Sport

Dy medalje evropiane, dëshmi që xhudoja kosovare mbetet superiore

Tri xhudiste, dy medalje. Dita e parë e Kampionatit Evropian ishte plotësisht e suksesshme për ekipin e Kosovës. Kështu vlerëson edhe trajneri Driton Kuka.

Nxënësit e tij ka 11 vjet rresht që fitojnë medalje nga gara kryesore kontinentale. Janë plot 21 medalje deri më tani. Dy të radhës u fituan të premten në Montpellier të Francës, ku nisi Evropiani i vitit 2023. Fillimisht Distria Krasniqi fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri 52 kilogramë. Më pas Nora Gjakova fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri 57 kilogramë.

Ka garuar vetëm gjysma e ekipit të Kosovës. Gjysma tjetër garon të shtunën.

“Kemi të tjerë adutë për medalje”, thotë Kuka.

Akil Gjakova, Laura Fazliu e Loriana Kuka janë adutët e tjerë. Të tre kanë medalje evropiane tashmë.

Për gjysmën e parë të ekipit, trajneri Kuka është shumë i kënaqur.

“Dy medalje evropiane për vazhdimësi të nivelit të lartë të xhudos sonë. Tjetër sukses në nivele elitare. Jam i kënaqur edhe me rezultat edhe me paraqitje. Distria ishte më e mirë në finale gjatë gjithë luftës. Bëri një gabim në luftën në dysheme dhe francezja e shfrytëzoi. Nora ka mundur më shumë, por medalja ishte me rëndësi sot për të. Flaka ende nuk po e gjen veten, ndonëse mendoj që nuk është larg medaljeve të mëdha”, ka analizuar Kuka për KOHËN paraqitjen e tri xhudisteve.

Medaljen tjetër evropiane, Distria e fitoi në kategorinë deri 52 kilogramë, ku ishte bartëse e parë. Në finale u mposht nga francezja Amandine Buchard, bartësja e dytë dhe medalistja olimpike, botërore e evropiane. Me Buchardin, Distria tani ka një fitore e katër humbje. Këtë vit bilanci është 2:1 në të mirë të xhudistes franceze.

Finalja ishte e fortë, ndërsa u dominua nga Distria. Ajo kishte iniciativën vazhdimisht dhe kërkoi hedhjen. Në kohën shtesë, kur Buchard kishte dy dënime, një situatë në dukje e parrezikshme, vendosi fituesen. Buchard përfitoi nga lufta në dysheme dhe me mbajtje siguroi fitoren dhe medaljen e artë.

Deri në finale, Distria arriti me tri fitore. Në raundin e dytë e mposhti me dy uazari kroaten Ana Viktorija Puljiz, medaliste nga Evropiani i vitit të kaluar. Në çerekfinale, Distria ishte më e mirë se xhudistja e Azerbajxhanit, Gultaj Mammadaliyeva. Azerbejxhanasja pësoi tri dënime dhe kështu Distrisë i takoi fitorja me Ippon. Në mënyrë të njëjtë fitoi në gjysmëfinales ndaj italianes shumë të suksesshme, Odette Giuffrida. Lufta me Giuffridan ishte shumë e fortë, ndërsa italiania mori dënimin e tretë në kohën shtesë.

Distria tani ka pesë medalje evropiane.

Edhe më shumë ka Nora Gjakova – shtatë. Nora fitoi të bronztën në kategorinë deri 57 kilogramë.

Për medalje të bronztë, Nora e mposhti gjermanen Seija Ballhaus. Ndaj saj fitoi me Ippon në kohën shtesë. Lufta ishte shumë e fortë, por Nora kërkoi vazhdimisht hedhjen. Atë e realizoi në minutën e nëntë të luftës. Realizoi aksion të bukur për ta mbyllur me sukses ditën. Nora në fakt deri në finale nuk ishte në ditën më të mirë të saj, por megjithatë vazhdoi të jetë në podiumin e Kampionateve Evropiane.

Si bartëse e dytë, në rundin e parë ishte e lirë. Në raundin e dytë e mposhti polaken Arleta Podolak. Podolak pësoi shpejtë tri dënime dhe kështu Nora avancoi. Në çerekfinale, xhudisten kosovare e mposhti gjermania Pauline Starke. Ajo realizoi uazari në kohën shtesë.

Raundin e parë të repesazhit, Nora e kaloi pa luftë pasi izraelitja Timna Nelson Levy nuk doli fare në tatami. Nora nga Evropianët ka një të artë, një të argjendtë dhe pesë të bronzta.

Në kategorinë deri 57 kg, të premten garoi edhe Flaka Loxha. Në luftën e parë e mposhti bullgaren Ivelina Ilieva. Por në rundin e dytë pësoi nga serbja Marica Perishiq.

Në kampionatin kontinental po marrin pjesë 386 xhudistë nga 46 vende. Pak prej vendeve fitojnë medalje. Kosova tashmë është në mesin e tyre. Por të tjera synon të shtunën. Medaljen e 22-të e ndoshta të 23-të e 24-t.