Sport

Dy humbje shumë të thella për Ferizajn në Spanjë

Hendbollistet

Hendbollistet e Ferizajt nuk i kanë bërë fare rezistencë skuadrës spanjolle, Caja Rural Aula Valladolid.

Të dy ndeshjet e raundit të dytë të Kupës Evropiane u zhvilluan në Spanjë dhe zakonisht zhvillimi i dy ndeshjeve në udhëtim paralajmëron dorëzim të parakohshëm. Dhe pikërisht kjo ndodhi me fituesin në fuqi të Kupës së Kosovës.

Për më tepër Ferizaj në Spanjë ishte pa tri prej lojtareve kryesore, që janë nga Afrika e që nuk u pajisën me viza. Ferizaj në përbërje i kishte vetëm dhjetë lojtare, që është thuajse e pakuptueshme për ndeshje evropiane. Madje dy prej lojtareve i kishte të huazuara nga Shqiponja e Gjakovës.

Të premten, Valladolidi fitoi me rezultat 39:12 ndaj Ferizajt. Rrjedha ishte e njëjtë edhe në ndeshjen e së dielës, të cilën Valladolidi e fitoi 40:18.

Skuadra spanjolle avancoi në raundin e tretë të Kupës Evropiane duke triumfuar me rezultatin e përgjithshëm 79:30.  Kupa Evropiane është niveli i tretë i garave evropiane për klube të hendbollit.

Dy ndeshje në udhëtim ka vendosur t’i luaj edhe Samadrexha, që do të paraqitet në Portugali. Ndërkohë Istogu i luan në Pejë dy ndeshje me një skuadër nga Greqia.

Zhvillimi i dy ndeshjeve në udhëtim është kritikuar vazhdimisht. Por klubet e hendbollit vazhdojnë t’iu përmbahen kësaj praktike që zakonisht është humbëse.