“31-vjeçari do të jetë vlerë e shtuar për ekipin tonë në pjesën pranverore”, ishte fjalia e fundit në njoftimin e KF Dukagjinit për sulmuesin Stefan Nikoliq, më datën 16 janar. Bazuar në karrierën që ka sulmuesi nga Mali i Zi, atëherë Nikoliq do të mund ta ndihmojë shumë ekipin nga Klina në stinorin pranveror të Superligës së Kosovës në futboll, që nis javën e ardhshme. Dukagjini është ekipi i tij i 20-të në karrierën profesioniste, të cilën e nisi në vitin 2007. Ndërsa Kosova është shteti i 14-të në të cilin do të luajë. Nikoliq me Dukagjinin ka firmosur kontratë deri në fund të sezonit, kurse misioni i tij është ta ndihmojë ekipin që të sigurojë mbetjen në elitë edhe për edicionin e ardhshëm.
“Isha pa klub dhe jam dëgjuar me shokun tim, Adnan Konushevcin, që më pyeti nëse jam i interesuar të luaj në Kosovë. I thash që jam i interesuar dhe pastaj kam folur me trajnerin e Dukagjinit, Armend Dallku, ku marrëveshjen e kemi arritur shumë shpejt”, thotë Nikoliq. “Me kanë pritur shumë mirë në klub dhe mendoj se jam përshtatur. Tani më mbetet ta tregoj veten edhe në fushë, pasi me përvojën time që kam dua ta ndihmoj ekipin në arritjen e synimeve. Besoj se do t’ia dalim mbanë të sigurojmë mbetjen në Superligë dhe nëse e arrijmë këtë, atëherë jam i hapur për ta vazhduar bashkëpunimin edhe për sezonin tjetër”.
Nikoliq te Dukagjini u transferua si lojtar i lirë, pasi në fillim të këtij viti e kishte shkëputur kontratën me ekipin nga Serie D e Italisë, AS Bisceglie 1913. Te ky ekip, Nikoliq ishte transferuar në muajin nëntor të vitit të shkuar nga ASD San Luca, po ashtu skuadër e kategorisë së katërt italiane që iu bashkua në fillim të sezonit 2021/22. Për AS Bisceglie 1913 kishte vetëm një paraqitje, ndërsa për ASD Luca kishte shënuar dy gola në shtatë ndeshje.
“Kam shkuar nëpërmjet një menaxheri në Serie D për t’i rregulluar dokumentet që pastaj të luaj në Serie C, por kjo nuk u bë dhe për këtë arsye vendosa ta shkëpusja kontratën dhe të largohem nga Italia”, shtoi ai.
Prej të gjitha skuadrave në karrierën e tij, Nikoliq më së shumti ka qëndruar te Steaua e Bukureshtit në Rumani, që tani njihet me emrin FCSB. Në fakt, me fanellën e këtij ekipi ai ka pasur edhe sukseset më të mëdha duke fituar dy tituj kampioni dhe një Superkupë të Rumanisë gjatë dy sezoneve e gjysmë qëndrimi (2012-2014). Në fakt, ai ishte transferuar për një milion euro atëbotë si 21-vjeçar nga Politehnica Timisoara dhe ishte ndër lojtarët më të shtrenjtë në historinë e Steauas. Në 74 ndeshje, Nikoliq kishte shënuar 13 gola e po aq asistime te Steaua, ndërsa në Rumani kishte luajtur edhe te Sepsi OSK vite më vonë.
“Te Steaua mund të them se i kam kaluar vitet më të mira të karrierës sime, si me rezultate ashtu edhe me gola e trofe. Po ashtu, kam luajtur në Ligën e Evropës dhe dy herë e kemi kaluar fazën e grupeve. Ishte një periudhë fantastike, të cilën do ta kujtoj gjithmonë me krenarinë më të madhe”, tha Nikoliq, i cili ka shënuar gola edhe në Ligën e Evropës.
Sulmuesi i lindur në Nikshiq të Malit të Zi, hapat e parë në futboll i kishte nisur tek ekipi i qytetit të tij, Sutjeska. Pas Sutjeskës kishte luajtur edhe për gjeneratat e reja të Partizanit të Beogradit dhe OFK Beogradit. Si senior ka debutuar te OFK Beogradi në sezonin 2007/2008 për t’u transferuar te Lierse në Belgjikë, ku ka luajtur edhe te Roeselare përpara se të largohej në drejtim të Rumanisë në vitin 2010. Pas Steauas, Nikoliq ka vazhduar karrierën tek Inchenon United (Kore e Jugut), CSKA Sofja (Bullgari), Istra (Kroaci), Termalica Nieciecza (Poloni), Radnik Surdulica, Napredak (Serbi), Kaisar (Kazakistan), Partizani i Tiranës, Sutjeska, Krupa (Bosnjë-Hercegovinë) e Melaka United (Malajzi). Brenda një periudhe shtatëvjeçare, Nikoliq ka ndërruar 13 skuadra përpara se të shkonte në Itali, aventurë që gjithashtu ishte e shkurtër.
“Kam ndërruar shumë klube në karrierë, por kjo ka ndodhur për arsye të ndryshme. Nga një pjesë e klubeve jam larguar për shkak të problemeve të mëdha financiare. Po ashtu kam pasur edhe lëndime, por në përgjithësi jam i kënaqur me karrierën time. Kam mundur edhe më mirë dhe ndoshta të kem më shumë suksese, por ndihem krenar”, shtoi sulmuesi i gjatë 193 centimetra. “Për shembull, në Malajzi kam qenë shënuesi më i mirë i ekipit, por u ndërrua kryesia dhe solli lojtarët e saj. Pra, këto janë gjëra që nuk janë varur prej meje dhe për këtë arsye kam ndërruar shumë ekipe, ku tani jam te Dukagjini, që është i 20-i”.
Nikoliq ka edhe një ndeshje me Përfaqësuesen A të Malit të Zi.Qe inkuadruar në fund të miqësores me Belgjikën të luajtur në vitin 2012, që kishte përfunduar me rezultatin 2:2. Ka edhe gjashtë ndeshje me përfaqësuesen U19, ndërsa me U21 të Malit të Zi, Nikoliq ka shënuar gjashtë gola në 16 paraqitje. Dukagjini ditë më parë është kthyer nga përgatitjet që i kishte në Antalia të Turqisë dhe Nikoliq pritet t’i prijë sulmit të skuadrës së trajnerit Armend Dallku. Nikoliq thotë se është ambientuar mirë në ekipin e ri dhe me padurim pret debutimin zyrtar, që pritet të ndodhë të shtunën në ndeshjen e 1/8 së finales të Kupës së Kosovës që Dukagjini e luan në udhëtim ndaj Gjilanit.
“Mund të them se e njoh Superligën e Kosovës pasi më kanë folur gjëra të mira për Drashko Bozhoviq që ka luajtur me Prishtinën e Damir Kojasheviq që ishte pjesë e Feronikelit. Ata më kanë thënë se liga e Kosovës është më e fortë se ajo e Malit të Zi dhe jam shumë i lumtur që kam ardhur këtu për pjesën e mbetur të këtij sezoni”, u shpreh Nikoliq. “Do të mundohem të jap më të mirën dhe ta ndihmoj me gola ekipin në Superligë, por gjithashtu edhe në Kupën e Kosovës, ku në fundjavë e kemi një ndeshje të rëndësishme”.
Stinorin vjeshtor në Superligë, Dukagjini e ka mbyllur në pozitën e tetë në tabelë me 18 pikë të mbledhura në po aq ndeshje të luajtura.