Sport

E trimëruar pas triumfit në Larnaca, Kosova synon fitore edhe ndaj Greqisë

Fitorja e arritur në Larnaca të Qipros, të enjten me rezultatin 2:0, e ka trimëruar Përfaqësuesen e Kosovës, që synon edhe fitoren e dytë rresht në start të Ligës C të Ligës së Kombeve. Kosova, të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, do të përballet me Greqinë prej orës 20:45 në kuadër të grupit të dytë.

Do të jetë ballafaqim i dy skuadrave të para në tabelën e Ligës C2. Ndeshja e së enjtes për Kosovën ishte e katërta rresht pa disfatë. “Dardanët” kanë realizuar nëntë gola dhe kanë pësuar vetëm dy të tjerë gjatë kësaj periudhe. Synim të njëjtë, fitoren, e ka përzgjedhësi i Kosovës, francezi Alain Giresse. Në konferencën për shtyp të mbajtur të shtunën, përzgjedhësi Giresse ka nënvizuar se Kosova do të tentojë ta dominojë edhe Greqinë, ashtu siç bëri ndaj Qipros.

“Ndeshja me Greqinë është e rëndësishme, pasi të dyja ekipet kanë nga tri pikë. Do të përgatitemi maksimalisht për nesër. Nuk do t’u referohem ndeshjeve të kaluara. Ndeshjet që kanë përfunduar, kanë përfunduar. Kemi filluar kampanjën me rezultat pozitiv kundër Qipros. Kemi studiuar Greqinë se si kanë vuajtur ndaj Irlandës së Veriut. Ne do të tentojmë të paraqitemi në stilin dominues, njësoj si ndaj Qipros”, tha Giresse.

Francezi 69-vjeçar është shprehur i rezervuar se me çfarë formacioni do të luajë ndaj Greqisë, por vuri në theks zgjedhjet e shumta që kanë në fazën ofensive, por jo edhe në atë defensive.

“Padyshim, është zgjidhje e komplikuar në fazën e sulmit duke parë numrin e lojtarëve që kemi. Në fazën e sulmit, është shumë problematike për t’i përzgjedhur. Padyshim, pas stërvitjes së sotme ne nuk do të kemi dyshime si do të paraqitemi nesër. Mbi të gjitha, të vazhdojmë me këtë ritëm, të fitojmë sërish. Pastaj sipas nevojës, të bëjmë ndryshime në pozita të caktuara. Nëse marrim parasysh grupin që kemi, shohim që kemi probleme në pjesën defanzive në krahasim me atë ofanzive”, ka thënë ai.

Përkrah Giresses në konferencën për shtyp ishte edhe sulmuesi shtatlartë, Vedat Muriqi. Muriqi është një prej lojtarëve që ka shënuar gol më parë kundër Greqisë, por ai thekson se më e rëndësishme është që skuadra të marrë rezultat pozitiv të dielën.

Muriqi, po ashtu, tha se skuadra është e përgatitur që të mos bëjë gabimet që i bëri ndaj Qipros. Ai beson në aftësitë e gjithë grupit për një tjetër rezultat pozitiv. Rikonfirmoi se Kosova synon vendin e parë në grupin më të vështirë të Ligës C.

“E synojmë vendin e parë. Mund të them se është grupi më i vështirë në Ligën C. Ne, sidomos në lojën me Qipron kemi treguar se jemi pretendues për vendin e parë. Me Greqinë është ndeshje e rëndësishme, sepse janë dy skuadra me nga tri pikë. Gjithçka është në dorën tonë. Kemi dy kundërshtarë që janë më të fortë në krahasim me Qipron. Mund të shkojmë në plus nëntë pikë në grup dhe shpresoj që duke filluar nga nesër, ta krijojmë këtë avantazh”, tha fillimisht Muriqi.

Sulmuesi që ishte i huazuar te Mallorca, të premten u zgjodh lojtari më i mirë i muajit maj në La Ligën spanjolle. Ai realizoi një gol dhe dhuroi dy asistime gjatë muajit të shkuar. Mposhti konkurrencën e disa lojtarëve të njohur të kampionatit spanjoll. Me kontributin e Muriqit, Mallorca siguroi edhe mbetjen në La Liga, edhe për një sezon tjetër.

“Ndihem i nderuar pasi jemi ambasadorë të shtetit dhe e dimë si është puna politike me Spanjën. Kur e pashë mesazhin që jam shpallur lojtari i muajit u ndjeva mirë, sepse ishte edhe flamuri i Kosovës. Jam shumë i lumtur që në një ligë që është ndër katër më të mirat në botë, kam arritur ta fitoj këtë çmim dhe besoj që është diçka për t’u krenuar. Shpresoj të vazhdoj kështu edhe me Kombëtaren”, shtoi ai.

Kosova në Ligën C2 është e para aktualisht me tri pikë, falë goldallimit më të mirë. E ka një gol më shumë të shënuar sesa Greqia, që fitoi 1:0 ndaj Irlandës së Veriut në udhëtim në ndeshjen e parë. Pas ndeshjes me Greqinë, Kosova më 9 qershor luan në shtëpi sërish, por ndaj Irlandës së Veriut. Ndeshjet e këtij muaji i mbyll në udhëtim te Greqia më 12 qershor. Kampanjën e tretë të Ligës së Kombeve e mbyll në muajin shtator me ndeshjet në udhëtim tek Irlanda e Veriut dhe në shtëpi kundër Qipros.

Liga e Kombeve e këtij edicioni vlerësohet një tjetër rast i artë për Kosovën për ta synuar Evropianin e vitit 2024, si dhe promovimin në Ligën B të Ligës së Kombeve.

 

Fitorja e arritur në Larnaca të Qipros, të enjten me rezultatin 2:0, e ka trimëruar Përfaqësuesen e Kosovës, që synon edhe fitoren e dytë rresht në start të Ligës C të Ligës së Kombeve. Kosova, të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, do të përballet me Greqinë prej orës 20:45 në kuadër të grupit të dytë.

Posted by Sporti në KTV on Saturday, June 4, 2022