Sport

Duele të forta në Champions, City në një grup me PSG-në

Faza e grupeve të Ligës së Kampionëve për sezonin 2021/22 do ta sjellë përplasjen e skuadrave më të pasura të Evropës pas tërheqjes së shortit të enjten në Stamboll të Turqisë. Paris Saint-Germaini dhe Manchester City janë pjesë e Grupit A, që e përbëjnë edhe Leipzigu e Club Brugge i Belgjikës. City është nënkampion në fuqi, pasi sezonin e shkuar u mposht në finale nga Chelsea, ndërsa PSG-ja pati pësuar humbje në finalen e sezonit 2019/20. Të dy skuadrat llogariten favorite për ta fituar trofeun e këtij edicioni, sidomos PSG-ja pas transferimit të Lionel Messit dhe disa lojtarëve të tjerë me emër në futbollin evropian. Në fakt, mund të kemi përballje të Messit me Cristiano Ronaldon, i cili po kërkon largimin nga Juventusi para mbylljes së afatit kalimtar të verës dhe gjasat janë të mëdha që të transferohet te skuadra e Cityt. Ndeshjet e para të fazës së grupeve do të zhvillohen më 14-15 shtator.

“Do të jenë përballje të veçanta, pasi City është një prej ekipeve më të mira në Evropë dhe ka vite që po lufton për ta fituar Ligën e Kampionëve. Megjithatë, duhet t’i respektojmë edhe ekipet e tjera dhe të mos fokusohemi vetëm te dueli me Cityn. Të gjitha ekipet janë të forta dhe gjëja më e rëndësishme është që të jemi gati kur të fillojnë garat. Do të përpiqemi të përfundojmë të parët në grup, kjo është sfida jonë”, ka thënë trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino.

Kampioni në fuqi i Evropës mbrojtjen e trofeut do ta nisë në Grupin H. Pjesë e këtij grupi janë edhe Juventusi, Zeniti e Malmo. Skuadra londineze e nisi sezonin 2021/22 në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi e fitoi edhe Superkupën e Evropës.

Bayern Munichu dhe Barcelona do të përballen në kuadër të Grupit E, të cilin e përbëjnë edhe Benfica e Dynamo Kievi. Bayerni e ka fituar gjashtë herë këtë trofe, një herë më shumë se Barcelona. Në fakt, këto dy skuadra ishin përballur edhe në çerekfinalen e sezonit 2019/20, të cilën Bayerni e fitoi 8:2 përpara se ta ngrejë trofeun e Championsit.

“Barcelona është një ekip tjetër pa Lionel Messin, por prapë një ekip i mirë. Benfica është një klub tradicional që gjithmonë sjell lojtarë të mirë. Është një grup interesant që duam të menaxhojmë. Shpresojmë se nuk do të duhet të luajmë në Kiev në mes të dimrit, por seriozisht ne duam ta kalojmë grupin dhe të avancojmë tutje”, ka porositur drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamixhiq.

Duele të forta do të jenë edhe në Grupin B, i cili përbëhet nga Atletico Madridi, Liverpooli, Porto e Milani. Ndërkohë, Real Madridi do të ketë punë me Interin, Shakhtarin e Sheriff Tiraspolin, në kuadër të Grupit D.

“Kam qeshur me zë të madh, sepse është një grup shumë i fortë. Është Liga e Kampionëve, kështu që do të përballemi me ekipet më të forta të Evropës, ku disa prej tyre janë pjesë e grupit tonë. Normalisht, ne kemi ambicie si gjithmonë dhe do të tentojmë që të shkojmë sa më larg në këtë garë. Në secilën ndeshje do të futemi për të fituar”, ka thënë trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp.

Ndërkohë, finalistët e Ligës së Evropës sezonin e shkuar, Villarreali dhe Manchester Unitedi, janë pjesë e Grupit F. Villarreali e pati mposhtur Unitedin pas penalltive në finalen e Ligës së Evropës, përpara se të pësojë nga Chelsea javë më parë në Superkupën e Evropës. Ky grup përbëhet edhe nga Atalanta e Young Boysi.

B O X *******

Grupi A: Man. City, PSG, Leipzig, C. Brugge.

Grupi B: Atl. Madrid, Liverpool, Porto, Milan.

Grupi C: Sporting, B. Dortmund, Ajax, Beshiktash.

Grupi D: Inter, Real Madrid, Shakhtar, Sheriff.

Grupi E: Bayern, Barcelona, Benfica, Dynamo K.

Grupi F: Villarreal, Man. Utd, Atalanta, Y. Boys.

Grupi G: Lille, Sevilla, Salzburg, Ëolfsburg.

Grupi H: Chelsea, Juventus, Zenit, Malmo.