Nxënësit e Driton Kukës vazhdojnë me suksese kulmore në xhudo. Në fundjavë i fituan plot katër medalje në Kampionatin Evropian në Montpellier të Francës.
Distria Krasniqi fitoi medalje të argjendtë, ndërsa Nora Gjakova, Laura Fazliu e Akil Gjakova fituan medalje të bronzta. Akili e Laura garuan të shtunën. Kosova deri më tani asnjëherë nuk i ka fituar katër medalje në një kampionat evropian.
“Ishte ditë e mirë”, ka thënë Driton Kuka për KOHËN, pak pas përfundimit të garës. “Laura është dashur ta fitojë të artën sot. Por pas fitores ndaj legjendës franceze, Agbegnenou, nuk e kishte fokusin e duhur ndaj sllovenes. Sinqerisht është mëkat i madh. Realisht me pak më shumë durim, do të vinte e arta. Por edhe e bronzta është e shkëlqyer për Laurën. Në luftë për medalje ishte në fokus të duhur dhe nuk lejoi befasi”, ka shtuar Kuka.
Akil Gjakova ka fituar medalje në ngjarjet e mëdha pas një periudhe jo të lehtë garuese.
“Akili sot konfirmoi kthimin në skenën botërore. Edhe një medalje elitare për Akilin. E bronztë, por me vlerë të madhe. Loriana si duket nuk po e gjen veten në kategori të re. Gjithsesi ishte një ditë e suksesshme. Fitore ndaj legjendave nga Akili e Laura. Jam shumë i kënaqur. Asnjëherë nuk i kemi fituar katër medalje në një Evropian. Është mrekulli”, ka theksuar Kuka.
Pa medalje mbeti edhe Flaka Loxha. Katër medalje nga gjashtë xhudistë është rezultat impresiv.