Sport

Driton Kuka: Laura dhe Akili kanë përmbushur pritjet e mia

Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka është ndarë i kënaqur me dy medaljet e fituara të enjten në Lojërat Mesdhetare në Oran të Algjerisë. Kuka ka thënë se Laura Fazliu dhe Akil Gjakova kanë përmbushur pritjet e tij.

Fazliu garoi në kategorinë deri 63 kilogramë dhe fitoi medaljen e artë. Për Kosovën është medalja e dytë e artë, pas asaj të fituar nga Distria Krasniqi.

Gjakova fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri 73 kilogramë.

“Laura dhe Akili i kanë përmbushur pritjet e mia dhe jemi në rrugë të mirë për ta ndërtuar një ekip drejt Lojërave Olimpike ‘Paris 2024’”, ka thënë Kuka për sajtin zyrtar të KOK-ut.

Sipas Kukës, lufta për vend të tretë e Gjakovës dhe italianit Manuel Lombardo do të duhej të ishte finale.

“Akili pas një krize tregoi sot se është në rrugë të mirë për të kthyer paraqitjen e tij. Lufta për medalje për mua realisht është dashur të jetë finale, por garuesit e shteteve të Afrikës kanë befasuar kësaj radhe. Medalja e bronztë e Akilit është sukses dhe në anën tjetër Arbër Kullashi e ka parë që për një nivel të tillë të garave duhet të ketë përgatitje më serioze. Nëse dëshiron të vazhdoj tutje në këtë nivel, duhet të punoj më shumë”, ka thënë Kuka.

Kullashi u ndal në luftën e parë.

“Kur jemi nisur kam besuar që do të kthehemi me dy apo tri medalje. Për gara serioze nuk është mirë të flitet më herët, por tash pas ditës së dytë i kemi katër medalje, dy të arta, dy të bronzta. Më gëzon fakti që Laura e konfirmoi ngadalë ngritjen në nivelet më të larta të xhudos botërore”, ka theksuar Kuka.