KH Deçani dhe KHF Vëllaznimi janë larguar nga garat e edicionit aktual në Superligën e Kosovës në hendboll. Klubi i hendbollistëve nga Deçani dhe ai i hendbollisteve nga Gjakova janë tërhequr me arsyetimin se kanë probleme organizative.
Kështu Superliga e meshkujve dhe ajo e femrave mbesin me nga një skuadër më pak.
Largimin e Deçanit dhe KHF Vëllaznimit e ka konfirmuar FHK-ja.
Në Superligën e hendbollistëve tani do të zhvillohen nga tri ndeshje për xhiro. Në fundjavë është xhiroja e 22-të. Të shtunën prej orës 20:00 është ndeshja Rahoveci – Prishtina, ndërsa të dielën nga ora 19:00 janë takimet Trepça – Kastrioti e Besa Famgas - Vushtrria. Për shkak të tërheqjes së Deçanit, Vëllaznimi është i lirë.
Në fakt edhe Vëllaznimi e Vushtrria kanë paralajmëruar tërheqjen, por megjithatë kanë vazhduar me gara.
Te hendbollistet kanë mbetur nëntë skuadra në Superligë. Në fundjavë është xhiroja e 14, ndeshjet e së cilës janë: Istogu – Jusuf Gërvalla, Samadrexha – Ferizaj, Prishtina – Kastrioti, Ulpiana – Vushtrria. Shqiponja pushon pas tërheqjes së Vëllaznimit.