Të shtunën në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë për herë të parë do të mbahet Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos.
Derisa xhudistet garojnë në kategorinë deri 57 kilogramë, xhudistët garojnë në kategorinë deri 73 kilogramë. Është fondi i majmë shpërblyes që e bënë të veçantë këtë garë. Gjithsej do të ndahen 300 mijë euro në shpërblime, ndërsa kampionët do të marrin nga 55 mijë euro, si në asnjë garë tjetër të xhudos. Pos medalistëve do të shpërblehen edhe ata që përfundojnë në vendin e pestë – me nga 10 mijë euro.
Unioni Evropian i Xhudos ka shkruar të enjten për xhudistët që do të garojnë të shtunën në Prishtinë. Ka shkruar që bartëse e parë te xhudistet është Nora Gjakova, kampionia olimpike në kategorinë deri 57 kg. Eteri Liparteliani e Gjeorgjisë dhe Timna Nelson Levy e Izraelit janë bartëset dy e tre.
Sipas EJU-së, nuk ka favorite të qartë te xhudistet. Pretendente e madhe për medalje është edhe Distria Krasniqi. Ajo garon në kategorinë deri 52 kilogramë, por do të kërkojë titullin në Prishtinë me xhudiste të kategorisë me peshë më të madhe.
“Me forcë të dyfishtë, vendaset do të ndihen të sigurta”, ka shkruar EJU.
Priscilla Gneto e Francës është emër tjetër i njohur që këkron suksesin në Evropianin e Hapur.
“Sa i përket xhudistëve, Akil Gjakova do të ketë rrugë të vështirë, bazuar në kalibrin që ofrohet në kategorinë deri 73 kg”, ka vlerësuar Unioni Evropian i Xhudos.
Top-xhudisti nga Azerbajxhani, Hidayet Heydarov është bartësi i parë. Ai aktualisht është më i miri në kategorinë deri 73 kg.
Legjenda gjeorgjiane, Lasha Shavdatuashvili është tjetër emër që do të paraqitet në Prishtinë. Ai po e kërkon medaljen e katërt olimpike. Spanjolli Salvador Cases Roca garon po ashtu, ndërsa titullin dhe çmimin e madh financiar e kërkojnë edhe Manuel Lombardo i Italisë dhe Petri Pelivan i Moldavisë. Pra gjithë xhudistët që fituan medalje në Evropianin e rregullt, javë më parë, do të kërkojnë suksesin në Evropianin e Hapur në Prishtinë.
Shorti tërhiqet të premten prej orës 16:00.
Synimet e garuesve kosovarë janë të qarta – të fitojnë medalje në ngjarjen e parë elitare të xhudos në Kosovës.