Arkitekti i sukseseve të Kosovës në sportin e xhudos, Driton Kuka, është shprehur jashtëzakonisht i kënaqur me paraqitjen që e patën xhudistët kosovarë në Lojërat Mesdhetare.
Xhudistët e Kosovës i mbyllën garat të premten në “Oran 2022” në Algjeri dhe fituan pesë medalje gjithsej. Tri prej tyre janë të arta, ndërsa dy të bronzta.
Me medalje të arta u stolisën Distria Krasniqi, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka, ndërsa të bronztën e fituan Akil Gjakova e Flaka Loxha.
Për trajnerin Kuka, e rëndësishme është që Kosova po përfaqësohet denjësisht në vendet të cilat nuk e kanë njohur, ose kanë fare pak njohuri për vendin tonë.
“Gara ka qenë me emra jo të fortë, por me garues super të motivuar, sidomos të vendeve të Afrikës, të cilët kanë bërë befasi faktikisht. Algjeria i ka fituar katër medalje. Tri medalje të arta, dy të bronzta për xhudon, për Kosovën, për gjithë komunitetin sportiv, janë vlera që po tregojnë që ne kemi ndërtuar një vazhdimësi. E veçanta është që Loriana është kthyer pas lëndimit. Distria dhe Laura po tregojnë formë konstante. Akili, edhe ai mund të themi se është rikthyer, duke iu bashkangjitur edhe Flaka, Erza, Shpati, prej të cilëve Flaka ka marrë medalje. Shpati dhe Erza kanë treguar që, megjithatë, e kanë një potencial që shpejtë do të jenë protagonist të medaljeve për seniorë. Kullashi duhet të punojë ende për të ardhur në nivel serioz për të pretenduar medalje. E veçanta e kësaj është që sporti i Kosovës po tregon që jemi në rrugë të mirë që gjithmonë imazhin e vendit tonë ta përfaqësojmë siç duhet edhe në këto vendet që shumë pak njihet Kosova. Jam i kënaqur me performancën dhe po shpresojmë që të vazhdojmë tutje”, ka thënë Kuka për sajtin zyrtar të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Ndërkohë, Loriana Kuka është shprehur e lumtur që ka fituar medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”. Ajo ka fituar të artën të premten në kategorinë deri 78 kilogramë.
Loriana ka lënë prapa një lëndim, ndërsa ka bërë ngritje në krahasim me Lojërat e kaluara Mesdhetare.
“Jam e lumtur që pas të argjendtës në Lojërat e kaluara Mesdhetare, kam fituar të artën. Më kishte mbetur merak që nuk e kam fituar medaljen e artë katër vjet më parë në Spanjë. Jam e lumtur që u ktheva nga lëndimi dhe ia dola të fitoj”, ka thënë Loriana Kuka për sajtin zyrtar të KOK-ut.
Kosova ka qenë prej përfaqësueseve më të suksesshme në garat e xhudos në Lojërat Mesdhetare të këtij viti. Nga tri medalje të arta, aq sa i ka edhe Kosova, i kanë vetëm Spanja dhe Turqia.