Festë e madhe u bë në “Wankdorf Stadium” në Bern të dielën, ndërsa tifozë të shumtë u futën në fushën e blertë. Festa ishte e tëra për tifozët e skuadrës së Luganos.
Lugano shënoi një tjetër sukses historik në futbollin zviceran, duke e fituar Kupën e Zvicrës. Lugano mposhti 4:1 në finale St. Gallenin.
Lugano e fitoi trofeun e katërt të Kupës në histori të klubit dhe të parin që prej vitit 1993.
Trofeu i parë ishte edhe për Kreshnik Hajrizin, futbollistin nga Kosova.
Te Lugano luajti edhe portieri, Amir Shaipi, që ishte titullar.
Hajrizi luajti vetëm në pesë minutat e fundit, por për të e rëndësishme është që skuadra triumfoi në fund.
Në fakt, sezoni që është në prag të përfundimit, është kurorëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme për 22-vjeçarin Hajrizi.
Ai për herën e parë luajti në elitën e futbollit helvetik këtë edicion dhe e arriti suksesin e parë.
“Festa ka qenë shumë e bukur. Është viti i parë në Superligë për mua dhe jam shumë i kënaqur me minutat që i kam luajtur deri më tani. Sot kam luajtur në pesë minutat e fundit, por Kupa është me rëndësi që u fitua. Pesë minuta mund të jenë të vogla, por duhet të shfrytëzohen në maksimum. Dhe këtë e kam bërë gjatë gjithë kohës”, ka thënë Hajrizi për KOHËN.
thotë se emocionet ishin të mëdha kur skuadra e kaloi gjysmëfinalen. Në gjysmëfinale triumfoi ndaj Luzernit pas ekzekutimit të penalltive.
“Kur e kemi kaluar gjysmëfinalen e kemi ditur se sa e rëndësishme është kjo finale për ne. Por më mirë që përfundoi brenda 90 minutave”, ka thënë Hajrizi, i cili përballë në këtë ndeshje kishte dy lojtarë të tjerë shqiptarë.
Te St. Galleni në 20 minutat e fundit të ndeshjes u inkuadruan Betim Fazliji e Bastien Toma.
22-vjeçari i mbrojtjes ka kontratë me skuadrën e Luganos deri në vitin 2024. Më herët ka bërë karrierë në rangun e dytë të futbollit zviceran, por asnjëherë në nivelin superior.
Është zhvilluar në grupmoshat e reja të Young Boysit dhe ka luajtur edhe për Chiasson.
Transferimi te Lugano, në verën e vitit të shkuar, ka dalë të jetë i qëlluar.
“Të them të drejtën nuk e kam pritur të luaj kaq shumë. Trajneri ka pasur besim tek unë dhe e kam dhënë 100-përqindëshin. Kur të ushtrosh e të luash mirë e ke edhe besimin e trajnerit. Unë kam dhënë gjithmonë më të mirën për t’i treguar trajnerit që jam gati dhe e kam shfrytëzuar çdo moment”, ka nënvizuar Hajrizi.
Ai në këtë edicion ka luajtur në 33 ndeshje në të gjitha garat. Ka realizuar një gol e dy asistime.
Hajrizi në nivel përfaqësuesesh ka luajtur për U17 të Zvicrës dhe për U21 të Kosovës. Me “Dardanët” e rinj ka tetë paraqitje.
“E pres çdo ditë thirrjen nga ekipi i parë i Kosovës. Unë duhet të vazhdoj e të luaj për klub. Kosovën e pres dhe do ta pres gjithmonë”, ka theksuar qendërmbrojtësi, i cili në fushë mund ta mbulojë edhe krahun e djathtë të mbrojtjes.
Titullin e kampionit të Zvicrës me Zuerichun e kanë fituar pesë futbollistë shqiptarë.