E hëna e 10 janarit pritet të jetë dita vendimtare për të ardhmen e klubit të Drenicës. Nga kjo ditë mund të nisë një epokë tjetër për klubin nga Skenderaj. Klubi i futbollit Drenica pritet të bëhet shoqëri aksionare. Janë tri kompani ndërkombëtare që kanë shprehur interesim për të marrë aksione te klubi kuqezi.
Të hënën pritet të nënshkruhet kontrata mes përfaqësuesve të kompanive, Komunës së Skenderajt dhe të klubit të Drenicës. Më shumë se 50 për qind e aksioneve të klubit pritet t’u takojnë tri kompanive nga Zvicra. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, të dielën. Pikërisht Lushtaku ka qenë personi që ka negociuar që të arrihet marrëveshja.
“Që tri ditë jemi duke punuar intensivisht. Janë përfaqësuesit e tri kompanive të huaja që kanë shprehur dëshirën që ta marrin Drenicën. Po punojmë nga mëngjesi deri në mbrëmje. Mund të them se të hënën pritet të nënshkruhet kontrata mes kompanive, klubit dhe Komunës. E hëna do të jetë ditë vendimtare dhe mund të them se ditë të mira po e presin Drenicën. Detajet e tjera sa u përket kompanive dhe informacionet e tjera do të bëhen të ditura të hënën”, tha Lushtaku.
Drenica që pati batica e zbatica gjatë stinorit vjeshtor të Superligës së Kosovës në futboll, e ku në fokus ishin problemet e mëdha financiare, i ka nisur përgatitjet për stinorin pranveror. Me disa mungesa për arsye të ndryshme, drenicasit synojnë rezultatet pozitive edhe në pjesën e dytë të kampionatit.
“Ne i kemi nisur përgatitjet për stinorin pranveror tashmë tri ditë. Kemi pasur disa mungesa për arsye të ndryshme. Brenda dy-tri ditësh do të saktësohet se kush do të largohet. Trajneri dhe stafi do të jenë të njëjtët dhe do ta vazhdojnë punën”, u shpreh Lushtaku.
Ai konfirmoi lirimin e tre lojtarëve. Ndërkohë, për brazilianin Dennison Silva, i cili është raportuar se karrierën do ta vazhdojë në Shqipëri, Lushtaku tha se ka kontratë me Drenicën edhe për gjashtë muaj.
“Deri tani kemi liruar tre lojtarë, dy portierët Kaloshi e Haxhijaj dhe Erlis Frashërin. Mund të ketë edhe disa lojtarë të tjerë që do të largohen, e po ashtu do të ketë edhe ardhje të reja. Të gjitha do të dihen brenda dy-tri ditësh. Ai (Dennisoni) mund të stërvitet kudo, por ka kontratë me Drenicën edhe gjashtë muaj dhe do të jetë pjesë e Drenicës në pranverë”, përfundoi Lushtaku.
Drenica po kalon momentet më të rënda financiare që nga themelimi. Borxhi që klubi nga Skenderaj ka ndaj lojtarëve, zyrtarëve dhe ndaj shtetit, kap shifrën e rreth 600 mijë eurove. Lojtarët e skuadrës së parë nuk janë paguar gati qe pesë muaj, njëjtë sikurse anëtarët e tjerë të klubit. Kjo gjendje u bë e ditur në opinion pas dorëheqjes që ofroi kryesia e Drenicës në krye me Mustafë Bajraktarin. Dorëheqja u bë me 17 nëntor dhe që nga ajo kohë nuk ka ndryshuar asgjë. Madje borxhi vetëm sa është rritur. Drenica e nisi mbarë sezonin 2021/2022. Madje ishte edhe në pozitën e parë në tabelë duke qenë befasia më e mirë në start të kampionatit. Por, që nga humbja nga Prishtina në xhiron e 12-të me rezultatin 1:0, gjërat nuk shkuan mirë për ekipin e trajnerit Lushtaku.
Drenicasit pësuan pesë humbje rresht, të cilat ndikuan që në fund të stinorit vjeshtor të renditen në pozitën e gjashtë në tabelë. Pas 18 xhirove, Drenica ka mbledhur 23 pikë pas shtatë fitoreve, dy barazimeve dhe nëntë disfatave. Ka 22 gola të shënuar dhe po aq të pranuar. Drenica së bashku me Prishtinën janë dy klubet e vetme që nuk kanë rënë asnjëherë nga Superliga e Kosovës. Klubi nga Skenderaj nuk i ka fituar asnjëherë titullin e as Kupën e Kosovës.