Sport

E arta e Kasapit, dëshmi se xhudistët e rinj janë në rrugën e duhur

Fationa Kasapi ka fituar të dielën medaljen e parë të artë në garat e nivelit serioz të xhudos. Ajo u shpall kampione në kategorinë deri në 57 kilogramë në garën “European Open” për juniorë që në fundjavë u mbajt në Athinë.

Kasapi është 20-vjeçare dhe tani do të testohet edhe në garat e nivelit senior. Te kadetet ajo kishte një medalje të argjendtë në Kupë Evropiane, e po ashtu disa vende të shtata. Me të artën për juniorë bëri hapin e madh para. Dhe dëshmoi se ka potencial.

Për më tepër, e arta e Fationa Kasapit në garën serioze për juniorë dëshmon se gjenerata më e re e xhudistëve kosovarë është në rrugën e duhur. Këtë e pranon edhe trajneri Driton Kuka, që nuk ishte bashkë me ekipin në Athinë.

Pas lojërave olimpike “Tokio 2020”, ku Kosova fitoi dy medalje të arta, Kuka i ka kushtuar rëndësi më të madhe punës me gjeneratën më të re të xhudistëve, ku bën pjesë edhe Fationa. Dhe rritja e tyre është evidente pas muajve të punës me kryemjeshtrin.

Fationa e nisi garën me fitore ndaj izraelites Daniella Zaguri. Më pas e mposhti polaken Oliwia Watorek. Në gjysmëfinale fitoi ndaj francezes Maelenn Cotard, kurse në finale e mposhti turken Aysenur Karadag.

Fationa e kontrolloi luftën finale, por hedhjen për “Waza-ari” e realizoi dy sekonda para fundit të luftës.

“Jam shumë e lumtur pasi për mua është medalja e parë e artë. Ishte përvojë e shkëlqyeshme dhe dua të falënderoj organizatorët, ekipin tim dhe të gjithë për këtë ngjarje kaq të mahnitshme”, ka thënë Kasapi për sajtin zyrtar të Unionit Evropian të Xhudos.

Erza Muminoviq ka fituar medalje të bronztë në kategorinë deri 52 kilogramë. Në fakt, prej saj është pritur paraqitja në finale, por Muminoviq nga Athina largohet me medalje bronzi. Pa medalje kanë mbetur Dardan Cena, Loris Sharapolli, Rios Kuka dhe Dëbora Gjakova. Por sipas trajnerit Kuka të gjithë kanë dhënë sinjale se janë në rrugë të mirë.

Por për Fationën, Erzën, Deborën, Flaka Loxhën, Laura Fazliun dhe të tjerët rruga nuk vlerësohet e lehtë. Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova e Loriana Kuka kanë vendosur standard shumë të lartë. Dhe për të arritur rezultatet e tyre, gjenerata që po vjen duhet të ketë përkushtim maksimal. Përkushtimi maksimal kërkohet për të plotësuar kërkesat e trajnerit Kuka e që janë një lloj garanci për sukses të lakmueshëm ndërkombëtar.

“Jam i kënaqur me paraqitjen. Djemtë janë rrahur mirë, por në nivelin taktik nuk ishin në nivel. Pas Olimpiadës shumë gjëra i kemi rregulluar. Prej xhudistëve të kësaj gjenerate kam kërkuar që të respektojnë parimet e mia. Vetëm në këtë mënyrë unë merrem seriozisht me ta. Rregullat duhet të respektohen 100 për qind për ta përgatitur për nivelin më të lartë”, ka thënë Kuka për KOHËN. Xhudistët në Athinë i ka udhëhequr Fatos Tabaku, ndërsa Kuka ka përcjellë nga shtëpia paraqitjen e të gjithëve.

“Ka ende shumë punë për të bërë nga xhudistët e kësaj gjenerate. Por përnjëmend janë në rrugë të mirë”, ka pranuar Driton Kuka.

Respektimi i kërkesave të trajnerit Kuka nuk është gjë e lehtë. Shumë xhudistë, madje edhe një japonez, janë larguar rrugës për shkak të kërkesave të mëdha nga Kuka. Ai kërkon që fokusi i xhudistëve të jetë në nivelin e duhur dhe kjo kërkon sakrificë, madje jo vetëm në stërvitje.

“Vendet e tjera kanë avancuar në aspektin shkencor. Suksesin e kërkojnë me analiza të ndryshme shkencore. Ne qëndrojmë shumë prapa në këtë drejtim dhe mund të matemi me vendet e tjera, për shembull me Holandën, vetëm me seriozitet. Deri më tani kjo qasje ka pasur sukses dhe unë si trajner nuk heq dorë prej saj. Edhe për xhudistët vlejnë parimet e njëjta, natyrisht nëse duan suksese të mëdha”, ka theksuar Kuka.