Sport

Dy trofe brenda tre muajve – Batatina thotë se është lider që po dëshmohet

Brenda tre muajve, skuadra e Llapit ka arritur të fitojë dy trofe të rëndësishëm të futbollit kosovar në krye me trajnerin Tahir Batatina. Në mesin e muajit maj, për herë të parë në histori të klubit, Llapi e fitoi Kupën e Kosovës. Në finale mposhti Dukagjinin pas gjuajtjes së penalltive. Ndërkaq, të martën në mbrëmje, ia doli që ta rrëmbejë edhe Superkupën, duke triumfuar përballë Prishtinës 3:1 pas 120 minutash lojë. Edhe trofeu i Superkupës është i pari në historinë e Llapit. Përveç këtyre dy sukseseve të mëdha, ekipi llapjan luajti për herë të parë edhe në garat evropiane. U eliminua nga Shkupi në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka deklaruar për KOHËN se po ndihet krenar pas investimeve shumëvjeçare që ka bërë ai dhe familja e tij. Batatina nënvizon se mundi i është shpërblyer.

“Po ndihem mirë dhe i lumtur. Pas shumë investimeve shumëvjeçare në klub, m’u shpërblye mundi si trajner me dy trofe që tregon edhe një herë vendosmërinë dhe përkushtimin për sukses, duke besuar në punën time dhe potencialin që kam si trajner. Zoti nuk ta humbë mundin”, u shpreh Batatina.

Ai shton se Prishtinën ia doli që ta mposhtë taktikisht. Batatina thotë se për atë punë është trajneri.

“Mendoj që pjesa taktike ishte vendimtare që ta fitonim Superkupën kundër Prishtinës. Për këtë arsye jemi ne trajnerët. Duhet të marrim vendime brenda ndeshjes dhe trajneri matet me cilësi kur menaxhon një ndeshje futbolli. Mendoj që e kam bërë një përvojë të mirë dhe tani mund të intervenoj dhe ta fitoj ndeshjen edhe kur ekipi nuk është në ditën më të mirë”, tha Batatina.

Të dy trofetë, Llapi i fitoi në stadiumin “Fadil Vokrri”. Sukseset Batatina i lidh edhe me emrin e legjendës Fadil Vokrri, që ka luajtur edhe për Llapin.

“Është e vërtetë që dy trofetë i fitova në stadiumin ku motivohem si trajner, sepse aty figuron emri i legjendës dhe presidentit historik, Fadil Vokrri. Kjo më bën të lumtur që dy trofetë që i fitova janë pikërisht në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ dhe fati i skuadrës është tek emri i legjendës Fadil Vokrri”, nënvizoi trajneri i Llapit. “Mendoj që tani fokusi im do të jetë te titulli i kampionit dhe ta kompletoj një pjesë të suksesit tim si trajner. Fillimi i mbarë duke e fituar Superkupën është mesazh që jemi të organizuar dhe do të jemi skuadër solide në kampionat. Do të punojmë shumë që në kampionat të tregojmë ndeshje cilësore”.

Ai thekson se i ka heshtur skeptikët që nuk kanë besuar në punën e tij. E quan veten si lider dhe menaxher të dëshmuar në futbollin e Kosovës.

“Ka shumë njerëz që kanë qenë skeptik dhe nuk kanë besuar në potencialin tim, por koha tregon për çdo personalitet. Unë atyre iu them që paragjykimet nuk janë të mira për shoqërinë tonë dhe ngritjen e futbollit. Unë jam përqendruar në punën time dhe asnjëherë nuk jam marrë me ta, sepse lideri nuk merret me ata që nuk e kuptojnë se çka do të thotë lidershipi dhe menaxhimi i një skuadre”, tha Batatina.

Sikurse trofeun e Kupës, edhe atë të Superkupës, trajneri llapjan thotë se e ka dërguar në sheshin kryesor para shtatoreve të dëshmorëve.

“Pas ndeshjes, e dërguam trofeun e Superkupës te katër heronjtë në sheshin e Podujevës. Gjithmonë do t’i respektojmë dhe nderojmë ata që u flijuan për këtë vend dhe liri që sot po e gëzojmë”, theksoi ai.

Në fund, Batatina flet edhe për synimet që ka në sezonin e ri me Llapin. E pranon se këtë edicion e ka ekipin më të mirë deri me tani prejse është trajner futbolli.

“Mendoj që në këtë kampionat e kam skuadrën më të mirë që prejse jam trajner i futbollit. Kam krijuar një skuadër me djem me potencial, por edhe cilësorë, një skuadër të komponuar mirë, ku filozofinë time dhe të lojës që dua ta aplikoj e ka kuptuar skuadra në mënyrë profesionale. Kjo ka bërë që tani ta kem shumë më të lehtë të funksionoj dhe dua të veçoj se në ekip kam lojtar të dëshmuar në Superligë, por edhe djem që kam promovuar me vite dhe tash ata vijnë në shprehje. Kam krijuar disiplinë dhe profesionalizëm në skuadër, por edhe organizim të mirë që të mos mungoi suksesi i skuadrës”, përfundoi Batatina.

Llapi që ka histori 89-vjeçare, është rikthyer në Superligën e Kosovës në edicionin 2015/2016 dhe qe gjashtë vjet renditet në pjesën e epërme të tabelës. Gjatë kësaj periudhe investitorë të klubit kanë qenë vëllezërit Batatina. Klubi nga Podujeva nuk e ka fituar asnjëherë titullin e kampionit. Dy herë është renditur në pozitën e tretë në Superligë (2017/2018 dhe 2018/2019). Si dhe dy herë ka qenë në finale të Kupës, ku e ka fituar një herë dhe ka dështuar një herë tjetër.