Drenasi e përfundoi edicionin 2022/2023 në vendin e tetë në Grupin A të Ligës së Parë të Kosovës në futboll. Vëllaznimi luajti në të njëjtin grup dhe përfundoi i dhjeti, përkatësisht i fundit. Në bazë të propozicioneve të garave Vëllaznimi në edicionin e ri do të duhej të luante në Ligën e Dytë, përkatësisht në nivelin e tretë të futbollit kosovar.
Por, kjo nuk do të ndodhë. Nga klubi gjakovar të premten kanë njoftuar se janë fuzionuar me Drenasin. Kështu klubi me nam nga Gjakova do të jetë sërish në Ligën e Parë, përkatësisht në kategorinë e dytë të futbollit kosovar. Ndërkohë Drenasi pasi ka lëshuar vendin në Ligën e Parë do të duhej të luante në nivelin më të ulët të futbollit kosovar.
Bashkimi i dy klubeve në futbollin kosovar nuk ndodhi për herë të parë. Janë disa fuzionime të famshme e disa shumë të dyshimta madje. Për shembull, vjet u fuzionua Feronikeli 74 dhe menjëherë nisi garimin në Ligën e Parë, ndonëse edhe klubi me të cilin u fuzionua ishte në nivel më të ulët të garave. Tani u fuzionua klubi tjetër nga Drenasi. Ka kohë që kishte raportime se Drenasi lypte klub të interesuar për fuzionim, në kompensim me disa dhjetëra mijëra euro.
Vëllaznimi nuk ka njoftuar se a i ka kushtuar dhe sa i ka kushtuar vendi në Ligën e Parë.
“Pas shumë angazhimeve kryesia e klubit arriti marrëveshje me KF Drenasi që të fuzionohen dhe KF Vëllaznimi t’i vazhdojë garat në Ligën e Parë. Kjo e gjitha falë të gjithë anëtarëve të kryesisë që u angazhuan dhe u organizuan në mënyrë perfekte deri te zgjidhja e çështjes së klubit”, thuhet në njoftimin e KF Vëllaznimi.
Skuadra kuqezi nga Gjakova është njëra prej të mëdhave në Kosovë. Ka pasur suksese në të kaluarën, por në vitet e fundit është përballur me probleme të mëdha financiare e organizative. Rrjedhimisht i kanë munguar edhe rezultatet.
Vëllaznimi shquhet për bazën shumë të madhe të tifozëve. Por pasioni i tifozëve gjakovarë nuk i kreu punë klubit. Kështu Vëllaznimit iu desh të punonte jashtë fushës për të siguruar mbetjen në nivelin e dytë të futbollit kosovar. Dhe kjo “e arritur” u prezantua me bujë të premten.