Sport

E “lodhur” nga barazimet, Prishtina shpreson që në fundjavë të kthehet te fitorja

Seria prej shtatë ndeshjeve pa fitore ka bërë që te Prishtina të ndiejnë obligim që periudhës pa trepikësh t’i japin fund në vikendin e ardhshëm. Skuadra e kaltër ka regjistruar gjashtë barazime dhe një humbje, duke ngecur ndaj tri skuadrave të para në tabelë.

Prishtina zë vendin e katërt me 13 pikë, gjashtë më pak se Llapi që zë vendin e tretë pas dhjetë xhirove të zhvilluara. Ballkani prin në tabelë me 23 pikë, dy më shumë se Drita. Këto dy ekipe kanë një ndeshje më pak të zhvilluar. Në kuadër të xhiros së dhjetë, të shtunën, Prishtina barazoi pa gola në Drenas me Feronikelin 74.

Të shtunën e ardhshme Prishtina në stadiumin “Fadil Vokrri” e pret skuadrën e Gjilanit.

Mbrojtësi Muhamed Useini është i bindur se ekipi nga kryeqyteti prej këtij dueli do t’u kthehet fitoreve. Useini insistoi se Prishtina do të dalë për pikët e plota në këtë ndeshje dhe të gjithë lojtarët do të japin gjithçka nga vetja për fitoren e parë pas një kohe të gjatë.

Fitorja e fundit e Prishtinës këtë edicion në Superligë daton më 26 gusht. Në kuadër të xhiros së tretë, pati mposhtur Malishevën 3:1 në ndeshjen e luajtur në kampin nacional të FFK-së në Hajvali.

“Kemi një ndeshje të vështirë kundër Gjilanit, por Prishtina duhet të tregoj se luan në shtëpi dhe duhet të jap më të mirën për të ndalur pikët e plota. Shpresoj që prej kësaj ndeshjeje do të rikthehemi te fitoret dhe do të punojmë maksimalisht që të jemi edhe më të përgatitur”, tha Useini të hënën për KOHËN.

Useini insiston se Prishtina nuk e ka merituar një seri të tillë pa fitore. Ai vlerëson se ekipit i ka munguar fati për të shënuar fitore në shtatë ndeshjet e fundit, duke u bazuar në rastet e krijuara dhe angazhimin në fushë. Prishtina deri më tani ka regjistruar dy fitore, shtatë barazime dhe një humbje.

“Mund të them lirisht se fati na ka munguar në këto ndeshjet e fundit. Nuk është se nuk kemi krijuar raste të shumta dhe nuk jemi angazhuar. Kemi bërë të pamundurën, por duket se duhet të punojmë akoma më fortë dhe të japim edhe më shumë nga vetja për t’u rikthyer te fitoret”, shtoi Useini.

Sipas tij, situata në tabelë nuk është pasqyrë reale e Prishtinës. Useini thotë se Prishtina ka ekip për të luftuar për tri vendet e para. Këtë do ta dëshmojë duke filluar nga ndeshja me Gjilanin, e cila i takon xhiros së 11-të.

“Besoj se Prishtina ka ekip për top-3 në tabelë dhe shumë shpejt do të jemi aty. E këtë do ta dëshmojmë duke filluar nga kjo javë, ndeshje pas ndeshjeje”.

Për Useinin ky është edicioni i dytë me fanellën e Prishtinës. Ai iu bashkua ekipit prishtinas vitin e shkuar nga Gjilani dhe e fitoi Kupën e Kosovës.

Gjilani ka tri fitore, dy barazime e pesë humbje. Zë vendin e shtatë në tabelë me 11 pikë të mbledhura.