Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos ishte tregim plotësisht i suksesshëm. Xhudoja e shfaqur ishte e nivelit të lartë, shikues kishte shumë, ndërsa xhudistët shfaqën emocione që ndezën atmosferën në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Gjasat janë të mëdha që Kosova edhe vitin tjetër të organizojë ngjarje të rëndësishme të xhudos. Këtë e kanë pranuar edhe drejtues të Unionit Evropian të Xhudos. Thuajse të gjithë drejtuesit e EJU-së ishin të shtunën në Prishtinë dhe ata mbetën të impresionuar me organizimin dhe shfaqjen e xhudos.
Prania e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti është çmuar nga drejtuesit e EJU-së.
“Fakti që xhudoja është sporti numër një në Republikën e Kosovës nuk duhej t’i shpjegohej asnjë spektatori apo mysafiri të huaj. Kjo kuptohet pa u thënë. Prania e figurave të tilla politike ishte e veçantë”, ka thënë nënpresidenti i parë i EJU-së, Otto Kneitinger pas fundit të kampionatit.
EJU-ja ka shkruar gjatë të dielën për organizimin e Evropianit të Hapur në Prishtinë. Një ngjarje e tillë, ku xhudistët kanë garuar vetëm në një kategori dhe xhudistet në një kategori, është mbajtur për herë të parë.
Fondi shpërblyes ishte plot 300 mijë euro dhe kjo është e jashtëzakonshme për një garë të xhudos. Akil Gjakova fitoi të artën dhe po ashtu 55 mijë euro. Medalje të bronzta fituan Dardan Cena, Nora Gjakova e Distria Krasniqi.
“Organizimi për herë të parë i kësaj ngjarjeje ishte kulmor nga Kosova. Atmosfera e pakrahasueshme, ndërsa shpërblimi financiar prej 300 mijë euro i jashtëzakonshëm. Mund t’u premtoj, në koordinim me presidentin e EJU-së: DO TË KTHEHEMI VITIN TJETËR”, ka shtuar Kneitinger.
EJU-ja ka paraqitur programin “Kosova shtet i xhudos”, investimet që janë bërë dhe që planifikohen të bëhen. Gjitha këto janë meritë e sukseseve që i ka arritur trajneri Driton Kuka dhe nxënësit e tij. Ndër të tjera ata kanë tri medalje të arta olimpike.
“Një format i ri, një organizator i ri – Kampionati i Hapur Evropian në Prishtinë ishte sukses i plotë në të gjitha drejtimet”, ka thënnë tutje Otto Kneitinger.
Agron Kuka është po ashtu shumë meritor për rritjen e profilit të Kosovës në EJU. Ai është president i Federatës së Xhudos së Kosovës dhe po ashtu anëtar i Komitetit Ekzekutiv të EJU-së.
“Ne jemi shtet i xhudos. Këtë e dëshmuam me katër medaljet e fituara. Nuk kemi pritur sukses kaq të madh”, ka thënë Agron Kuka.
Kosova për herë të parë organizoi ngjarje të madhe të xhudos. Përkundër palestrës me shumë defekte, organizimi u vlerësua me nota maksimale.