Sport

Dy ndeshje për portierin Onana brenda 24 orëve

onana

Portieri i Manchester Unitedit, Andre Onana, do të udhëtojë drejt Bregut të Fildishtë për Kupën e Afrikës (AFCON), menjëherë pas ndeshjes me Tottenhamin në kuadër të Premier Leagues. Dueli mes Unitedit dhe Tottenhamit do të luhet më 14 janar dhe Onana jo vetëm që do të jetë në portë në këtë ndeshje, por do të paraqitet edhe te Kameruni 24 orë më vonë në përballjen e parë të Kupës së Afrikës kundër Guinesë.

Kjo është marrëveshja e arritur ndërmjet të gjitha palëve – Onanas, Manchester Unitedit dhe Federatës së Futbollit të Kamerunit. Me këtë marrëveshje është mundësuar që bashkimi i Onanas me Kamerunin të shtyhet, ndonëse skuadrat janë të detyruara t’i lirojnë lojtarët dy javë para fillimit të Kupës së Afrikës. Kështu që 27-vjeçari Onana do të jetë në gjendje të paraqitet edhe në ndeshjen e raundit të tretë të Kupës FA që Unitedi e luan të hënën me Wigan Athletic, gjashtë ditë përpara duelit me Tottenhamin në stadiumin “Old Trafford”.

Pas këtij dueli, Onana menjëherë do të fluturojë drejt Bregut të Fildishtë për të qenë në dispozicion të Kamerunit për ndeshjen e parë të Kupës së Afrikës. Turneu afrikan nis më 13 janar dhe do të zgjasë deri më 11 shkurt, ndërsa do të marrin pjesë 24 përfaqësuese të këtij kontinenti. Unitedi transferoi Onanan nga Interi korrikun e kaluar me dijeninë se ai ishte tërhequr nga përfaqësuesja e Kamerunit dhe nuk do të shkonte në Kupën e Afrikës, gjë që iu komunikua edhe nga vetë portieri.

Mirëpo, Onana u bind nga Federata e Futbollit e Kamerunit dhe faktorë të tjerë të kthehej, një vendim që United e respekton plotësisht. Edhe krerët e federatës kamerunase pranojnë se Unitedi nuk priste të humbiste Onanan në një pikë kyç të edicionit dhe ka pasur hezitime për ta liruar për Kupën e Afrikës. Duke pasur parasysh rolin e tij në vendimin e tij, Federata e Kamerunit dëshironte të punonte me Unitedin për të arritur një kompromis që maksimizon kohën e lojës së Onanës për të dyja skuadrat. Nëse Kameruni nuk arrin të avancojë nga grupi në AFCON - i cili përmban edhe Senegalin e Gambinë - ai mund të mos humbasë asnjë ndeshje të Unitedit. Ndeshja e fundit e Kameurnit në grup është kundër Gambisë më 23 janar, katër ditë përpara duelit të mundshëm të Unitedit në kuadër të raundit të katërt të Kupës FA nëse eliminon Wiganin.

Nëse Kameruni përparon dhe në varësi të asaj se sa larg shkon, ndeshja e radhës e Unitedit në Premier League do të jetë në udhëtim te Wolverhamptoni më datën 1 shkurt. Ekipi i trajnerit Erik ten Hag pret West Ham Unitedin më 4 shkurt dhe luan në udhëtim tek Aston Villa më 11 shkurt - në të njëjtën ditë me finalen e Kupës së Afrikës. Ten Hag ka thënë se ka besim të plotë te portieri rezervë Altay Bayindir, të cilin e transferoi para fillimit të këtij edicioni nga Fenerbahçe, por që ende nuk e ka bërë asnjë paraqitje. Gjithashtu, opsioni tjetër alternativ i Unitedit është edhe Tom Heaton. Onana u përfshi në ekipin prej 27 lojtarësh të Kamerunit për AFCON të enjten e kaluar, pavarësisht se i dha fund karrierës së tij ndërkombëtare në vitin 2022 për shkak të një mosmarrëveshjeje me presidentin e federatës, Samuel Eto'o, në Kupën e Botës të atij viti në Katar. Onana ka debutuar në shtator të vitit 2016 me Kamerunin dhe deri më tani ka regjistruar 37 paraqitje.