Ringjallja e Aston Villas qëkur Unai Emery zëvendësoi Steven Gerrardin si trajner ka qenë aq dramatike sa ajo që dikur dukej si një betejë e rënies nga kategoria tani është bërë një garë për t'u kualifikuar në Evropë. Fitorja 2:1 e Aston Villas kundër Leicester Cityt të martën mbrëma e çoi ekipin e Emeryt në vendin e shtatë në renditjen e Premier Leagues, vetëm gjashtë pikë prapa vendit të tretë Newcastle Unitedi, pavarësisht se ka dy ndeshje më shumë të zhvilluara.
Kur ish-trajneri i Arsenalit, Emery, mori drejtimin në tetor të vitit të shkuar, Aston Villa ishte në vendin e 17-të, por që atëherë klubi ka fituar 10 nga 16 ndeshjet e tij në Premier League nën drejtimin e trajnerit spanjoll, duke grumbulluar 32 pikë prej 48 të mundshmeve. Gjatë 10 ndeshjeve të fundit të kampionatit anglez, vetëm lideri Arsenali dhe ndjekësi i tij, Manchester City, kanë fituar më shumë pikë se Aston Villa dhe ka një ndjenjë në rritje se një vend në Evropë është i mundur për skuadrën e drejtuar nga Emery.
“Tani mund të shtojmë një hap tjetër dhe të mendojmë se mund të jemi një kandidat serioz për të siguruar një vend që dërgon në garat evropiane. Nuk do të jetë aspak mision i lehtë. Në fakt, do të jetë shumë vështirë për shkak se Brightoni dhe Brentfordi po luajnë shumë mirë. Por, ne nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi”, tha Emery, skuadra e të cilit është mbi Chelsean dhe Liverpoolin në tabelë.
“Chelsea dhe Liverpooli duhet të jenë në Evropë vitin e ardhshëm dhe do të luftojnë për këtë, por ne mund të kemi ambicie dhe motivim që të përpiqemi të bëhemi kandidat”.
Një nga çelësat e rritjes së Aston Villas ka qenë forma e sulmuesit Ollie Watkins, i cili të martën u bë lojtari i parë i Premier Leagues që shënon në gjashtë ndeshje radhazi në udhëtim që nga Sergio Aguero që e kishte bërë me fanellën e Manchester Cityt midis marsit dhe gushtit të vitit 2017.
“Sulmuesi është shumë i rëndësishëm për mua. Unë fola me Ollien në fillim për marrëdhëniet tona kur erdha në klub”, tha Emery. “I thashë se dua më të mirën prej tij dhe atë në mënyrën se si ai po bën; po stërvitet, është i përulur dhe po përmirësohet vazhdimisht. Kjo është mënyra”.
Emery ka pranuar se Watkins është ndër lojtarët më të rëndësishëm tek Aston Villa. Deri më tani sulmuesi 27-vjeçar ka shënuar 10 gola në 27 ndeshje të luajtura në Premier League.
“Për ne, Ollie Watkins është shumë i rëndësishëm. Ai jo vetëm që shënon, por angazhimin e tij çdo ditë përpiqet të shtojë me shumë punë. Ai është mbrojtja e parë në idenë tonë, duke u përpjekur të jemi konsistentë. Ai po punon shumë mirë me presionin e lartë”, shtoi Emery. “Ai po përpiqet të luftojë me mbrojtësit. Ai po shënon dhe po e shton cilësinë më të mirë si sulmues – golin”.
Ndeshjen e radhës në kampionat Aston Villa e luan të shtunën. E pret në shtëpi skuadrën e Nottingham Forestit që po lufton për mbijetesë.