Skuadra e Dukagjinit është e vendosur ta vazhdojë serinë pozitive edhe pas xhiros së 28-të në Superligën e Kosovës në futboll. Pas një serie prej gjashtë ndeshjeve pa humbje, ku ka regjistruar tri fitore e po aq barazime, Dukagjini përballet me liderin e Superligës, Ballkanin. Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën në stadiumin “18 Qershori” në Klinë dhe fillon në orën 14:00.
Në fakt, te Dukagjini po kërkojnë fitore në këtë përballje. Insistojnë se vetëm me tri pikë kanë gjasa të ikin nga pozita aktuale në tabelë deri në fund të edicionit. Dukagjini aktualisht është i teti në tabelë me 30 pikë. Pra, është në zonën e plejautit.
Ndërkohë, Ballkani është shkëputur në krye të klasifikimit me 57 pikë të tubuara, tetë më shumë se ndjekësit më të afërt. Prej tri fitoreve që Dukagjini i ka arritur në gjashtë xhirot e fundit, dy ishin ndaj ekipeve pretenduese, si Llapi dhe Prishtina. Kapiteni Altin Merlaku është optimist se mund të mposhtet edhe Ballkani.
“Në ndeshjet e fundit që i kemi luajtur ndaj ekipeve që janë më lart në tabelë, kemi rezultate më të mira. Dhe besoj se edhe ndaj Ballkanit do të marrim një rezultat të tillë. Ne mendojmë vetëm për fitore në këtë ndeshje për shkak se vetëm me triumf mund t’i ikim pozitës së tetë në tabelë. Çdo rezultat tjetër përveç fitores në këtë takim na prish shumë punë”, ka thënë Merlaku. “Po ashtu, besoj se me fitoren tonë edhe kampionati do të jetë më interesant deri në fund”.
Ballkani konsiderohet favorit në këtë ndeshje bazuar në renditje, por Dukagjini është i vendosur për befasi. Te Ballkani nuk kanë dashur të flasin për ndeshjen pas rastit të fundit që e përjetuan në Gjilan, xhiron e shkuar. Suharekasit e kanë fituar ndeshjen, por në tavolinë me rezultat zyrtar (3:0), pasi në fushë dueli u ndërpre në minutën e katërt të kohës shtesë. Pas barazimit të rezultatit në 1:1 nga Gjilani, shumë tifozë u futën në fushë, ndërsa dy prej tyre e sulmuan portierin e Ballkanit, Stivi Frashëri. Tek ekipi nga Suhareka nuk kanë folur shumë për media pas këtij rasti, ndërsa të mërkurën fitorja e Ballkanit me rezultat zyrtar u konfirmua nga Komisioni i Garave.
Edhe skuadra e Gjilanit do të luajë të shtunën në kuadër të xhiros së 28-të. Në fushën me bari sintetik në Gjilan, ekipi vendas e pret Drenicën. Gjilani është dënuar me tri ndeshje pa praninë e shikuesve, si dhe nuk do të mund t’i luajë ndeshjet si vendas në stadiumin e qytetit në Gjilan. Komisioni Disiplinor i FFK-së të enjten ia ka lejuar Gjilanit t’i luajë ndeshjet në qytetin e Gjilanit, por në fushën me bari sintetik. Edhe te Gjilani kanë qenë të mbyllur për media, duke mos dashur të flasin pas incidentit që ndodhi javën e shkuar.
Te Drenica kanë bërë të ditur se në Gjilan do të udhëtojnë për rezultat pozitiv. Këtë e ka konfirmuar sulmuesi Kreshnik Uka, i cili është golashënuesi më i mirë në Superligë me 18 gola të shënuar, dy më shumë se Gerhard Progni i Gjilanit.
“Një tjetër ndeshje e vështirë për ne në udhëtim. E kemi parasysh se Gjilani lufton për titull, ndërsa ne për t’i ikur barazhit. Kështu që do të jetë një ndeshje e fortë dhe interesante. I kemi parasysh pikat e forta të kundërshtarit dhe e kemi analizuar mjaft mirë. Shpresojmë në një rezultat pozitiv për shkak se tani është faza e fundit e kampionatit dhe çdo ndeshje për ne do të jetë si finale”, ka thënë Uka.
Gjilani zë vendin e tretë në tabelë me 49 pikë, sa i ka edhe Drita që është e dyta. Drenica ka 35 pikë dhe renditet e gjashta.
Të dielën luhen tri ndeshje të tjera të kësaj xhiroje. Prishtina e pret Malishevën prej orës 13:30, ndërsa gjysmë ore më vonë, Ulpiana përballet me Llapin në Lipjan dhe Feronikeli luan në Drenas ndaj Dritës.
Superliga – 28
E shtunë
Dukagjini – Ballkani (14:00)
Gjilani – Drenica (14:00)
E diel
Prishtina – Malisheva (13:30)
Ulpiana – Llapi (14:00)
Feronikeli – Drita (14:00)
1. Ballkani 27 17 6 4 44:17 57
2. Drita 27 14 7 6 39:19 49
3. Gjilani 27 12 13 2 35:23 49
4. Llapi 27 11 8 8 44:33 41
5. Prishtina 27 9 8 10 33:28 35
6. Drenica 27 10 5 12 39:36 35
7. Malisheva 27 9 7 11 32:30 34
8. Dukagjini 27 6 12 9 24:30 30
9. Ulpiana 27 5 9 13 26:47 24
10. Feronikeli 27 3 3 21 11:64 12