Suksesi në Mastersin e xhudos në Budapest i ka mundësar Laura Fazliut që të dal në pozitën e parë në ranglistën olimpike në kategorinë deri 63 kilogramë. Laura të shtunën fitoi medaljen e artë në njërën prej garave kryesorë të vitit, ndërsa të hënën u ngrit në pozitën e parë me 3620 pikë. Ajo ka lënë prapa japonezen Megumi Horikawa, që i ka 3060 pikë.
Ranglista olimpike dallon nga ranglista botërore, në të cilën Laura është e dyta. Për rangim olimpik, pikët e fituara në vitin e fundit kualifikues numërohen 100 për qind, ndërsa pikët e fituara në vitin paraprak llogariten 50 për qind. Laura fitoi 1800 pikë me suksesin në Budapest dhe ato i janë llogaritur të gjitha. Kjo i mundësoi që të dalë në pozitën e parë të ranglistës olimpike.
Laura shkëlqeu të shtunën në Masters, për të fituar të artën. Në Masters paraqiten vetëm xhudistët më të mirë nëpër kategori. Për të artën, Laura mposhti edhe dy japoneze, në gjysmëfinale dhe finale. Ato e shoqëruan në podium, ku kishte vend edhe për legjendën franceze, Clarise Agbegnenou.
“Jam shumë e kënaqur me paraqitjen në Masters. Shkoi çdo gjë mirë dhe isha e përgatitur për secilën kundërshtare. Ishte një ndjenjë e veçantë ta shoh veten në mesin e xhudisteve më të mira në botë, sidomos në shoqëri me legjendën franceze, Agbegnenou. Jam ndier shumë mirë”, ka thënë Laura Fazliu të hënën për KOHËN.
Ajo për herë të parë fitoi medalje të artë në garat e mëdha të xhudos. Kishte medalje të argjendta e të bronzta, por jo edhe të artë. Himni i Kosovës u intonua në nderim të Laurës.
“Kur u lëshua himni, ndjenja ishte e veçantë. Përjetova emocione që nuk i kam provuar më parë”, ka thënë Laura.
Fitorja ndaj dy japonezeve të nivelit më të lartë i ka dhënë edhe më shumë peshë suksesit të Laurës.
“Dy fitore ndaj japonezeve në Masters është gjë e madhe. Por isha e përgatitur edhe për ato si për të gjitha rivalet e tjera. Fitoret ndaj tyre më motivojnë shumë dhe më kanë rritur vetëbesimin për garat e ardhshme”.
Laura vlerëson punën që po e bëjnë trajnerët Driton Kuka e Majlinda Kelmendi. Kuka e Kelmendi janë gëzuar shumë për suksesin e Laurës, potencialin e të cilës e vlerësojnë lartë.
“Janë gëzuar shumë. Tash vetëm na mbetet të punojmë shumë që të përgatitemi për Lojërat Olimpike”, thotë Laura.
Kosova aktualisht i ka pesë xhudistë brenda normës olimpike. Te xhudistët në zonën që siguron normë janë edhe Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Loriana Kuka. Te xhudistët në zonën e normës është Akil Gjakova.