Sport

Ejupi shpreson që përmes Hartbergut të sigurojë ftesë nga Kosova

Ndonëse 29-vjeçar, mesfushori Albert Ejupi nuk ka hequr dorë nga synimi që ta përfaqësojë Kosovën. Ai ka luajtur tri vjet në elitën e Suedisë, kurse këtë verë është transferuar te Hartbergu, që garon në Bundesligën austriake.

Pikërisht përmes paraqitjeve te klubi i elitës së Austrisë, synon që të sigurojë ftesën e përzgjedhësit Alain Girese. Ejupi ka plot 225 ndeshje në futbollin suedez.

Për KOHËN ai ka thënë se nuk është ftuar nga Kosova edhe kur ka pasur paraqitje të mirë në elitën e Suedisë. Kurse tani shpreson që paraqitjet e tij të shihen nga përgjegjësit e përfaqësueses.

“Kam pasur edicione shumë të mira edhe kur kam luajtur në kampionatin e Suedisë, por nuk kam marrë asnjëherë ftesë nga Kosova. Tani që kam kaluar në Austri te Hartbergu, shpresoj që të marr ftesë, kuptohet nëse bëj sezon të mirë. Jam i përqendruar ta jap më të mirën. Nëse do të vinte ftesa e Kosovës do të ishte një ëndërr e realizuar për mua”, u shpreh Ejupi.

Kalimi te Hartbergu për Ejupin është diçka e re në karrierë. Ai asnjëherë nuk ka luajtur jashtë Suedisë.

Biseda me trajnerin e ka bindur që ta pranojë ofertën e klubit austriak.

“Oferta e Hartbergut më ka ardhur më herët. Ka qenë dëshira e trajnerit që unë të bashkohem me ekipin e Bundesligës së Austrisë. Kam biseduar me trajnerin dhe kam vendosur që ta pranoj ofertën. Iu kam treguar në klub që unë dua të shkoj te Hartbergu. Kam pasur edhe oferta të tjera, por më e mira ka qenë kjo. Jam shumë i kënaqur me pritjen që më është bërë në skuadër”, tregon Ejupi.

Shtatlarti nga Podujeva shpreson që me paraqitjet e tij ta ndihmojë skuadrën që të renditet sa më lart në elitën austriake.

“Synimet me Hartbergun janë që të renditemi sa më lart në tabelë, pasi edicionin e kaluar nuk ka qenë shumë mirë. Edhe skuadra nuk ka qenë e kënaqur me atë që është arritur sezonin e kaluar, prandaj këtë edicion duam që të bëjmë gjëra më të mira. Besoj tek ekipi sepse kemi kualitet. Përqendrimi im është te skuadra e Hartbergut. Nuk po mendoj që përmes kësaj skuadre të kalojë diku më lart. Dua të jap më të mirën time për Hartbergun e më pas le të bëhet si ka thënë Zoti”, shprehet Ejupi.

Ejupi ka shënuar 21 gola në futbollin suedez. Luan mesfushor defanziv.

Ai është rritur te Kristianstadi, kurse ka luajtur edhe për skuadra të tjera suedeze. Në elitë u paraqit me Varbergun dhe Helsingborgun.

Me klubin austriak ka firmosur kontratë të vlefshme deri në vitin 2024, me mundësi vazhdimi edhe për një vit.