Sport

Dy medalje e plot gjëra pozitive, Driton Kuka largohet nga Parisi shumë i kënaqur

Vendi i parë dhe medalje ari për Distria Krasniqin. Vendi i tretë dhe medalje bronzi për Akil Gjakovën. Vendi i pestë për Nora Gjakovën e i shtati për Dardan Cenën.

Vendi i pestë në plasmanin e përgjithshëm në mesin e plot 107 shteteve pjesëmarrëse.

Gara më prestigjioze e xhudos, Grand Slami i Parisit, ishte rrëfim tjetër suksesi për Kosovën, përkatësisht për ekipin e Driton Kukës, kryemjeshtrit të sportit tashmë kryesor luftarak.

Të dielën mbrëma, pas tri ditësh shumë të ngarkuara, Kuka për KOHËN ka bërë një analizë të detajuar të garës së xhudistëve kosovarë në Paris. Si asnjëherë më parë ai ua dha rastin tetë xhudistëve. Deri më tani numri maksimal ishte pesë. Në Paris, Kuka u asistua nga Majlinda Kelmendi, kampione olimpike.

Të premten Distria fitoi të artën në kategorinë deri 52 kilogramë. Për Distrinë është e treta e artë në Paris. Nora u rendit e pesta, ndërsa Flaka Loxha e shënoi një fitore në kategorinë deri 57 kilogramë.

Të shtunën Akil Gjakova fitoi medalje të bronztë në kategorinë deri 73 kg. Tradicionalisht është kategoria me më së shumti konkurrencë. Gjithsej 69 xhudistë garuan në këtë kategori. Në mesin e tyre edhe Dardan Cena, që u rendit i shtati, një rezultat që trajneri Kuka e vlerëson lart. Laura Fazliu nuk e kishte ditën dhe u eliminua në luftën e dytë.

Të dielën në tatami dolën Loriana Kuka, që u ndal në luftën e parë, dhe Shpati Zekaj që kaloi një xhudist të njohur francez e më pas humbi luftën që njëherë e kishte fituar. Në fakt Zekaj realizoi hedhje për uazari ndaj ukrainasit Anton Savytskiy, në luftën që e dominoi. Por gjyqtarët anuluan uazarin e Shpatit dhe e dënuan atë për kapje nën brez, në bazë të një rregulli shumë të kontestuar.

Kështu fitorja i takoi ukrainasit, por Shpati dëshmoi që po ngrihet aty ku dëshiron trajneri Kuka.

Janë Dardan Cena e Shpati Zekaj që kanë kënaqur kryetrajnerin Kuka më së shumti me paraqitjen në Paris.

“Jam i kënaqur”, ka pranuar Driton Kuka.

“I gjithë ekipi ka treguar potencialin. Sinqerisht po më gëzon paraqitja e Dardanit dhe e Shpatit. Për Distrinë, Akilin dhe Norën është konfirmim i rritjes së performancës drejt Lojërave Olimpike që mbahen po në Paris. Laura nuk ishte në ditë të mirë, por ajo mbetet në krye të ranglistës olimpike. Duhet ende të punojmë. Loriana është ende brenda zonës që siguron normën olimpike. Besoj se edhe ajo do të jetë pjesë e Olimpiadës. Deri në Olimpiadë ekziston edhe mundësia e rritjes së formës”, ka shtuar Kuka, duke mos fshehur optimizmin.

Image

Natyrisht, është optimizëm i mbështetur në punën kolosale dhe ngritjen e vazhdueshme të ekipit të Kosovës në xhudo.

Në Paris, në ngjarjen që shquhet për atmosferën madhështore, garuan plot 621 xhudistë. Me tetë prej tyre Kuka është i kënaqur. Si rrallë herë nuk ka dhënë asnjë vërejtje. Ai njihet si trajner shumë kërkues. Dhe shumë i suksesshëm po ashtu.

“Flaka Loxha po rritet ngadalë, por do të vije koha e saj. Për herë të parë jam i kënaqur me gjithë ekipin. Grand Slami i Parisit është ngjarje e pabesueshme sa i takon konkurrencës”, ka shtuar Kuka, që i është kthyer analizës për paraqitjen e xhudistëve.

Më pak ka folur për Akilin e konfirmuar e më shumë për Shpatin e Dardanin, ata që po vijnë.

“Secili prej xhudistëve ka shfaqur nivel më të lartë. Ekipi po rritet. Shpati e hodhi dhe e mbajti ukrainasin. I kushtoi një rregull koti, njëjtë si javën e kaluar Lorianës në Portugali. Pra, dominoi. Fillimisht e mposhti një legjendë të xhudos franceze, Alexandre Iddir. Më pas demoloi ukrainasin, por u penalizua për kapje nën brez. Arena ‘Bercy’ protestoi për Shpatin. E kam të qartë që është rregull, por është kot fare. Do të eliminohet pas Lojërave Olimpike. Më vjen keq për Shpatin, do të hynte në tetë më të mirët, që do të ishte rezultat i jashtëzakonshëm për të. Dardani ndërkohë ka konfirmuar se e pret karrierë e ndritshme, natyrisht duke vazhduar me punë të madhe e përkushtim”, ka theksuar Kuka.

Trajneri më i suksesshëm shqiptar për herë të parë ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e Shpati Zekajt në mesin e të rriturve. Vlerëson edhe Dardanin e Akilin, ndërsa për xhudistet thekson se zakonisht ndonjëra del në skenë e ndonjë tjetër nuk e ka ditën.

“Jemi në pesëshe dhe me pak fat do të ishim edhe më lart. Por unë jam shumë i kënaqur me dy medaljet dhe me paraqitjen e të tjerëve. Unë jam befasuar për të mirë gjatë këtij qëndrimi në Paris”, ka thënë Driton Kuka.

Ai do të kthehet me ekip në kryeqendrën franceze në fund të korrikut. Do të jetë atje për qëllimin e madh – medaljen olimpike. Apo më mirë, për medaljet olimpike.

Image