Sport

E veçantë, Voska bëhet tjetër skuadër shqiptare në elitën e Maqedonisë së Veriut

Kënga shqipe do të dëgjohet në stadiumin e Ohrit në ndeshjet e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut nga edicioni i ardhshëm. Këtë do ta mundësojë skuadra Voska Sport. Kjo skuadër shqiptare të shtunën e ka siguruar promovimin historik në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut. Kështu shqiptarët po e fitojnë vendin e merituar në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut. Në Ligën e Parë në krye të tabelës janë tri skuadrat shqiptare, Struga, Shkupi e Shkëndija. Struga të dielën festoi titullin e kampionit.

Është e sigurt që të tri ekipet shqiptare do të luajnë në gara evropiane në edicionin e ardhshëm. Ndërkohë, në ligë do t’u bashkohet Voska Sport e sipas të gjitha gjasave edhe Gostivari. Dy xhiro para fundit, Gostivarit i duhet vetëm edhe një pikë për ta siguruar promovimin. Pas dy ditësh luan me Borecin që ka vetëm dy pikë.

Voska me barazimin 2:2 me Ohrid Lihnido siguroi promovimin në elitë.

“Kënaqësia më e madhe për mua si shqiptar në Ohër është që këtu në stadium për herë të parë këndohen këngët shqipe. Kjo më jep një gëzim të madh për shqiptarët, sepse të jetë shqiptar në Ohër nuk është shumë e lehtë. Ne po bëjmë gjëra që nuk janë realizuar asnjëherë. Kjo më gëzon më së shumti”, ka thënë Nefi Useini.

Trajneri Berat Imeri ka thënë se meritat për suksesin historik janë të lojtarëve.

“Jemi të lumtur dhe shumë krenarë që do të luajmë vitin e ardhshëm në ligën e parë. Të gjitha meritat shkojnë për lojtarët. Urime të gjithëve”, ka thënë Imeri.

Kontribut të madh te Voska Sport ka dhënë kapiteni Izair Emini. Ai më herët ishte ngjitur në elitë me Renovën dhe Shkëndijën. Këtë sukses tani e ka arritur me Voskën.

“Edhe vjet ishim konkurrent serioz për inkuadrim në Ligën e Parë. Mirëpo në fund nuk ia arritëm qëllimit. Atë që nuk e bëmë vitin e kaluar, mendoj se me plot meritë e bëmë këtë vit, duke shkruar historinë e klubit nga qytetit i bukur i Ohrit, Voska Sport”, ka thënë Emini.

Ai shënoi golin e barazimit, ndërsa atë ia ka kushtuar presidentit Nefi Useini. Emini ka bërë karrierë të suksesshme edhe në Kosovë. Ishte te Drita.

“Në ligë të parë jam ngjitur me Renovën e Shkëndijën. Gjithsej gjatë karrierës i kam pesë tituj të kampionit, dy kupa dhe dy superkupa. Një titull e kam në Shqipëri, një në Kosovë dhe tre në Maqedoni. I kam fituar gjithë titujt e mundshëm dhe për këtë jam krenar”, ka thënë 37-vjeçari Emini.

Voska pritet të shndërrohet në skuadër konkurrente edhe në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut.