Mundësi kosovar Egzon Shala është kualifikuar në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Lajmi është kumtuar nga Federata e Mundjes së Kosovës në faqen zyrtare. Shala kishte përfunduar në vend të gjashtë në Botërorin e mbajtur në Kazakistan, ku gjashtë të parët u kualifikuan në “Tokio 2020”. Por, pasi dy nga gjashtë të parët janë kapur me doping, Shala ka marrë ftesë duke u ngritur si i pesti në Botëror.
Federata e Mundjes e Kosovës ka njoftuar se ka marrë konfirmimin nga Federata Botërore e Mundjes. Shala garon në kategorinë deri 125 kilogramë në stil të lirë.
Lajmi është bërë i ditur edhe në faqen zyrtare të federatës botërore. Me doping janë kapur siriani Badkha Khutaba dhe uzbeku Khasanboy Rakhimov.
Në Lojërat Olimpike në Tokio pritet të jenë me normë edhe pesë xhudistë: Distria Krasniqi (deri 48 kg), Majlinda Kelmendi (deri 52 kg), Nora Gjakova (deri 57 kg), Loriana Kuka (deri 78 kg) dhe Akil Gjakova (deri 73 kg).