thënë Ahmeti.

Prishtina 01 e siguroi kalimin në raundin elitë. Në këtë rreth të garës janë 16 skuadrat më të mira të kontinentit në futboll të sallës. Ka edhe skuadra me traditë të madhe. E me to do të përballet Prishtina 01.

Në raundin elitë, Prishtina 01 është në Grupin B bashkë me Benfican portugeze, Kairat Almatyn e Kazakistanit dhe Dobovecin e Sllovenisë.

Benfica e Kairati më herët kanë qenë fitues të Ligës së Kampionëve. Doboveci është dominues në Slloveni.

“Jemi në mesin e 16 ekipeve më të mira në Evropë. Normalisht se çdo herë ne synojmë të shkojmë tutje. Përsëri kam besim që edhe në ‘Elite Round’ të korrim suksese”, ka shtuar trajneri Ahmeti.

Prishtina do të jetë nikoqire e ndeshjeve të grupit.

Ish-lojtari i njohur i futsallit, Oso Gjinovci, me bashkëpunëtorët e tij tashmë kanë nisur përgatitjet për organizimin e ngjarjes. Gjinovci premton organizim madhështor. Ai beson se Prishtina 01 do të jetë befasia e grupit. Fitimi i grupit, përkatësisht kalimi në gjysmëfinale të Championsit, do të ishte sukses historik.

Gjinovci thotë se rrugëtimi deri këtu nuk ka qenë aspak i lehtë.

Ai përveç nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, ka kërkuar përkrahje të madhe edhe nga bizneset e sportdashësit.

“Duhet ta falënderoj edhe presidentin Bledion Bryma i cili me mund e sakrificë ka bërë që ta mbajë këtë grup në formën më të lartë, duke nisur nga mjetet financiare sepse ka qenë e vështirë. Por, këta lojtarë e kanë dashuruar më shumë klubin, fitoren dhe suksesin. Dhe tash është koha që edhe këta të shpërblehen me të mira dhe ta ngrenë nivelin sa më lart, sepse fitorja jonë nuk është vetëm fitore e Prishtinës 01, por është fitore e gjithë Kosovës dhe i kemi bërë krenarë besoj të gjithë”, ka thënë Gjinovci.

Ai foli edhe për përgatitjet që po bëhen për organizimin e ndeshjeve të grupit, të cilat zhvillohen nga 28 nëntori deri më 3 dhjetor.

“Organizim i tillë nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodh asnjëherë se çfarë do të bëjmë ne në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Besoj që do të jetë një super organizim, me të gjithë mbështetjen sepse pa Federatën nuk është e mundur dhe të gjithë të tjerët. Jemi duke u përgatitur, kemi pak kohë, sepse sa jemi kthyer nga Lituania menjëherë na erdhi lajmi që kemi fituar organizimin e garës. Shpresojmë që do të bëjmë diçka të jashtëzakonshme, të mrekullueshme”, ka thënë Gjinovci.

Prishtina 01 debuton në Ligën e Kampionëve në futsall. Në fazën preliminare doli e para me 7 pikë, por me goldallim më të mirë se Lubawa polake në Grupin D.

Në Grupin 7 të raundit kryesor pati 7 pikë, dy më shumë se nikoqiri, Kauno Zhalgiris. Nga gjashtë ndeshje të luajtura deri tani ka pranuar vetëm pesë gola. Ka shënuar 31 gjithsej.

Në “Elite Round” nga skuadrat kosovare ka arritur vetëm Feniksi i Drenasit në edicionin 2016/17. Kjo skuadër e ka ndërprerë aktivitetin.