Skuadra e Gjilanit nuk ka ndonjë synim për këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll, të cilin pritet ta mbyllë në pozitën e katërt. Megjithatë, me synime të mëdha do të futet në ndeshjen derbi të qytetit kundër kampiones në fuqi, Dritës.
Futbollistët e Gjilanit do ta kërkojnë fitoren jo për vete por edhe për tifogrupin “Skifterat”. Kështu ka paralajmëruar mesfushori i Gjilanit, Muhamed Useini.
Krahas fitores për tifozët, Gjilani po synon njëkohësisht ta nxjerrë Dritën nga gara për ta mbrojtur titullin e kampionit. Gjilani aktualisht është i katërti në tabelë me 47 pikë të mbledhura, 21 më pak se Drita që renditet e dyta. Drita ka 68 pikë, një më pak se Prishtina që renditet e para dhe një më shumë se Ballkani që është i treti. Këto tri skuadra po luftojnë për titullin e kampionit këtë edicion, në të cilin kanë mbetur edhe katër xhiro.
Derbi Gjilani – Drita luhet të mërkurën nga ora 15:00 dhe i takon xhiros së 33-të të elitës së futbollit kosovar.
“Është derbi i qytetit dhe dallon prej të gjitha ndeshjeve të tjera të sezonit. Derbi mund të vendoset nga një moment apo rast. Kështu që do të japim gjithçka nga vetja për ta fituar këtë derbi, pasi e dimë shumë mirë domëthënien që do të ketë për tifozët tanë. Jemi përgatitur maksimalisht që të dalim me kokën lart nga kjo ndeshje”, tha Useini. “Këtë ndeshje do ta fitojmë për tifozët tanë dhe jemi të gatshëm për ta bërë një gjë të tillë”.
Gjilani në këtë derbi futet pas një serie prej dy fitoreve, dy humbjeve dhe një barazimi, derisa Drita ka tri fitore, një humbje dhe një barazim. Te Drita nuk kanë dashur të flasin për ndeshjen duke zgjedhur heshtjen. Në tri ndeshjet e mëparshme të këtij edicioni, Drita ka bilanc pozitiv ndaj Gjilanit, pasi i ka fituar dy ndeshje dhe një tjetër ka përfunduar pa fitues.
Heshtjen e kanë zgjedhur edhe te Ballkani. Suharekasit synojnë të kthehen te fitorja, pas humbjes së papritur javën e shkuar në Skenderaj. Ekipi i drejtuar nga trajneri Bledi Shkëmbi, e pret në shtëpi Arbërinë, ekip që renditet i parafundit në tabelë dhe po rrezikon rënien në Ligën e Parë. Arbëria që ka vetëm 33 pikë, në pesë ndeshjet e fundit ka regjistruar vetëm dy fitore karshi tri humbjeve. Ky duel në Suharekë luhet të enjten prej orës 15:00.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë për ne duke e pasur parasysh faktin që Ballkani ka një ekip me lojtarë cilësorë dhe po lufton për titullin e kampionit. Megjithatë, edhe për ne kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe udhëtojmë për një rezultat pozitiv. Me rezultat të tillë i shtojmë gjasat për të mbetur në Superligë. Kështu që në Suharekë do të udhëtojmë të motivuar”, ka thënë sulmuesi i Arbërisë, Almir Kryeziu.
Ndërkohë, Prishtina do të jetë mysafire e Besës së Pejës në ndeshjen që do të luhet në Brestovik të mërkurën. Prishtina llogaritet favorite në këtë përballje, por skuadra pejane ka befasuar në dy ndeshjet e fundit, duke barazuar me Dritën dhe Trepçën ’89. Besa tashmë është përshëndetur nga elita, pasi është e fundit në tabelë me 12 pikë, por ka premtuar se në secilin ndeshje do ta japë maksimumin.
“Ne do të luajmë futboll deri në xhiron e fundit, sepse vetëm këtë gjë dimë ta bëjmë. Nuk futemi në të tjera gjëra që opinioni tashmë i di”, ka thënë trajneri i Besës, Leotrim Krasniqi ditë më parë për KOHËN.
Pas triumfit ndaj Ballkanit, te skuadra e Drenicës po e kërkojnë fitoren edhe në ndeshjen kundër Llapit, duel që luhet në stadiumin “Bajram Aliu” të Skenderajt. Në katër ndeshjet e fundit, Drenica ka dy fitore e dy barazime. Renditet në pozitën e gjashtë në tabelë me 38 pikë, një më pak se Llapi që zë vendin e pestë dhe në këtë takim futet pas dy humbjeve rresht. Ky duel luhet të enjten.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë kundër Llapit. Ne do të hyjmë në secilën ndeshje për të fituar, pasi pozita që kemi në tabelë nuk na lejon të mendojmë ndryshe. Disa lojtarë që kanë qenë të lënduar janë kthyer dhe e kemi ekipin e kompletuar. Ne do t'i kemi edhe katër finale deri në fund për të siguruar mbijetesën. Llapi ka skuadër shumë të mirë. Sulmon shumë dhe do të jetë mjaft vështirë ndaj tij”, ka thënë trajneri i Drenicës, Sami Sermaxhaj.
Ndërkohë, të mërkurën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, skuadra e Feronikelit e Trepçën ’89. Feronikeli kohët e fundit po kalon nëpër një krizë të rezultateve dhe ka shkëputur bashkëpunimin me trajnerin Klodian Duro. Nikli është i teti në tabelë me 35 pikë, një më pak se 89-shi që zë vendin e shtatë. Aktualisht, Feronikeli është në zonën e barazhit dhe deri në fund të sezonit do të drejtohet nga trajneri Faruk Elshani.
Superliga – 33
E mërkurë (15:00)
Gjilani – Drita
(Arbitra: Sh. Murtezi, F. Jashari, H. Osmani, V. Hoxha)
Feronikeli – Trepça ‘89
(Arbitra: D. Çaka, F. Berisha, B. Selimaj, A. Shala)
Besa – Prishtina
(Arbitra: V. Kastrati, E. Zeqiri, A. Osmani, S. Isufi)
E enjte (15:00)
Ballkani – Arbëria
(Arbitra: M. Bejtullahu, F. Sekiraqa, B. Morina, T. Maloku)
Drenica – Llapi
(Arbitra: G. Shala, E. Bicaj, T. Ibërdemaj, G. Nuza)
1. Prishtina 32 21 6 5 56:20 69
2. Drita 32 20 8 4 52:26 68
3. Ballkani 32 21 4 7 67:34 67
4. Gjilani 32 12 11 9 34:32 47
5. Llapi 32 12 3 17 43:48 39
6. Drenica 32 9 11 12 28:40 38
7. Trepça ’89 32 10 6 16 31:34 36
8. Feronikeli 32 8 11 13 36:32 35
9. Arbëria 32 9 6 17 35:51 33
10. Besa 32 2 6 24 25:79 12