Sport

Eliminimi i Dritës e Ballkanit në Kupë forcon garën për titull të kampionit

Eliminimit të Dritës dhe Ballkanit nga gara për Kupën e Kosovës do t’ia shohë “hairin” stinori pranveror i Superligës në futboll, që do të startojë në fundjavë. Si Drita, ashtu edhe Ballkani, u eliminuan të martën në 1/8 e finales së Kupës së Kosovës.

Drita u eliminua nga Prishtina pas vazhdimeve, derisa Ballkani pësoi nga Llapi pas gjuajtjes së penalltive. Të dyja ekipet u mposhtën në udhëtim, kurse pas ndeshjeve trajnerët Ardian Nuhiu dhe Bledi Shkëmbi paralajmëruan se fokusin do ta kenë në Superligë, ku synojnë titullin e kampionit. Në fakt, Drita dhe Ballkani janë në mesin e skuadrave favorite për të triumfuar këtë sezon dhe eliminimi nga Kupa ua mundëson atyre që të fokusohen vetëm në kampionat. Pra, titulli i kampionit ua ofron mundësinë e vetme për të pasur sukses në këtë sezon.

Me paralajmërimin e trajnerëve u bë e qartë se Drita dhe Ballkani nuk do ta kenë luksin që të lëshojnë pikë në stinorin pranveror. Secila pikë e lëshuar mund të kushtojë shtrenjtë.

Drita, që është kampione në fuqi, stinorin vjeshtor e ka përfunduar në pozitën e parë në tabelë me 41 pikë, tri më shumë se Ballkani që zë vendin e dytë. Për Dritën, humbja nga Prishtina në kupë ishte e dyta rresht brenda pak javësh, pasi muajin e shkuar e humbi edhe ndeshjen e Superkupës të luajtur në Antalia të Turqisë, vend ku të dyja ekipet e mbajtën fazën e fundit përgatitore para fillimit të stinorit pranveror. Pas humbjes së dytë rresht nga Prishtina, trajneri i Dritës, Nuhiu, paralajmëroi reagim të fuqishëm të ekipit të tij në kampionat. Ndeshjen e parë të stinorit pranveror, Drita e luan në shtëpi kundër skuadrës së Llapit.

“Dy ndeshje të humbura, nuk do të lejojmë që këto ndeshje të na ulin poshtë aspak pasi kemi treguar se ne dimë të ringritemi dhe këtë do të bëjmë edhe tash. Për ndeshjen mendoj që ka qenë e taktizuar dhe pa raste të shumta”, ka thënë Nuhiu që pret reagim të shpejtë të Dritës dhe atë në kampionat.

Në të vërtetë, Drita u mposht nga Prishtina në Kupë vetëm pas vazhdimeve, pasi koha e rregullt përfundoi pa gola. Në minutën e fundit të vazhdimit të parë prej 15 minutave, ishte kapiteni i Prishtinës, Lorik Boshnjaku (105’), që me një eurogol vulosi fatin e takimit. Drita nuk pati ndonjë rast, kurse ndeshjen e përfundoi me dy futbollistë më pak. Fillimisht ishte mesfushori Erjon Vucaj që u ndëshkua direkt me karton të kuq në minutën e 116-të, kurse katër minuta më vonë edhe Vladica Brdarovski e lëshoi fushën pas kartonit të dytë të verdhë.

Trajneri i mirënjohur kosovar, Gani Sejdiu, ka pranuar se eliminimi i Dritës dhe Ballkanit në kupë është garanci për një garë më të fortë dhe më të zjarrtë në kampionat. Sipas Sejdiut, si Drita, ashtu edhe Ballkani, do të tentojnë që nëpërmjet triumfit në ligë ta mbulojnë dështimin në kupë.

“Sigurisht se gara në Superligë në pranverë do të jetë më e fortë dhe më interesante, pasi Drita dhe Ballkani janë liruar nga presioni i kupës pas eliminimit. Kështu që fokusi i tyre do të jetë titulli i kampionit dhe do të përpiqen që dështimin në kupë ta kthejnë në sukses në kampionat. Megjithatë, nuk do të jetë lehtë sepse sado që nuk e pranojnë eliminimi nga kupa është i rëndë për të dyja ekipet që e kishin synim këtë trofe, i cili është dalja më e shpejtë për në Evropë”, është shprehur Sejdiu. “Pas eliminimit, Drita e Ballkani nuk kanë angazhime të tjera dhe kjo është një përparësi ndaj ekipeve që do të mbeten edhe në kupë. Mirëpo, nuk do të jetë i lehtë kthimi as i Ballkanit, as i Dritës në kampionat pas eliminimit që e përjetuan në kupë. E rëndësishme është se pranvera do të jetë shumë më e nxehtë me një garë të ashpër për titullin e kampionit”.

