Trajneri i Prishtinës, Emmanuel Egbo, ka thënë se fitorja ndaj Dritës ishte shumë e rëndësishme.
Por, ai tani synon që ta fitojë trofeun e të sigurojë daljen në Evropë nëpërmjet Kupës së Kosovës.
Egbo e ka vlerësuar gjysmëfinalen ndaj Dritës si finale para finales.
Në finale, Prishtina do të ballafaqohet me Ballkanin që e eliminoi Suharekën.
“E kemi diskutuar me çunat gjatë gjithë javës. Është mundësi për të shkuar në finale dhe pastaj të shkojmë në Evropë. Falënderoj të gjithë çunat, edhe ata që luajtën titullar, por edhe ata që janë inkuadruar. E kanë menaxhuar mirë lojën, kanë shfaqur karakter. Kanë luajtur 120 minuta. Falënderimi i shkon Zotit dhe atyre. Kjo ishte finale para finales sepse Drita është prej skuadrave më të mira në kampionat. Kemi arritur në finale dhe do ta shijojmë këtë fitore. Ishte ndeshje e Kupës dhe ke 120 minuta e penallti nëse nuk shënon. Duhet të jesh i kujedsshëm sepse nëse nuk shënon, bëhet e vështirë. Kemi luajtur ashtu siç kemi planifikuar”, ka deklaruar për “ArtMotion” pas ndeshjes, trajneri i Prishtinës, Emmanuel Egbo.
Ndërkohë, trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, u shpreh i zhgënjyer më këtë disfatë.
“Nuk pati raste Prishtina sepse ata rast patën vetëm në pjesën e parë kur intervenoi Maloku. Ne e ndëshkuam veten. E paguam faturën e ndeshjes me Ballkanin, ku skuadra u harxhua shumë, vrapoi shumë. Ndryshe është të luash me Ballkanin e ndryshe të luash me ndonjë skuadër që nuk është në kreun e tabelës. Prishtinën e uroj për fitore. A ishte e merituar apo jo, ata janë në finale. Për rezultatet negative unë e marr përgjegjësinë. Tash kemi edhe gjashtë ndeshje në kampionat. I kemi disa ditë në dispozicion që ekipi të rikuperohet, do të luftojmë deri në fund për kreun. Ky eliminim do të ndikojë në aspektin fizik e psikologjik. Por, do ta rikuperojmë ekipin për përballjen e së dielës ndaj Dukagjinit”, ka deklaruar Ramadani.