Sport

Dy kandidatët për kryetar premtojnë fundin e telasheve për karatenë

Besart Baruti dhe Shemsi Shaqiri kanë qenë goxha aktivë me publikimin e fotografive në rrjetet sociale. Nëpërmjet fotografive janë munduar të tregojnë mbështetjen që kanë para Kuvendit të përbashkët të jashtëzakonshëm zgjedhor në Federatën e Karatesë së Kosovës (FKK).

Kuvendi i radhës i jashtëzakonshëm zgjedhor në Federatën e Karatesë do të mbahet të shtunën.

Baruti e Shaqiri janë kandidatët e vetëm për ta fituar garën për të parin e komunitetit të karatesë, që ka funksionuar i ndarë në dy grupe nga korriku i vitit të kaluar.

Në fakt, nga korriku janë mbajtur tri kuvende, nga grupi i udhëhequr nga Nazmi Gashi e Besart Baruti dhe nga grupi i drejtuar nga Avni Gashi.

Avni Gashi ka hequr dorë nga kandidatura, ndërsa ka shprehur publikisht mbështetjen për Shemsi Shaqirin.

Dy grupet janë “pajtuar” dhe të shtunën do ta zgjedhin udhëheqjen e re - kryetarin, dy nënkryetarë dhe nëntë anëtarë të Bordit.

Të drejtë pjesëmarrjeje në Kuvend kanë të gjitha klubet që, ndër të tjera, janë të licencuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Janë 49 klube që kanë përmbushur kriteret për pjesëmarrje në Kuvend.

Si Baruti ashtu edhe Shaqiri kanë bindjen se do të dalin fitues në Kuvendin e së shtunës.

“Nëse nuk do të besoja se do ta fitoja, nuk do të hyja në garë”, ka thënë Baruti.

Fuqishëm në fitore beson edhe Shaqiri.

“Në bazë të përkrahjes nga komuniteti, besoj se jam fitues”, është shprehur Shaqiri.

Federata e Karatesë e Kosovës e ka të pezulluar nga shtatori licencën nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

MKRS-ja ia pati pezulluar licencën duke aprovuar propozimin e Komisionit Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive. Ishte vlerësuar se veprimet e Federatës së Karatesë janë në kundërshtim me Ligjin për sport, Udhëzimin Administrativ për kushtet, kriteret dhe procedurat e themelimit, licencimit të federatave, si dhe Statutin e FKK-së.

Ka pasur akuza e kundërakuza nga të dy grupet. Po ashtu, ka pasur takime e ndërmjetësim edhe nga dy institucionet, MKRS-ja dhe Komiteti Olimpik i Kosovës.

Shkaku i telasheve të udhëheqësve, më së shumti pësuan sportistët. FKK-ja humbi të drejtën e mjeteve të shumta financiare nga MKRS-ja e po ashtu edhe të sponsorëve. Telasheve mund t’iu vijë fundi të shtunën.

“Mbështetja është masive, por kuvendarët vendosin. Besoj në fitore të ekipit tonë. Nga 4 korriku i vitit të kaluar kam udhëhequr Federatën, por kemi pasur disa telashe dhe besoj se tash gjithçka do të rregullohet. Familjarisht jemi marrë me karate, afërsisht pesë dekada me këtë sport. Nën drejtimin tim, Kosova ka arritur ta fitojë vendin e tretë në botë në garat ekipore. Ka qenë e vetmja prej se ekziston karateja”, ka thënë Baruti.

Situata në karate krijoi edhe ndarje te sportistët. Melos Gashi, i biri i Avni Gashit, vendosi të largohet nga Kosova dhe tashmë përfaqëson Shqipërinë. Ndërkohë, kishte vendim për ta lënë jashtë Botërorit edhe Fortesa Oranën, pasi ishte rreshtuar me grupin që udhëhiqej nga Avni Gashi. Por vetëm pasi hoqi dorë nga pozita e anëtares së Bordit, Orana u fut në listën e pjesëmarrësve në Botëror. Ajo udhëhoqi më pas Kosovën drejt medaljes së bronztë në garat ekipore.

Suksesin e ekipit të karatesë Baruti e rendit si të arritur të Federatës nën drejtimin e tij.

“Sporti i karatesë është prej sporteve më të papërkrahura financiarisht. Kemi hapësirë të sjellim sponsorë për të zhvilluar aktivitetin me më shumë komoditet, jo siç është zhvilluar karateja. Edhe masiviteti është mision i imi. Do ta kemi po ashtu fokusin që të kemi rezultate kulmore në arenën ndërkombëtare. Vendi i tretë nuk është se i ka bërë përshtypje shtetit, nuk e ka trajtuar ashtu siç duhet”, ka theksuar Baruti.

Edhe Shemsi Shaqiri i klubit të karatesë Sharri insiston se nën drejtimin e tij karateja do të arrijë suksese kulmore.

“Mendoj se karateja do të lulëzojë nën drejtimin tim. Me fuqinë time të punës dhe me ndihmën e kolegëve do të ecim shumë përpara. E di procedurën dhe do t’i kalojmë të gjitha barrierat. Do ta kthejmë karatenë në rrugën e duhur. Me ardhjen time në krye të Federatës do të sjell edhe donatorë të rregullt e jo me gënjeshtra. Sportistët nuk do ta kenë problem anën financiare. Garuesve nuk do t’u mungojnë aktivitetet dhe përgatitjet për gara. Do të trajtohen me dinjitet”, ka theksuar Shaqiri.

Ai thotë se është kandidat konstruktiv. Insiston se ka përkrahjen e dy grupeve.

“Jam futur në këtë garë për të drejtuar punët e Federatës. Ka pasur telashe dhe disa njerëz kanë nisur ta shkatërrojnë karatenë. Unë jam propozuar nga rrethi i dy grupeve. E kanë vlerësuar punën time për më shumë se 20 vjet në klubin e karatesë Sharri. Nuk do të ketë barriera tek unë. E njoh gjithë komunitetin e karatesë dhe ndarjet tek unë nuk do të ekzistojnë. Ai që punon do të ketë vend tek unë”, ka thënë Shaqiri.