Sejdiu ka mbetur i befasuar nga Drita, që këtë vit nuk i po duket as “hija” e ekipit të vitit të shkuar. Sipas teknikut mitrovicas, dy humbjet nga Prishtina janë një sinjal për ekipin nga Gjilani që duhet të reagojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Shqetësuese për mua është se Drita po duket si një ekip i konsumuar dhe kur e them këtë bazohem në dy humbjet që i pati nga Prishtina. Edhe pse ka lojtarë me përvojë dhe cilësorë, ekipi ka nevojë për elemente të reja freskuese. Mirëpo, do ta shohim reagimin e Dritës në pranverë”, shtoi Sejdiu.

Ngjashëm sikurse Drita, Ballkani fazën përgatitore e kreu në Antalia. Por, pati rezultate të mira në ndeshje miqësore. Në Kupë u eliminua nga Llapi vetëm pas penalltive (4:3), për shkak se koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan pa gola. Edhe Ballkani ndeshjen e mbylli me një lojtar më pak, pasi portieri Damir Ljuljanoviq e lëshoi fushën në minutën e 75-të kur u ndëshkua me karton të kuq. Ballkani ndeshjen e parë të stinorit pranveror e luan në udhëtim kundër Besës së Pejës, ekip që tashmë mund të konsiderohet si anëtar i Ligës së Parë për sezonin e ardhshëm.

Trajneri Shkëmbi, i cili zëvendësoi Ismet Munishin, ka marrë përgjegjësinë për eliminimin nga Kupa, duke sinjalizuar se tani ekipi i tij do të fokusohet tërësisht në kampionat. Për Ballkanin i humbën penalltitë Mevlan Zeka e Visar Berisha, derisa të saktë ishin Mirlind Daku, Armend Thaqi e Nazmi Gripshi. Te Llapi dështoi vetëm Engjull Hoti, kurse të pagabueshëm ishin Mentor Zhdrella, Arbnor Ramadani, Benjamin Emini e Muhamet Hyseni.

“Mendoj se duhej të bënim një lojë më të mirë. Skuadra vuajti agresivitetin e ekipit kundërshtar, por pavarësisht kësaj djemtë dhanë maksimumin dhe me një lojtar më pak arritëm të shkonim në penallti. Pas daljes së portierit me karton të kuq gjërat ndryshuan”, tha Shkëmbi. “Tash do të vazhdojmë në kampionat. Ekipi luftoi shumë dhe kjo është përgjegjësi e imja, kurse unë do të përpiqem maksimalisht të arrijmë rezultate pozitive”.

Trajneri Sami Sermaxhaj vlerëson se eliminimi i Dritës dhe Ballkanit është një sinjal për të dyja skuadrat se nuk kanë opsion tjetër veç triumfit në Superligë.

“Drita dhe Ballkani tash duhet të fokusohen në Superligë, për shkak se titulli i kampionit është mundësia e vetme për ta kurorëzuar edicionin me sukses pas eliminimit. Besoj se do të jetë një garë e fortë dhe e ashpër në stinorin pranveror, pasi nuk e kanë mundësinë që të lëshojnë pikë. Natyrisht që do ta kenë më lehtë se ekipet e tjera të cilat kanë angazhime edhe në Kupë”, theksoi Sermaxhaj. “Eliminimi i dy ekipeve të para në tabelë nga garat e Kupës mendoj që e bën vazhdimin e kampionatit edhe më interesant dhe më kërkues edhe nga skuadrat e tjera, që përmes Kupës të kërkojnë daljen në Evropë dhe sikur i shton gjasat e ekipeve si Llapi, Prishtina, Gjilani e Feronikeli për të konkurruar që ta fitojnë kupën”, u shpreh Sermaxhaj.

Të martën, kualifikimin në çerekfinale të Kupës e siguroi edhe skuadra e Drenicës, që triumfoi bindshëm ndaj Ulpianës me rezultatin 4:0, falë golave të Donald Rapos (14’), Baton Zabërgjës (45’, 81’) dhe Kreshnik Ukës (81’).

Ndërkohë, pesë skuadrat e tjera çerekfinaliste të Kupës do të përcaktohen përgjatë dy ditëve të ardhshme. Të mërkurën do të luhen ndeshjet: A&N – Flamurtari, Trepça ’89 – Ferizaj, Arbëria – Feronikeli e Istogu – Gjilani. Ndërkohë, të enjten do të luhet edhe dueli i fundit ndërmjet Dukagjinit dhe 2 Korrikut. Të gjitha ndeshjet do të nisin prej orës 13:00.