Trajneri i Feronikelit, Klodian Duro, ka thënë se përjashtimi i mesfushorit Besmir Bojku ia vështirësoi gjërat ekipit të tij në ndeshjen kundër Drenicës, që e humbi me rezultatin 3:1.
Bojku u përjashtua në minutën e fundit të pjesëlojës së parë pas kartonit të dytë të verdhë. Për Niklin, kjo ishte humbja e dytë rresht në tri ndeshjet e luajtura në stinorin pranveror. “Kartoni i kuq na penalizoi shumë, sepse pësuam një gol që vinte pa logjikë nga ndeshja që po luanim, por sigurisht që ndodh. Arritëm të kthehemi si psikologjiksht, por edhe në mënyrën e lojës, arritëm që të barazonim. Në momentin që futbolli luhet edhe ecën përpara bëhet i bukur. Por në momentet kur hyjnë faktorë të tjerë në futboll, atëherë nuk kam çka të flas. Po të shikonit golin e dytë, më duket se është në pozitë jashtë loje, nuk kam qejf të merrem me këtë, por këto janë fakte, sepse këto dëmtojnë një ekip. Sigurisht që me 10 lojtarë bëhet shumë e vështirë, nuk e kuptoj se çfarë kërkojnë nga ky futboll në Kosovë. Andaj nuk kemi çfarë të flasim për taktikën dhe teknikën”, tha Duro.
Me këtë humbje, Feronikeli ka rënë në pozitën e shtatë në tabelë me 24 pikë.
Trajneri në disa raste këtë stinor ka kritikuar arbitrat.