Arbnor Ramadani nuk e kishte fatin që ta kalonte raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës sa ishte anëtar i skuadrës së Llapit. Skuadra llapjane ishte eliminuar nga Shkupi në raundin e parë kualifikues në vitit 2021, ndërsa një vit më pas nga Buduqnosti i Podgoricës.
Ramadani gjurmë të mëdha la të enjten mbrëma, por me fanellën e skuadrës së Gjilanit. Ai shënoi dy gola në barazimin 2:2 në ndeshjen në udhëtim te skuadra nga Luksemburgu, Progres Nierderkorn. Ishte ndeshja e parë e raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Mesfushori ofensiv, Ramadani, të dy golat i shënoi nga penalltia, në minutën e 48-të dhe të 66-të. Nga pika e bardhë gjuajti në mënyrë thuajse të njëjtë.
Dy golat e Ramadanit në garën e tretë të UEFA-s për nga rëndësia japin shpresë se Gjilani do ta kalojë këtë raund kualifikues.
Besim në kualifikim ka edhe vetë mesfushori, që është trimëruar pas paraqitjes në Luksemburg.
“Paraqitja ekipore ishte e mirë. Nuk rrezikuam shumë dhe mendoj se mundemi edhe më tepër. Besoj se në ekipin tonë ka cilësi të mëdha. Sa i përket paraqitjes individuale, jam i lumtur natyrisht. Golat në garat evropiane janë gjithmonë të veçantë. Edhe më i mirë është fakti sepse morëm rezultat pozitiv nga ndeshja e parë. Shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm”, ka thënë Ramadani të premten për KOHËN.
Ai thotë se ka punuar shumë që gëzimi të mos i mungojë edhe në Evropë.
Ramadani ka festuar tituj e Kupa të Kosovës në të kaluarën. E fitoi titullin me Dritën në vitin 2018, ndërsa dy herë rresht ishte triumfues në Kupën e Kosovës me Llapin, skuadër me të cilën e fitoi edhe Superkupën e Kosovës.
“Mendoj se kam punuar mjaft shumë për këtë ditë, që t’i ndihmoj skuadrës që të arrijmë suksese të reja si kjo në Ligën e Konferencës. Uroj që të kem formë të ngjashme edhe në ndeshjet e tjera. Natyrisht se unë luaj për skuadrën sepse e rëndësishme është që të fitojmë si skuadër”, është shprehur Ramadani.
Ramadani uron që me Gjilanin të shkojë sa më larg që është e mundur në garat evropiane. Por nuk e di nëse do të qëndrojë edhe për një edicion te skuadra “kuqebardhë”.
Ai është i kënaqur me cilësinë aktuale në skuadrën që tani udhëhiqet nga Klodian Duro. Duro në krye të ekipit gjilanas erdhi pas largimit të Zekirija Ramadanit.
“Është e vërtetë që ka pasur ndryshime në skuadër, por jemi duke punuar maksimalisht që të kualifikohemi në raundin tjetër. Personalisht për momentin jam i fokusuar te Gjilani në këto ndeshje që i kemi. Pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë me të ardhmen time”, është shprehur Ramadani.
Gjilani edicionin e kaluar e mbylli me 54 pikë në vendin e tretë, ndërsa ishte edhe në finale të Kupës së Kosovës. U përball me telashe financiare, të cilat i tejkaloi në pjesën e dytë të kampionatit.
Ndeshja e dytë me Progresin është të enjten e ardhshme në “Fadil Vokrri”. Rezultati 2:2 nga ndeshja e parë e lë të hapur mundësinë e kualifikimit për të dy skuadrat.
Edhe skuadra nga Luksemburgu vlerëson se ka rastin për kualifikim.
“Ne kemi dashur fitoren në ndeshjen e parë. Do të ishte rezultat i drejtë. Pas një jave këmbët tona do të jenë në gjendje edhe më të mirë dhe për këtë e pres me shumë besim ndeshjen e dytë”, ka thënë trajneri i Progresit, Jeff Strasser.
Gjilani ishte njëra prej shtatë skuadrave shqiptare që të enjten luajtën ndeshje në Ligën e Konferencës. Bilanci ishte tri fitore, tri barazime dhe një humbje.