Sport

Drita zgjedh heshtjen para derbit me Prishtinën

Foto: FC Prishtina

Te Drita kanë vendosur të mos flasin në prag të përballjes me Prishtinën, duke dashur të fokusohen në fazën përfundimtare të edicionit. Kryesia e klubit ka kërkuar si nga futbollistët, ashtu edhe nga shtabi teknik, që të mos deklarohen përpara derbit të nxehtë me Prishtinës. Përderisa Drita ka zgjedhur heshtjen, te Prishtina kanë paralajmëruar ta fitojnë këtë ndeshje të rëndësishme që mund të jetë përcaktuese për plasmanin në tabelë. Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, ka thënë se futbollistët e tij do të jenë maksimalisht të motivuar për ta mposhtur Dritën, pavarësisht ngjarjeve të pahijshme që ndodhën ditëve të fundit.

Dueli ndërmjet Prishtinës dhe Dritës është derbi i xhiros së 30-të në Superligën e Kosovës në futboll dhe i vetmi që do të nisë në orën 18:00, pasi ndeshjet tjera të kësaj xhiroje do të startojnë prej orës 17:00. Ndeshja do të zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës. Kjo përballje dhe vjen vetëm pak ditë pas akuzave të Prishtinës ndaj Dritës se kishte pasur gisht në humbjen e fundit të ekipit kryeqytetas ndaj Gjilanit (2:1). Të mërkurën në Gjilan pas ndeshjes u krijua një tollovi, ku trajneri i Prishtinës së bashku me një pjesë të stafit dhe disa lojtarë u spërkatën me sprej lotsjellës nga një pjesëtar i policisë, pasi kishin shkuar të ankoheshin në vendimet e arbitrave. Madje, te klubi Prishtina akuzuan se Drita ka shtrirë ndikimin te gjyqtarët për ta fituar titullin e kampionit.

Në të vërtetë, tenisionet e ndeshjes mes Gjilanit e Prishtinës nisën në minutën e 50-të, kur arbitri Kreshnik Vula e përjashtoi portierin e Prishtinës, Visar Bekaj, dhe e ndëshkoi me karton të kuq. Ky vendim ngjalli polemika dhe mospajtime të shumta te Prishtina. Ndërhyrja e Bekajt jashtë zonës në një duel ajror me Gerhard Prognin e Gjilanit u vlerësua për karton të kuq, vendim që arbitri kryesor Vula e mori pas konsultimit me ndihmësin e tij Fatmir Sekiraqa. - Me të marrë raportin nga Policia Rajonale e Gjilanit rreth incidentit pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës (2:1), prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj trajnerit të Prishtinës, Armend Dallku, të hapet rast penal për, siç thuhet në njoftimin e Zyrës për media të Policisë Rajonale të Gjilanit, “sulm ndaj personit zyrtar”. Ndërsa, Inspektorati Policor do t’i intervistojë edhe zyrtarët policorë për përdorimin e spërkatësit lotsjellës ndaj trajnerit dhe lojtarëve.

“Normalisht, më së paku i është nevojitur futbollit një skenë e tillë. Neve na mbetet ta vazhdojmë garën dhe do të luftojmë deri në fund, por vetëm me futboll”, ka thënë Dallku të premten, përpara se të fokusohet te përballja me Dritën, ndeshje që synon ta fitojë. “Presim një lojë të mirë, ku natyrisht e duam fitoren. Do të japim maksimumin, jemi të motivuar pavarësisht atij incidenti në lojën e fundit, që është për të të ardhur keq. Duam të dëshmojmë se jemi kampionë në fushë. Drita deri më tash nuk ka luajtur lojë të vërtetë. Të dielën e pret një ndeshje e vërtetë. Me çdo kusht synojmë fitore, kjo punë nuk diskutohet”.

Prishtina ndaj Dritës do të jetë pa portierin Visar Bekaj, i cili të premten është pezulluar deri në vendimin përfundimtar të Komisionit Disiplinor pranë Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). KD-ja njoftoi se ka hapur procedurë disiplinore edhe ndaj Prishtinës, trajnerit Dallku dhe fotoreporterit të klubit, Avni Durmishi. Prishtinës i është hapur procedura për sjellje dhe veprime të gabuara të stafit të klubit pas përfundimit të ndeshjes me Gjilanin, derisa Dallkut për tentim sulmi ndaj gjyqtarit, siç thuhet në njoftim.

Drita prin në tabelë dhe është ekipi i vetëm që i ka fituar të gjitha ndeshjet qëkur kanë rifilluar garat në Superligë pas pezullimit shkaku i pandemisë. Ka tubuar 64 pikë, shtatë më shumë se Prishtina që pas humbjes me Gjilanin ka rënë në pozitën e katërt. Ndërkohë, Ballkani është i dyti në klasifikim me 59 pikë, një më shumë se ekipi i Gjilanit që zë vendin e tretë.

Superliga - Java 30

E diel

Gjilani – Drenica (17:00)

(Arbitra: G. Shala, A. Latifi, E. Baliqi, I. Mehmeti)

Prishtina – Drita (18:00)

(Arbitra: D. Çaka, F. Berisha, B. Selimaj, V. Ibërdemaj)

E hënë (17:00)

Feronikeli – Ballkani

(Arbitra: B. Kasumi, I. Kabashi, G. Hyseni, A. Shala)

Llapi – Flamurtari

(Arbitra: S. Isufi, E. Bicaj, D. Preniqi, Sh. Murtezi)

Dukagjini – Trepça ‘89

(G. Nuza, L. Muhadri, M. Berisha, V. Kastrati)

Vushtrria – Ferizaj

(Arbitra: E. Zasella, S. Berisha, V. Kelmendi, I. Ceroviku)

 

1. Drita 29 20 4 5 54:18 64

2. Ballkani 29 17 8 4 52:20 59

3. Gjilani 29 18 4 7 54:25 58

4. Prishtina 29 17 6 6 52:20 57

5. Feronikeli 29 13 5 11 45:34 44

6. Flamurtari 29 11 7 11 41:51 40

7. Llapi 29 11 6 12 41:51 39

8. Drenica 29 10 8 11 36:36 38

9. Trepça ’89 29 9 8 12 44:46 35

10. Ferizaj 29 8 2 19 28:59 26

11. Vushtrria 29 4 6 19 26:66 18

12. Dukagjini 29 2 4 23 18:65 10